Pablo Neruda
“Me interesojnë vetëm shijet. U falem vetëm atyre, edhe nëse mendoj që kam vetëm një lexues”
Ndue Dedaj
“Kaherë nuk kam lexuar një shkrim kaq të denjë për poezinë, do t’i lusja miqtë e mi ta vinin në krye të listës për lexim – reflektimet e fundjavës, që ndër të tjera do të thotë, mos i bëni lavdërime asaj çka nuk është poezi. Për më tepër ky shkrim shpresoj të çelë një debat të frytshëm, që do t’iu vinte në ndihmë dhe vetë vargjerreshtuesve të rrjeteve sociale”.
Shefqet Meko
“Ky shënim që është “Britmë Poeti” është një dhimbje e frikshme e poetëve të vērtetë që të qarën e parë e kanë pasur “varg lotësh”. Unë besoj se Marash Mirashi është një “i tillë …”. Ai nuk klith për vete, as për vargjet që di t’i thurë duke “ngjyer” penën në mosgjumn e natës. Atij i dhemb “perdhunimi publik” që i bëhet poezisë dhe letërsisë në tërësi”
Dashamir Dini
“Diga e edtetizmit është thyer.Tashti ujrat kanë shpërthyer jashtë disiplinës së turbinave. Pseudopoezija ka përmbytur botën.
Kështu siç duket do vazhdojë të jetë”.
Edmond Kaçeli
“Inflacioni i poetëve në internet është një dukuri tipike e shtate miljon poetëve shqiptarë! Marash Mirashi ven gishtin fort në këtë plagë të shkaktuar nga poetët e rrejshëm që masturbohen me pseudovargjet tyre dhe like-et e familjarëve apo shoqërisë nëpër social qe kurre nuk marrin mundimin te lexojne nje varg der ne fund!”
Entela Komnino
“Kisha kohë që vërtisja edhe unë këto mendime. Duket se më shumë se gjithçka nga rrjetet sociale e ka pësuar poezia dhe, në shqip, edhe gjuhësia. Kur sheh “dhënie mendsh” nëpër postime me gabime shkrimi të filloreje, kulmuar te dekani i zgjedhur i Filologjisë nga ata profesorë që duhej ta kishin ngelur për mungesë minimale njohurish , them “shyqyr me kaq!”
“POEZIA” E RRJETEVE , “REALIZMI I INTERNETIT” DHE INFLACIONI I BROHORIMAVE
Nga Marash Mirashi
Gracka e elozheve është shkrehur, duke zënë poshtë saj, qindra pseudopoetë që gulçojnë të ndërkryer në sdiçkahjen e arsyes, gjithashtu të plagosur. Vërshimi i madh inflacionist, sidomos i “poezisë” në “social networks”, i mbiquajtur së fundmi si “realizmi i internetit”, po tenton të minojë shijet rreth artit të vërtetë. Personalisht mendoj se “poezia” e rrjeteve sociale, po lëngon në kënetën e madhe të absurdit, megjithë ndjeshmërinë që kam ndaj kallamishtave, peshqve, krimbave dhe bretkocave. Aq epidemike është bërë yshtja e një plejade “poetësh” dhe “poeteshash” në rrjet, duke tentuar që të marrë në dorë flamurin absurd të një “rryme” të re që, në fund të fundit, turbullon akoma e më shumë, kënetën e një mediokriteti shembullor. I gjithë problemi qëndron te masiviteti i frikshëm i taboreve “avanguardë”, që mëtojnë parreshtur se poezia është vetë ajo, as më shumë e as më pak sesa “lehtësia përdëllitëse e qënies”. Keqkuptimi rreth artit poetik, rrezikon të kthehet në një tezë mbisunduese, që do të rëndonte së tepërmi themelin,që mban ende në këmbë, ngrehinën me dritë dhe mjegull të poezisë së vërtetë. Nuk ka agjë më të sofistikuar sesa rrjetet sociale, për të ndërtuar, dhënë formë dhe “autoritet”, teorive të reja të të kërryerit poezi, me po të njëjtën lehtësi siç kruan lëkurën, sapo konstaton mbi të një puçër. Lukunia ulëritëse e bataresë poezibërëse të jeniçerëve dhe jeniçereshave që u turren mullarëve të një frymëzimi komik, të kujton gjithmonë një gomë veture, sipër strumbullarit, edhe pse ky i fundit mund të konsiderohet si objekt i një ekzotike moderne. Dëmi është gjithmonë, tek lexuesi i pafajshëm e i pastërvitur ndër shfletime librash. Rënia e tij në kontakt me këtë soj rryme postfodulle, të shpërfaqur në të ashtuquajturin “realizëm internestist”, është i ngjashëm me çfarëdo lloj operacioni që ka të bëje me antiestetikën, ose në rastin më të keq, me lavazhin e shijeve, për të shkuar drejt një uniformiteti të frikshëm të të perceptuarit të shabllonit, si një art që ngjitet Himalajave të boshit. Kur Pablo Neruda u pyet se çfarë e dëmton më shumë lexuesin e poezisë, ai vërejti se entuziazmi i poetëve që notojnë në pellg, është problemi kryesor. Pas kaq shumë dekadash, “entusiazmi poetik”, ka marrë përmasa të reja e të papara, që duke patur në favor edhe erën e internetit, rrezikon të shkaktojë një stuhi, që mund të lërë pas, gjithnjë përmes keqkuptimit, një peisazh të shkretë. – Me interesojnë vetëm shijet. U falem vetëm atyre, edhe nëse mendoj që kam vetëm një lexues, – e përfundoi intervistën dikur, Neruda. Pak vite më vonë ai fitoi “the noble prize”.
Problemi pra është i thjeshtë. Poezia ka nevojë në njëfarë mënyre, për lexues Nobël. Rryma e re e rrjeteve dhe gracka që përmenda në krye të shkrimit, janë gjithsesi fati i parashkruar i artit të vërtetë, i eklipsuar padrejtësisht, shpresoj përkohësisht, prej brohorimave mbytëse të inflacionit gjithnjë e në rritje të keqkuptimit.