24.5 C
Tirana
05 / 10 / 2024

Pjesët në PD: Secila problemet e veta në marrëdhëniet me SHBA dhe Perëndimin

Nga Preç Zogaj

Dy pjesët e PD-së, ajo Zyrtarja dhe ajo e Rithemelimit, kanë tani secila një problem të vetin në marrëdhëniet me SHBA dhe Perëndimin.

Pjesa e Rithemelimit, siç dihet, ka problemin e drejtimit nga Sali Berisha, i shpallur non grata nga SHBA dhe Britania e Madhe. Këto dy vende, që përfaqësojnë aksin e euroatlantizmit, kanë deklaruar se nuk mbajnë marrëdhënie me subjekte politike që drejtohen nga individë të shpallur non grata prej tyre. Diplomatët, zyrtarët, ish zyrtarët, senatorët dhe kongresmenët amerikanë të dy krahëve politikë e kanë demonstruar këtë qëndrim në gjithë aktivitetin dhe vizitat e tyre në Shqipëri gjatë kësaj kohe.

Kam shkruar dhe jam shprehur vazhdimisht për ketë temë në përpjekjen për të ndikuar sa të jetë e mundur që Sali Berisha të mos e lidhë rastin e tij me fatin e PD-së si dhe për të ndarë me lexuesit bindjen se jo vetëm nuk mund të fitohet, por as duhet të fitohet në Shqipëri kundër SHBA-së; lidershipi i ndriçuar duhet të udhëhiqet nga mirënjohja ndaj SHBA, si dhe nga rëndësia jetike e aleancës me ta. Edhe po të ndodhë të lajthisë turma.

Në gjithë trazimin dhe ndarjen që provokoi përgjatë vitit Foltorja e Berishës, PD zyrtare ka mbajtur linjën e euroatlantizmit dhe marrëdhënieve të ngushta me SHBA. Do të vazhdojë ta mbajë, por mjerisht, ka edhe ajo tani problemin e saj me këtë vend të madh mik dhe partner strategjik: ka pagesën e vitit 2017 prej 500 mijë dollarësh që lobuesin amerikan Nik Muzin, e ka deklaruar në departamentin e Drejtësisë në SHBA si pagesë të PD-së. Afera, siç dihet, është investiguar pak vite më parë nga revista “Mather Jones”, e cila kishte zbuluar se paratë kishin kaluar përmes “Binatta Trade LP”, një kompani guaskë e regjistruar në Skoci. Sipas revistës “Binata” ishte në lidhje me një sërë kompanish të tjera guaskë të kontrolluar nga shtetas rus. Revista hodhi dyshime, por nuk shkoi më tej në zbulimin e origjinës së parave.

Afera u rikthye javën e kaluar, tashmë jo si një investigim mediatik, por si pjesë e një raporti të shërbimeve inteligjente amerikane ku pohohet se Moska ka financuar 300 milionë dollarë për të mbështetur partitë proruse në njëzet e dy vende të botës.

Në këtë listë, sipas radios “Zëri i Amerikës”, që i referohet një zyrtari të lartë amerikan , është edhe PD. Për shumëkënd ishte e çuditshme që ndërsa Departamenti i Shtetit kishte deklaruar se vendet dhe subjektet përfituese të pagesave ruse nuk do të bëheshin publike, por do tu referoheshin në një formë konfidenciale qeverive, PD e Shqipërisë u përmend me emër.

Në Itali, kryeministri Dragi u angazhua personalisht për të mësuar a kishte apo jo në raportin e Uashingtonit parti italiane të financuara nga rusët. Ai njoftoi publikun se përgjigja e Sekretarit të Shtetit, Blinker, kishte qenë “nuk ka”. Kësisoj u evitua ndërhyrja e drejtpërdrejtë që do të kishte shkaktuar një përgjigje e kundërt në zgjedhjet e kësaj të diele në Itali.

