13.5 C
Tirana
03 / 03 / 2024

Përfundon samiti, “detyrat” e BE-së për Ballkanin Perëndimor

Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sanksionet ndaj Rusisë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë, përballja me pasojat e këtij agresioni dhe ardhmëria evropiane e Ballkanit Perëndimor, ishin çështjet kryesore të diskutimeve në takimin ndërmjet udhëheqësve të gjashtë vendeve të rajonit dhe Bashkimit Evropian që u mbajt të mërkurën në Bruksel.

Zyrtarët e lartë evropian thanë se temat kryesore të diskutimit ishin thellimi i angazhimit politik me Ballkanin Perëndimor, afrimi me BE-në dhe avancimi i integrimit gradual, ndërtimi i bazës ekonomike për të ardhmen, zbutja e ndikimit të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës dhe përforcimi i sigurisë dhe ndërtimi i qëndrueshmërisë.

Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ishte një prej çështjeve kryesore të diskutimeve, meqë ato vlerësohen thelbësore për qëndrueshmërinë e rajonit.

Në takim u miratua një deklaratë e përbashkët në të cilën theksohet se mbështetja e përpjekjeve të përfaqësuesit të lartë të BE-së dhe përfaqësuesit të posaçëm për bisedimet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, dhe pritjet për “angazhim konstruktiv të palëve për të arritur përparim të shpejtë në normalizimin e marrëdhënieve që është thelbësore për sigurinë dhe qëndrueshmërinë e gjithë rajonit dhe për të siguruar përparimin e të dyja palëve në rrugëtimin e tyre përkatës evropian”.

Më tej u bëhet thirrje të dyja palëve që në tërësi të zbatojnë marrëveshjen e arritur më herët gjatë këtij viti në Bruksel dhe në Ohër si dhe të gjitha marrëveshjet nga e kaluara, “pa asnjë vonesë të re dhe pa parakushte”.

Në tekstin e deklaratës theksohet thirrja për uljen e tensioneve në veri të Kosovës në përputhje me kërkesat e BE-së dhe “të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe të pa bashkërenduara që mund të çojnë në tensione të reja dhe dhunë, si dhe të përmbahen nga retorika e cila nuk është në përputhje me normalizimin e marrëdhënieve.

Shefat e Komisioneve parlamentare të 12 vendeve evropiane i kërkojnë BE-së heqjen e masave kufizuese ndaj Kosovës
Shefat e komisioneve parlamentare për marrëdhënie ndërkombëtare të 12 vendeve evropiane, nëpërmjet një deklarate të përbashkët i bënë thirrje Bashkimit Evropian që të heq masat kufizuese ndaj Kosovës dhe të hetohet sulmi ndaj policisë së Kosovës në veri, me 24 shtator.

Deklarata e nënshkruar nga shefat e komisioneve të Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Italisë, Lituanisë, Letonisë, Estonisë, Kroacisë, Çekisë, Irlandës, Belgjikës, Bullgarisë dhe Danimarkës, u publikua në prag të takimit ndërmjet BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në deklaratë thuhet se bojkotimi i zgjedhjeve komunale të 23 prillit me organizimin e Listës Serbe, sulmi ndaj KFOR-it më 29 maj, ndalimi i paligjshëm i zyrtarëve policorë të Kosovës nga autoritetet serbe më 14 qershor, dhe sulmi në Banjskë më 24 shtator, zbulojnë një skemë agresioni që ka për synim dëmtimin dhe destabilizimin e Kosovës.

“Është jetike që komuniteti ndërkombëtar të refuzojë irredentizmin dhe agresionin dhe të riafirmojë mbështetjen për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës”, thuhet në deklaratë në të cilën theksohet se sulmi ndaj policisë së Kosovës nga tridhjetë persona të armatosur rëndë në Banjskë të Zveçanit, të udhëhequr nga ish nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiç, më 24 shtator paraqet një përshkallëzim të konsiderueshëm dhe situata mund të ishte shndërruar në një përshkallëzim më të gjerë, po të mos ishte profesionalizmi dhe guximi i Policisë së Kosovës.

“Sasia dhe lloji i armatimit të konfiskuar pas sulmit ngre pyetje serioze se çfarë roli mund të ketë pasur shteti serb në mbështetjen e operacionit”, thuhet në deklaratë, në të cilën u kërkohet Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar që të kryejnë një hetim të plotë mbi sulmin në Banjskë dhe të zotohen për publikimin e rezultateve të hetimit.

Verën e këtij viti Bashkimi Evropian vendosi masa kufizuese ndaj Kosovës për shkak të tensioneve në veri që pasuan zbatimin e rezultateve të zgjedhjeve lokale që u bojkotuan nga partitë serbe.

