17.5 C
Tirana
27 / 07 / 2024

Perëndimi nuk e ndal dot programin bërthamor të Iranit: Zgjidhja e vetme, rrëzimi i regjimit

Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), inspektorati bërthamor i OKB-së, Rafael Grossi deklaroi më 7 shtator se Irani zotëron tashmë mjaftueshëm uranium të pasuruar për të prodhuar bombën bërthamore. Ai theksoi se IAEA nuk mund të konfirmojë më se Republika Islamike ka një program bërthamor paqësor siç ka pretenduar gjithmonë.

Kjo sepse agjencia nuk ka mundësi të inspektojë siç duhet bazat ushtarake në Iran. Republika Islamike mund të ketë treguar fleksibilitet në lidhje me disa nga kërkesat e saj gjatë negociatave për të ripërtëritjen e paktit mbi programin bërthamor të vitit 2015 me fuqitë botërore, e arritur midis Iranit dhe P5+1 (SHBA, MB, Kina, Rusia, Franca dhe Gjermania.

Për shembull, ajo nuk këmbëngul më që Perëndimi të heqë Gardën Revolucionare nga lista e organizatave terroriste. Ndërkohë Teherani e ka bërë të qartë se nëse fuqitë perëndimore nuk heqin të gjitha sanksionet ekonomike, regjimi do të shtojë rezervat e tij të uraniumit dhe nivelin e tyre të pasurimit, si dhe do të kufizojë qasjen e IAEA-së në impiantet e saj.

Bisedimet për ripërtëritjen e marrëveshjes së vitit 2015 kanë vazhduar për 16 muaj. Diplomacia evropiane e ka zgjidhur shumicën e mosmarrëveshjeve midis palëve, por mbeten ende disa pika kyçe. Prej 20 vjetësh, synimi i Republikës Islamike për të qenë një fuqi bërthamore, dhe përplasja e tij me Perëndimin për këtë dhe çështje të tjera, kanë qenë aq të kushtueshme dhe të dëmshme për interesat kombëtare, saqë ka nxitur revoltën e simpatizantëve të regjimit.

Disa prej tyre po pyesin, ndoshta me vonesë, se përse vendi ka nevojë për një program bërthamor paqësor, kur ka Diell në 300 ditë të vitit. Pse ky shtet ka shpenzuar deri tani miliarda dollarë për të prodhuar energji në centralin atomik Bushehr (në Gjirin Persik), kur ai prodhon më pak se 2 për qind të gjithë energjisë elektrike të prodhuar në Iran.

Termocentrali bërthamor ka pasur një rënie të prodhimit për të katërtin vit radhazi, dhe po zhytet gjithnjë e më shumë në borxhe. Megjithatë, zyrtarët iranianë thonë se duan të ndërtojnë më shumë termocentrale bërthamore.

Kreu i Organizatës së Energjisë Atomike të Iranit, Muhammad Islami, ka deklaruar se vendi nuk ka pasur “probleme me financimin” e ndërtimit të tyre, edhe pse shteti mezi po i paguan rusët (për karburantin e tyre) në Bushehr, dhe e bën këtë jo në para por përmes shkëmbimeve të naftës dhe gazit.

Një Perëndim mosbesues

Zyrtarët iranianë këmbëngulin se ky program bërthamor do të sjellë përparime në fushën e mjekësisë, farmaceutikës dhe bujqësisë. Është e vështirë të besohen pretendimet e Teheranit në kushtet kur regjimi ka lënë pas dore sistemin e kujdesit shëndetësor apo bujqësinë.

Përveç kësaj, që të lulëzojë, asnjë nga këto sektorë nuk kërkon pasurimin e uraniumit në nivelet 60 dhe 90 për qind. Udhëheqësi Suprem i vendit, Ali Khamenei, firmosi dikur një dekret fetar që ndalonte armët bërthamore, të cilin zyrtarët iranianë vazhdojnë ta citojnë si provë se Irani nuk ka aspak synim prodhimin e bombës.

