Autoritetet malajziane thuhet se kanë liruar një palestinez i cili dyshohet se ishte rrëmbyer dhe marrë në pyetje nga agjentët e Mossad-it në Kuala Lumpur, raportuan të hënën Al Jazeera Arabic dhe New Strait Times.
Sipas raportimeve, burri, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur, është nga Rripi i Gazës dhe u rrëmbye mbrëmjen e 28 shtatorit nga shtetas malajzianë.
Al Jazeera thotë se Izraeli akuzoi palestinezin e rrëmbyer se kishte lidhje me krahun e armatosur të Hamas-it.
Kjo, duke shtuar se ai po merrej në pyetje nga oficerët e Mossad-it përmes videove në Tel Aviv kur autoritetet malajziane bastisën shtëpinë në të cilën po mbahej.
Të paktën dy shtetas malajzianë po mbahen nga policia, shtojnë raportet.
Më 21 prill të vitit 2018, Fadi Mohamed al-Batsh, 35 vjeç, një inxhinier palestinez dhe anëtar i Hamas-it, u vra jashtë një xhamie në Kuala Lumpur.
Qeveria e Malajzisë tha se “agjentë të huaj” ishin përgjegjës për vrasjen, ndërsa familja e al-Batsh akuzoi Mossad-in se qëndronte pas vrasjes së tij.