Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore njoftoi se ka përfunduar ndërhyrja konservuese/restauruese në pikturën murale të Kishës së T’Shëlbuemit në Rubik.
Falë programit të EU4Culture dhe punës së restauratores Edlira Çaushi dhe ekipit të saj, gjatë këtyre muajve u kryen punime konservuese/restauruese duke i dhënë një pamje tjetër të gjithë ambientit në pjesën lindore të kësaj kishe.
Specialistët e Sektorit të Veprave të Artit në IKTK mbikqyrën nga afër ecurinë e këtyre punimeve. Risi e ndërhyrjeve ishte zbulimi i fragmenteve të pikturës murale në faqet jugore dhe veriore duke plotësuar në mënyrë harmonike të gjithë bërthamën e kishës së vjetër.
Kisha e T’Shëlbuemit ose siç njihet ndryshe me emrin Kisha e Rubikut, është një ndër ikonat e krishtërimit shqiptar.
Manastiri mesjetar benediktin është i pozicionuar në një vend të favorshëm, në një truall të dukshëm shkëmbor të një kthese natyrore të lumit Fan, mbi qytetin e Rubikut.
Historiografia ka njohur abacinë e T‘Shëlbuemit si dhe kishën famullitare me të njëjtin emër. Dikur françeskane, në qytetin e Rubikut dhe në rrethin e Lezhës si dhe historikisht pjesë e kësaj dioqeze, sot përfshihet në peshkopatën më të re atë të Rreshenit.
Kisha e T‘Shëlbuemit qysh prej vitit 1166 e deri në vitin 1972, përmendet plot 34 herë. Kisha aktuale e Shpëtimtarit është njënefshe dhe fryt i disa fazave radikale të rindërtimit dhe restaurimit.
Që nga fundi i shekullit XIX deri në vitet e para të këtij mijëvjeçari ndërhyrjet i kanë ndryshuar plotësisht pamjen origjinale ndërtesës.
- “Lavatriçja e korrupsionit”, Flamur Noka sulmon Grida Dumën pas intervistës me Karçanajn - 16/05/2026
- Integrimi në BE, Berisha: Shqipëria nuk i plotëson kriteret. Jemi vend shumë i rrezikshëm - 16/05/2026
- KiE aprovon modelin e Italisë për emigrantët, Meloni: “Gjadri” merr mbështetjen e 46 vendeve - 16/05/2026