15.5 C
Tirana
16 / 01 / 2026

Porosia e Berishës për bojkotin e “analistëve”, Bardhi dhe Balliu përballë tyre në studio, shkelje urdhri apo dalje “me lejen e Florianës”?

Më 23 dhjetor, Sali Berisha u dërgoi një mesazh të prerë strukturave të Partisë Demokratike, ku sanksiononte një rregull të ri për përfaqësimin mediatik të opozitës. Vendimi i Kryesisë së PDSH dhe Grupit Parlamentar të PD-së ishte i qartë: përfaqësuesit e PD-së nuk duhet të përballen në debate televizive me të ashtuquajtur “analistë të pavarur”, të cilët Berisha i cilëson si zëvendësues (proxy) të qeverisë dhe mercenarë mediatikë në shërbim të saj.

Qëllimi, sipas Berishës, është të mos lejohet që qeveria të fshihet pas analistëve për të shmangur përgjegjësinë politike për aferat, korrupsionin dhe skandalet.

Por vetëm pak javë pas kësaj porosie, realiteti televiziv duket se e ka sfiduar hapur vendimin e shpallur.

Mbrëmjen e kaluar, në një nga emisionet kryesore politike të javës në Syri TV, kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, u shfaq në studio përballë një paneli analistësh dhe gazetarësh, mes të cilëve edhe figura që Berisha i ka cilësuar publikisht si “zëvendësues” të qeverisë. Asnjë përfaqësues i Partisë Socialiste nuk ishte i pranishëm përballë tij.

Në të njëjtën kohë, në Top Channel, deputeti i PD-së Klevis Balliu ishte i ftuar në emisionin e Grida Dumës, ku u përball po ashtu vetëm me analistë dhe gazetarë, pa pasur përballë asnjë deputet apo zyrtar të mazhorancës. Një format që bie drejtpërdrejt ndesh me frymën e porosisë së 23 dhjetorit.

Kjo situatë një pyetje të thjeshtë, por thelbësore: a kanë thyer Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu urdhrin e doktorit, apo kanë dalë në studio “me lejen e Florianës”?

Floriana Garo, drejtoreshë e Zyrës së Shtypit në Partinë Demokratike, është pikërisht autoriteti që, sipas porosisë së Berishës, duhet të njoftohet për çdo ftesë televizive, për të përcjellë “mesazhin e ditës” dhe për të filtruar pjesëmarrjen në mediat e konsideruara të kontrolluara nga qeveria.

Një gjë mbetet e qartë: beteja e shpallur e opozitës kundër “analistëve të pavarur” vazhdon të jetë më shumë një konflikt retorik sesa një rregull i respektuar në praktikë. Dhe ndërsa PD deklaron se nuk do të shërbejë si maskë për qeverinë në studiot televizive, përfaqësuesit e saj kryesorë vazhdojnë të ulen përballë atyre që vetë i ka etiketuar si zëvendësues të saj. Sepse siç thuhet në të tilla raste, secili analistët e vet./vna.al

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x