Në udhëkryqet ku arti takon amshimin, ekzistojnë vepra që tejkalojnë ligjësitë e kohës dhe të pranisë fizike. I tillë është “Portreti i Wolfgang Amadeus Mozartit” (1819), i pikturuar nga artistja austriake Barbara Krafft (1764–1825). Për ironi të bukur të historisë së artit, imazhi më i fuqishëm, më popullor dhe më i riprodhuar në botë i gjeniut të Salzburgut është një vepër pas vdekjes, një dritare e hapur mbi amshimin plot 28 vite pasi heshti muzika e jetës së tij.
Në vitin 1819, shkrimtari dhe historiani Joseph Sonnleithner i ndërmori vetes një mision sa me fat, aq edhe ambicioz, krijimin e një galerie portretesh të kompozitorëve më të mëdhenj për “Shoqëria e Miqve të Muzikës” në Vjenë. Për të dëshmuar fytyrën e Mozartit, ai ia besoi penelin Barbara Krafftit, një piktoreje me shije të hollë neoklasike.
Sot, kjo kryevepër ruhet si një nga thesaret më të çmuara në arkivat e Gesellschaft der Musikfreunde në Vjenë, duke mbetur referenca parësore vizuale për cilindo që kërkon të imagjinojë shpirtin prapa Rakuemit apo Flautit të Magjepsur.
Meqenëse Krafft nuk e kishte parë kurrë kompozitorin sa ai ishte gjallë, sfida e saj nuk ishte vetëm anatomike, por gati shpirtërore, si të pikturohej një fantazmë drite?
Për ta arritur këtë autenticitet, piktorja u mbështet thellësisht te kujtimet, udhëzimet e imtësishme dhe dashuria e Maria Anna (Nannerl), motrës së kompozitorit. Ajo shfrytëzoi gjithashtu portretet familjare të hershme (si ai i Johann Nepomuk della Croce i vitit 1780), duke filtruar përmes vështrimit të familjes tiparet më autentike të vëllaçkos së saj gjeni.
Nëpërmjet këtij procesi nostalgjik, Krafft nuk pikturoi thjesht një fytyrë, por kujtesën e dashurisë motërore të shndërruar në art.
E realizuar me një disiplinë të rreptë neoklasike, piktura ndërton një ekuilibër magjepsës mes aristokracisë dhe pafajësisë artistike.
Mozarti paraqitet i veshur me një pallto elegantie në të kuqe të thellë, e zbukuruar me qëndisje të arta fine dhe këmishë me dantella të bardha delikate. Kjo veshje nuk është vetëm tregues i estetikës vjeneze të epokës, por një simbol i dinjitetit të lartë shpirtëror të artistit.
Fytyra e kthyer shfaq një ballë të gjerë, vatër e mendimit muzikor, dhe një vështrim të ëmbël, të qetë e depërtues. Flokët e pluhurosur me parukën e kohës i japin portretit një prerje pothuajse statujore.
Përdorimi i një sfondi të errët e neutral bën që drita të përqendrohet tërësisht mbi portretin, duke e bërë fytyrën e Mozartit të rrezatojë sikur ndriçohet nga një dritë e brendshme.
Portreti i Barbara Krafft na kujton se arti i vërtetë nuk mjaftohet me kopjimin e së pranishmes, por ka fuqinë të thërrasë të munguarën. Edhe pse Mozarti u nda nga kjo botë në varfëri e braktisje më 1791, peneli i Krafftit e vesh atë me mbretërinë e përjetshme të dritës. Në këtë pikturë, ai nuk është më vetëm një njeri që jetoi e krijoi, por vetë nocioni i Muzikës që nuk vdes kurrë, gjenialiteti i mishëruar në një shprehje krijuese gjeniale.
Përgatiti: Albert Vataj
- Portreti i Mozartit nga Barbara Krafft, referuar përshkrimeve të Maria Anna, motrës së gjeniut të muzikës - 20/10/2026
- Kufiri i brishtë mes të mires dhe të keqes, sipas Gustav Jung - 20/10/2026
- Christiane Amanpour largohet nga CNN/ Gazetarja dhe prezantuesja e njohur ikën pas 43 vitesh: “Jini gjithmonë të vërtetë, jo neutralë”. - 20/10/2026