Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në një shtëpi të moshuarve në Pejë.
Në pamjet e publikuara në rrjetet sociale, shihet se si disa punonjëse shtëpisë së të moshuarve “Orenda” kanë sulmuar fizikisht një grua të moshuar, ndërsa njëra prej tyre e ka qëlluar me shpulla e shqelma. Koleget e tyre “shkrihen së qeshuri” nga kjo mizori e as nuk e marrin mundimin që ta ndalojnë, por e filmojnë.
“Pak jam tu ja hi qysh di me sill unë, pak jam tu ja hi”, dëgjohet duke thënë infermierja.
Për pasojë është bërë arrestimi i vajzës që ka dhunuar të renë si edhe vajzën që ka bërë videon.
Vajza e së moshuarës, e cila është keqtrajtuar nga punëtoret e Qendrës për të Moshuar në Pejë është shprehur e tronditur për rastin. Ajo ka treguar se është e tmerruar dhe në një gjendje jo të mirë emocionale.
Telefonin e saj e ka kapur pas pak çasteve bashkëshorti, i cili ka thënë se me të marrë informatën ka lajmëruar policinë në rajonin e Gjakovës.
“E kam lajmëruar policinë e Gjakovës, siç duket e kanë arrestuar, të shohim tash kush është ajo, pse është përdorur ajo dhunë”, ka thënë dhëndri i së moshuarës për RTV Dukagjini.
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas publikimit të një videoje që shfaq dhunën që ushtron një infermiere ndaj një të moshuare në Pejë.
“Me shqetësim kemi parë të gjithë pamjet e keqtrajtimit të një gruaje të moshuar nga një grup vajzash, në një shtëpi të përkujdesjes së të moshuarve në Pejë. Nga Policia e Kosovës jam njoftuar që deri më tani janë arrestuar dy nga dhunueset dhe hetimet po vazhdojnë. Fuqishëm bëj thirrje për sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave të implikuar në këtë akt çnjerëzor”, ka shkruar Sveçla.