Duke theksuar rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve fqinjësore, deklarata bën thirrje për zgjidhjeve të qëndrueshme të mosmarrëveshjeve dypalëshe dhe çështjeve të rrënjosura në trashëgiminë e së shkuarës. BE-ja bën thirrje gjithashtu për garantimin e të drejtave dhe trajtimin e barabartë të pjesëtarëve të pakicave.

Në deklaratë thuhet se qëndrimi përkrah BE-së është një shenjë e qartë e orientimit strategjik të partnerëve, tani më shumë se kurrë, në dritën e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës dhe sfidave të tjera të sigurisë.

BE-ja, thuhet më tej, do të vazhdojë të investojë në multilateralizëm dhe do të bashkëpunojë me partnerët për të mbrojtur dhe mbështetur rendin ndërkombëtar.

“Një vizion i përbashkët i së ardhmes përfshin vlera dhe përgjegjësi të përbashkëta. Ndërsa thellojmë bashkëpunimin tonë me partnerët, ne i nxisim ata të bëjnë përparim të shpejtë dhe të qëndrueshëm drejt përafrimit të plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së, duke përfshirë masat kufizuese të BE-së dhe të veprojnë në përputhje me rrethanat. Ne përgëzojmë ata partnerë të Ballkanit Perëndimor që tashmë po demonstrojnë angazhimin e tyre strategjik duke u përafruar plotësisht me politikën e Jashtme të BE-së dhe inkurajojmë ata që nuk e kanë bërë ende këtë të ndjekin këtë shembull”, thuhet deklaratë, në të cilën kërkohet përmirësimi i zbatimit të masave kufizuese dhe parandalimi i anashkalimit të tyre.

Serbia është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk u është bashkuar sanksioneve kundër Rusisë, në radhë të parë për shkak të mbështetjes së Kremlinit ndaj pretendimeve të Beogradit mbi Kosovën.

Në deklaratë theksohet angazhimi i BE-së për të zbutur ndikimin agresionit të Rusisë kundër Ukrainës te vendet e Ballkanit Perëndimor.

Duke theksuar se mjedisi gjeo-strategjik gjithnjë e më i ndërlikuar, i dominuar nga agresioni rus në Ukrainë dhe prekur rëndë nga kriza në Lindjen e Mesme, vazhdon të rrezikojë sigurinë evropiane dhe globale, deklarata nënvizon rëndësinë e unitetit brenda familjes evropiane dhe partneritetit strategjik midis BE-së dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor.

“BE-ja rikonfirmon angazhimin e plotë dhe të qartë ndaj perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe bën thirrje për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit, bazuar në reformat e besueshme dhe parimin e meritave, që është interes i ndërsjellë. Zgjerimi është një investim gjeostrategjik për paqen, sigurinë, qëndrueshmërinë dhe përparimin”, thuhet në deklaratë.

Takimi i sotëm në Bruksel mes udhëheqësve të vendeve anëtare dhe atyre të Ballkanit perëndimor, i paraprin, mbledhjes së nesërme të Këshillit Europian, ku tema e zgjerimit të BE-së do të jetë një ndër çështjet e rendit të ditës

Shqipëria, është në pritje të nisjes së bisedimeve për grupkapitujt e parë. Në përfundimet e djeshme të ministrave të Jashtëm të BE-së, vlerësohet pozitivisht përparimi i bërë prej saj si dhe “përfundimi i suksesshëm” i procesit analitik të legjislacionit të vendit (screening), por pa caktuar një datë për hapin e radhës.

Në fakt procedurat nuk janë përmbyllur ende. Qëndrimi i Greqisë për çështjen e kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, nën akuzë për “korrupsion në zgjedhje”, vonoi letrën me të cilën vendet anëtare i kërkonin Shqipërisë paraqitjen e udhërrëfyesit për bisedimet mbi grupkapitujt e parë. Letra u firmos vetëm në fund të nëntorit.

Kryeministri Rama pritet që të dorëzojë sot udhërrëfyesin e përgatitur nga vendi i tij. Por ky dokument do të duhet t’i nështrohet vlerësimit të Komisionit europian, dhe vetëm më pas, i kalon vendeve anëtare, të cilat duhet të shprehen në unanimitet.

Greqia deri më tani e ka kushtëzuar qëndrimin e saj ndaj Shqipërisë, me lejimin e e zotit Beleri, për të bërë betimin si kryebashkiak. Gjykata e Posaçme vetëm dy ditë më parë e refuzoi këtë kërkesë të tij. Ndërsa kryeministri Rama e ka bërë të qartë mëse një herë se kjo është një çështje e Drejtesisë, ku qeveria nuk mund të ndërhyjë.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x