Megjithatë, Perëndimi mbetet skeptik. Të tjerë në mesin e elitës iraniane, kanë pozicione më të dykuptimta, apo citojnë justifikime për armët bërthamore. Disa prej tyre kanë thënë se armët bërthamore nuk duhet të “dejonizohen”, nëse ato mund të përmirësojnë mbrojtjen strategjike dhe mbijetesën e Republikës Islamike.

Një ish-deputet i njohur, Ali Mottahari, ka guxuar të thotë se që në fillim të këtij programi, “qëllimi ynë ishte të ndërtonim një bombë”. Ata që mbrojnë prodhimin e bombës janë elementët më represivë të regjimit. Njëri prej tyre është veterani i Gardës dhe deputeti aktual Ismail Kowsari, që dikur ka qenë aktiv në shtypjen e protestave në rrugë.

Kohët e fundit ai ka deklaruar se “ne mund ta kthejmë pasurimin në nivelin 60 për qind, në pasurim në nivelin 93 për qind, pra një bombë bërthamore”. Një tjetër figurë e njohur është Amir’ali Hajizadeh, kreu i divizionit të hapësirës ajrore të Gardës Revolucionare, që dyshohet se ka urdhëruar rrëzimin e një avioni pasagjerësh në Teheran në vitin 2020. Njësia e tij po zhvillon raketa me rreze të gjatë veprimi, të afta të lëshojnë bomba bërthamore.

Regjimi nuk ka asnjë shqetësim për vdekjen e iranianëve

Disa analistë thonë se nuk ka ndonjë arsye reale për t’u alarmuar, pasi regjimi ndoshta mund të mos përdorë armën bërthamore. Por ata duket se e harrojnë faktin, se ata që mbështetin prodhimin e bombës, janë të njëjtët që shtypin me dhunë protestat e qytetarëve, dhe që i kanë rrënuar vendet e rajonit duke nxitur konflikte përmes milicive të tyre.

Republika Islamike është shumë pranë një konflikti. Në testamentin e tij, gjenerali i ndjerë i Gardës Revolucionare, Qasem Suleimani, e përshkroi Iranin si “bastion i Huseinit”, duke

iu referuar nipit të Profetit Muhamed, një figurë e nderuar nga shiitët. Rënia e tij, sugjeron teksti, do ta kërcënonte vetë fenë islame. Njerëzit që drejtojnë programin bërthamor dhe nuk kanë asnjë shqetësim për dërgimin e iranianëve drejt vdekjes. Madje këtë e quajnë martirizim.

Zgjidhja e vetme është ndryshimi i regjimit

Udhëheqësit perëndimorë e dinë shumë mirë se një tjetër marrëveshje me këtë regjim, vetëm sa mund ta ngadalësojë përparimin e tij bërthamor. Me përkushtimin e tyre të palëkundur ndaj bisedimeve diplomatike dhe sanksioneve ekonomike, ata vetëm sa po e shtyjnë në kohë përballjen me Republikën Islamike.

Ndoshta disa politikanë perëndimorë besojnë ose shpresojnë se deri atëherë iranianët do

ta kenë rrëzuar regjimin. Irani mund të jetë afër një konflikti, edhe pse shtrirja e tij është e pasigurt. Ish-kryeministri izraelit, Ehud Barak, ka shkruar së fundmi në një artikull për revistën “Time”, se tashmë është tepër vonë për të ndalur programin bërthamor të regjimit iranian.

Tani zgjidhja e vetme, thotë ai, është ndryshimi i regjimit. Kjo është pikërisht ajo që trashëgimtari i supozuar i Iranit, Reza Pahlavi, u ka thënë prej vitesh fuqive perëndimore. Por pa asnjë dobi. “Opsioni i tretë”, ndaj një lufte shkatërruese apo pasjes së një qëndrimi pajtues me një regjim diktatorial, ka thënë ai, është mbështetja e opozitës së miliona iranianëve ndaj një elite të korruptuar./ Përktheu: abcnews.al

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x