11.5 C
Tirana
16 / 01 / 2026

Pas letër-porosisë amerikane, SPAK “rëndon” Metën, dyshime për 280 mijë dollarë të tjerë

SPAK ka shtuar “arsenalin” e dyshimeve të ngritura ndaj ish-Presidentit të Republikës, Ilir Meta, pasi mori në dorë një letër-porosi të mbërritur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pas materialit të administruar në tetor të vitit të shkuar, Struktura e Posaçme pretendon të ketë zbuluar një shumë të re prej gati 280 mijë dollarësh amerikanë, të përfituara në mënyrë të paligjshme dhe që lidhen me ish-Presidentin nën akuzë për 3 vepra penale.

Shifra është pohuar si argument për të mos e liruar Metën nga burgu, në seancën gjyqësore të 5 janarit në Gjykatën e Posaçme, në të cilën, Meta dështoi të ndryshonte masën e sigurisë. Referuar vendimit gjyqësor, të siguruar nga A2 CNN, prokurorët e SPAK kanë pohuar se së fundmi është konstatuar një shumë e përfituar nga lobimi.

Bëhet fjalë për kontratën e konsulencës me kompaninë GSIS, që i shtohet shumës fillestare për të cilën ishte ngritura akuza. Sipas SPAK, shumës prej afro 246 mijë dollarë për të cilat akuzohej Meta në një marrëdhënie të dyshuar korrupsioni, i është shtuar edhe shuma e re.

“I është shtuar dhe shuma 279.783 dollarë nga lobimi, e cila është jo vetëm përfitim i paligjshëm, por edhe mënyra e transferimit përbën një shifër të konsiderueshme, sa i përket aspektit të pastrimit të produkteve penale për të pandehurin Ilir Metaj”, citohej pretendimi i SPAK në vendimin e gjykatës.

Në një reagim të bërë pak ditë më parë në lidhje me lobimet, Meta tha se nuk ekzistonte asnjë provë që të ketë shkelur ligjin shqiptar apo atë amerikan, e as të kishte dijeni se dikush tjetër po shkelte ligjin për llogari të LSI. Sipas Metës, letër-porositë e dërguara kanë synuar jo zbulimin e së vërtetës, por mjegullimin dhe fshehjen e të vërtetave.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x