“Shumë pushues i ka kapur paniku dhe kanë qenë të rënduar psikologjikisht. Është krejt normale kur sheh flakët. Por, tani nuk ka asnjë arsye për të pasur frikë”.
Kështu u shpreh kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, një ditë pas zjarrit që pushtoi Shëngjinin dhe detyroi banorë e turistë që të evakuoheshin.
“Gjithsesi, nuk ka pasur cenim të strukturës akomoduese. Banorët janë kthyer nëpër banesa, nuk kemi më probleme. Ka qenë një erë shumë e fortë që ka bërë që situata të precipitojë”, theksoi Ndreu.
Sipas tij, “çuditërisht, gjatë orës 2 të natës kemi pasur 4 zjarre të tjera”.
“Janë një alarm se dikush po merret seriozisht me këtë histori. Kemi vepruar shpejt dhe i kemi neutralizuar të gjitha rastet, por duhet parë më thellë se çfarë po ndodh me zjarret. Unë nuk përjashtoj asgjë”, tha Ndreu.
Kur u pyet nga A2 CNN nëse këto zjarre kanë të bëjnë me konfliktet për pronat ose ndërtimin e resorteve të reja, Pjerin Ndreu u përgjigj: “Nuk ka lidhje fare. Këtu nuk ka leje resortesh fare dhe asnjëlloj konflikti pronësie”.