Në Shqipëri, në mungesë të një interesimi zyrtar pranë Departamentit të Shtetit nga Komisioni Parlamentar i Sigurisë Kombëtare a ndokush tjetër i përshtatshëm , shqetësimet amerikane në dritën e raportit të fundit për financimet ruse i përcolli ambasadorja e SHBA në Tiranë, zonja Juri Kim gjatë një takimi me përfaqësues të gupeve parlamentare. Zonja Kim u pyet nga deputetja Jorida Tabaku nëse në raportin amerikan përmendej Partia Demokratike e Shqipërisë. Ajo u përgjigj se nuk ishte e autorizuar të thoshte më shumë, duke sugjeruar që të interesuarit t’i referoheshin qëndrimeve të zëdhënësit të Shtëpisë së Bardhë. Na pëlqen apo jo, për një pyetje të tillë dhe në një format të tillë të bisedës, çdo përgjigje tjetër përveç një “Jo”-je të qartë merret sikur është “Po”.

PD natyrisht mund të kërkojë e duhet të kërkojë përgjigje me eksplicite dhe të ketë informacion shterues për gjithë aferën. E vogël në raport me shumat marramendëse që hidhen në Shqipëri për të blerë vota, kryesisht nga qarqet qeveritare dhe grupet kriminale të lidhura me qeverinë, 500 mijë dollarët e lobimit ngërthejnë një temë që infekton raportet e PD-së me SHBA. Problemi nuk është shuma në vetvete, por fenomeni.

Në këtë histori, gjëja më pak e keqe për PD-në do të ishte që vetëm kanali nga kanë kaluar paratë e lobimit, pra vetëm “Binata” të ketë qenë ruse. Pra janë paguar para me burim të padeklaruar për të siguruar akses dhe marrëdhënie të afërta me administratën e ish Presidentit Trump dhe biznesin amerikan, por ato para nuk janë ruse. Në këtë rast gabimi apo shkelja nuk do të implikonte gjënë e rendë dhe vetëvrasëse nga pikëpamja politike që është filorusizmi putinist.

Gjëja me e keqe do të ishte që jo vetëm kanali por edhe paratë janë dhënë nga fonde ruse, çfarë s’don ta besojë njeri.

Prokuroria dhe gjykatat shqiptare kanë dhënë pretencën dhe vendimet e tyre për këtë aferë duke marrë në konsideratë edhe përgjigjet e leterporosive të dërguara pranë institucioneve amerikane. Çeshta kyçe për tu sqaruar mbetet origjina e parave përtej kontratës ligjore me PD që ka deklaruar Nik Muzin. Lënia e saj enigmë përforcon versionin e keq të financimeve të fshehta.

Gëzimi për aferën e lobimit në kampin e Rithemelimit përligjet vetëm me atë që u bëmë njëlloj sa i takon pasjes probleme me SHBA. Për asgjë tjetër.

Nuk ka vlerë sot t’i futemi analizës se cila pjesë e ka problemin më të madh. Thelbësore për anëtarësinë dhe elitën politike të PD-së besoj se është një gjë tjetër: Situata e paimagjinueshme që është krijuar në tërësinë e një partie që e ka themeluar euroatlantizmin në Shqipëri që në dhjetor të vitit 1990.

Demokratët si shumica dërmuese e shqiptarëve janë euroatlantistë, amerikanistë, europianistë. Problemi për ta është se si njihen dhe si trajtohen drejtuesit e tyre nga Uashingtoni zyrtar. Marrëdhëniet i zhvillojnë drejtuesit, jo anëtarët. Kur drejtuesve u mbyllet dera, anëtarët janë thjesht viktima. Ndaj për dy pjesët e PD-së, për Sali Berishën që drejton pjesën e Rithemelimit, për drejtuesit e asaj që quhet PD-ja zyrtare dhe për faktorët e tjerë jashtë dy pjesëve, është sërish koha (nuk ka shumë kohë) për një reflektim të thellë dhe për sakrifica në funksion të një bashkimi dhe zgjerimi për fitoren. Në marrëdhënie të ngushta me SHBA-në nga lideri pikësëpari dhe nga gjithë stafet drejtuese pas tij.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x