Ka përfunduar puna për rikonstruksionin e Qendrës së Vizitorëve në një prej pikave më panoramike buzë liqenit të Ohrit në qytetin e Pogradecit. Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro ka parë nga afër punimet e kryera për restaurimin e plotë të godinës dhe ndërhyrjen përforcuese të strukturës, vendosjen e sistemit të energjisë eficiente, si dhe krijimin e mjediseve për evente, ekspozita dhe studime të ndryshme. Ministrja Kumbaro është shprehur se me një projekt të dedikuar kjo qendër synohet të kthehet në një muze të natyrës për gjithë qarkun e Korçës, si një pikë atraksioni për gjithë vizitorët.
“Këtu kemi hapësira për të bërë një muze të vogël të natyrës, duhet pak a shumë si modeli që kemi në qendrën e vizitorëve në Divjakë apo në qendrën e vizitorëve që kemi në Dajt. Pra të krijojmë dhe këtu një minimuze për të prezantuar të gjithë tipologjinë e faunës dhe florës së zonës. Ne do bëjmë një projekt, do t’i gjejmë financimet që ta bëjmë, që kjo aq më tepër në vendin ku ndodhet që është në pjesën e shëtitores, që edhe turistët sezonal, por edhe ata që duam t’i ftojmë jashtë sezonit, duhet të krijojmë këtu një pikë atraksioni. Pra detyra e drejtorisë është të bëjmë projektin, të gjejmë financimet dhe do ta bëjmë” ka thënë Kumbaro.
Më tej Kumbaro ka thënë se kjo qendër do të jetë edhe një destinacion edukativ për fëmijët, dhe një vendqëndrim për studiuesit apo kërkuesit shkencor që duan të jenë pranë ekosistemit.
“Oborri këtu mund të përdoret edhe për programin e Arteve dhe Zejeve që keni me shkollat, që është program që nëpër hapësira të ndryshme urbane të krijojmë hapësira ku shkollat mund të vijnë të bëjnë aktivitetin bujqësor, për të mbjellë, për të kuruar lulet, kompostimin e gjithçka. Pra të krijojmë një cikël natyror brendapërbrenda sepse ambienti është fantastik. Detyra jonë është t’i japim funksion si për pjesën publike, si për pjesën që mund të jetë një lloj pjese mikpritje dhe pjesën që të jetë e edukimit”, përfundoi ministrja.
Projekti është financuar nga Kfw përmes Projektit të Rezervës Ndërkufitare të Biosferës së Prespës në vlerën e 228 mijë eurove. Qendra synon të jetë gjithashtu një pikë lidhëse edhe me zonat e mbrojtura ndërkufitare të rajonit Ohër-Prespë.



