12.5 C
Tirana
19 / 02 / 2026

Post mortum: KA DATËLINDJEN POETI

Poeti im,

sot do të të shkruaja si çdoherë në 4 gusht.

E mandej do të të telefonoja me ta ndi zanin e ma ta uru datën e lindjes aty në Kasaj ku shkoje çdo verë, mes bjeshkëve ku u linde dhe ku u bëre Hamiti ynë.

Më pate thënë: – gjithmonë në Kasaj do të jem.

Kasaj, adresa jote e parë, adresa jote e fundme, adresa jote e përjetëshme.

Atje je; i bërë lis i bjeshkës, shkrep i malit, këngë e zogjve, fllad i rudinave, re e bardhë, qiell i kaltër.

Hamiti ynë, poetët nuk ikin.

Për ta ka vetëm një urim: TUNGJATJETA!

Unë sot, për me e nda me lexuesit dhe gjithë të dashurit e tu mallin sa deti e dhimbjen sa mali, po e publikoj edhe një herë poezinë që e pata shkruar për ty e ta pata dërguar pesë vjet më parë.

KA DATËLINDJEN POETI

“- E ruaj një fjalë për ty”,

Më pate thënë në një shekull tjetër,

Poeti im,

që bjeshkët i zgjodhe për mbiemër!

Unë,

për atë fjalë kam notuar mbi dallgët e hënës,

Me këngën tënde i munda mbi njëqind vjet të marta,

Për ty e ruajta fjalën e zemrës,

Se në Kasaj më the, gjendet Itaka!

E aty në qiejt e bjeshkëve të tua,

Këngës t’ia marr sa të trandet dhe deti,

Dhe lisat t’ja nisin valles me mua,

Toka të ndalet një çast:

Ka datëlindjen poeti!

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x