12.5 C
Tirana
30 / 04 / 2026

Partia është e imja, topin e gjuaj vetë!

Nga Roland Lami

“Na lini të kandidojmë”, thonë disa te dera e PD-së; disa të tjerë me email; të tjerë me avokat.
— S’dua, ore, pikë!
“Si s’dua?”
— Është partia ime dhe këtu rregullat i vendos vetë. Pse nuk bëni një parti tuajën, meqë mendoni se keni aftësi lidershipi?

“Pse nuk e hap garën që të ripërtërihet lidershipi me votë dhe të krijohet një strukturë e re drejtuese?”
— S’dua, ore! S’ma ka qejfi të lëviz asgjë. Me këta që kam merrem vesh me shenja, jo më me fjalë.

“Pse nuk e hap partinë që të vijnë edhe të pakënaqurit dhe kritikët, që të zgjerojmë bazën votuese të PD-së?”
— S’dua. Kaq sa kam më mjaftojnë, për sa kohë nuk ka parti tjetër rivale në kampin opozitar. Ju pse nuk i merrni këta, meqë qenkan më shumë se demokratët në numër?

“Pse nuk respekton statutin që e ke shkruar vetë? Kështu humb kredon morale kur akuzon Ramën për autokrat.”
— S’dua ta respektoj. Kush do të më detyrojë këtu brenda PD-së? Edhe Rama të njëjtën gjë bën. Punë e madhe nëse ikin votuesit e moderuar. 20% votues fanatikë, që e shohin botën me sytë e mi, më mjaftojnë. Të tjerët, duke parë se s’kanë alternativë më të mirë, do të vijnë këtu, siç kanë ardhur edhe herë të tjera.

“Po kështu si jemi, nuk do vijmë ndonjëherë në pushtet. Shumë demokratë vazhdojnë të jenë pa punë.”
— Punë e madhe! Unë vetë jam mirë. Edhe këta që kam afër nuk janë keq. Nuk jetohet keq në opozitë. Janë kavalierë këta të Rilindjes; ndryshe do ankoheshin edhe këta që kam brenda, si ju.

“Po sondazhet thonë se janë më shumë të gatshëm të votojnë një parti të re sesa PD në të djathtë.”
— E pastaj? Ke parë ti ndonjë lëvizje serioze të së djathtës që të dojë t’i përfaqësojë këta? Të gjithë mendjen e kanë si të futen në PD, jo si ta rivalizojnë atë.

“Të lutem, na prano ta reformojmë PD-në. Kemi ide brilante, konservatore, të krahasueshme me laburistët apo republikanët.”
— Jo, ore! Do të na fusësh kalin e Trojës brenda, duke na ofruar ide që këta që janë brenda as nuk i kuptojnë, jo më t’i artikulojnë. Ata janë për veprim; idetë i kam vetë. Ju, meqë keni ide brilante, futini në programin e partisë suaj.

“Liroje godinën, se do na detyrosh të vijmë ta marrim, siç ia more Lulit me forcë.”
— Unë jua mora me njerëz, jo me forcë. Për sa kohë vazhdoni të besoni se njerëzit grumbullohen duke qenë brenda godinës dhe jo jashtë saj, mua s’më shqetëson asgjë. Të njëjtin iluzion pati edhe Luli: e blindoi godinën, duke menduar se do të blindonte edhe mbështetësit. E patë vetë si i ikën.

“Pse nuk i le rivalët të garojnë me ty, të paktën sa për dukje?”
— Unë s’dua të bëj sikur. Nuk e kam bllokimin e garës nga frika e tyre—ata vetë e dinë si del rezultati me mua. E kam si test për këta që kam brenda: nëse dikush ka ndonjë mëdyshje apo ide si ju, të kuptojë qartë se e kujt është partia dhe kush i vendos rregullat.

“Po na detyron të formojmë parti tjetër.”
— Ha-ha! Për sa kohë rrini te dera e PD-së dhe besoni se pa logon e saj nuk ka të ardhme, jeni të mbaruar.

Historia 35-vjeçare më ka mësuar se politika është numër. Ju, për sa kohë merreni me godinën dhe logon, dhe jo me numrat, nuk jeni kafshë politike. Ndaj, unë fle i qetë.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x