Ish-emisari amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit politike në Kosovë, duke shprehur mbështetjen e tij për gjashtë deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Në një postim në platformën “X”, Grenell ka publikuar fotografitë e Avdullah Hotit, Hykmete Bajramit, Arben Gashit, Armend Zemajt, Kujtim Shalës dhe Janina Ymerit, të cilët kanë refuzuar kandidaturën e Bekim Sejdiut për president, në kuadër të zhvillimeve politike pas marrëveshjes mes Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut.
Grenell i ka cilësuar gjashtë deputetët si “miq të mëdhenj të Amerikës”, duke vënë në pah veçanërisht raportin e tij me ish-kryeministrin Avdullah Hoti.
“Miku im Avdullah Hoti dhe kolegët e tij janë miq të mëdhenj të Amerikës”, shkroi Grenell në “X”.
Reagimi i tij vjen në një moment të tensionuar të zhvillimeve politike në Kosovë, ku çështja e zgjedhjes së presidentit dhe qëndrimet e partive politike kanë sjellë përplasje mes aktorëve politikë.
Grenell ka ngritur gjithashtu pretendimin se në Kosovë po shkelet Kushtetuta, duke e lidhur reagimin e tij me situatën e krijuar rreth kandidaturës për president. Megjithatë, ky është vlerësim i shprehur nga vetë Grenell dhe çështja e interpretimit kushtetues i takon institucioneve kompetente të Kosovës.