Botohet Mesazhi i Leonit XIV për Ditën e pestë Botërore të Gjyshërve dhe të Moshuarve, që kremtohet më 27 korrik. Papa u bën thirrje kishave në territor dhe institucioneve kishtare të nisin “revolucionin e kujdesit”, duke vizituar dhe duke u marrë me të moshuarit, të cilët, nga ana e tyre, janë të thirrur të “dëshmojnë shpresën”
Në Mesazhin e tij për Ditën e pestë Botërore të Gjyshërve dhe të Moshuarve, që do të kremtohet më 27 korrik, Papa Leoni XIV i beson Kishës në territor detyrën e kryerjes së një akti, i cili, në kohët që po kalojmë, mund të duket subversiv dhe jo aktual, pasi të moshuarit, shpesh, “mënjanohen” e “harrohen”.
Të moshuarit na bëjnë të takojmë Krishtin
Por, t’i duash ata, t’u qëndrosh pranë dhe t’i vizitosh janë gjeste, që kanë vlerë lirimi e shëlbimi, si për ata që i vizitojnë, ashtu edhe për ata që vizitohen, pohon Papa Leoni XIV në Mesazhin e tij.
“Të vizitosh një të moshuar është mënyrë për të takuar Jezusin, i cili na liron nga indiferenca dhe vetmia”, shkruan Ati i Shenjtë. Që këtej, thirrja e Papës për “revolucionin e kujdesit”, arsyeja bazë edhe për themelimin e Ditës Botërore të Gjyshërve dhe të Moshuarve, e cila, sipas ndjetit të Papës Françesku, i cili e deshi me forcë në vitin 2021, duhet të shërbejë pikërisht si mundësi për të “takuar ata, që ndihen të vetmuar”.
Të moshuarit, protagonistë të shëlbimit
Logjika e Zotit në Bibël është krejtësisht kundër mënjanimit dhe harrimit të të moshuarve në shoqëri. “Shkrimi i Shenjtë”, kujton Leoni XIV, “paraqet disa raste burrash dhe grash tashmë të shtyrë në moshë, të cilët Zoti i përfshin në planin e tij të shëlbimit”. Abrahami dhe Sara, Zakaria dhe Elizabeta, Nikodemi e, madje, edhe Moisiu, “i thirrur për të çliruar popullin e tij kur ishte tetëdhjetë vjeç”, janë të gjithë njerëz, që duket sikur nuk e shikojnë më të ardhmen me shpresë e, megjithatë, Zoti e mendon ndryshe, sepse, shpjegon Papa, “në sytë e tij, pleqëria është kohë bekimi e hiri dhe të moshuarit, për të, janë dëshmitarët e parë të shpresës”.
Brishtësia dhe mungesa e përvojës
Një shpresë, nga e cila brezat e rinj mund të përfitojnë për të ndërtuar shtëpinë e tyre të ardhshme mbi shkëmb të fortë:
“Nëse është e vërtetë që brishtësia e të moshuarve kërkon energjinë e të rinjve, është po aq e vërtetë që mungesa e përvojës së të rinjve kërkon dëshminë e të moshuarve për të planifikuar me urti të ardhmen”, vëren Ati i Shenjtë në mesazh.
Të thirrur për të dashur ende
Të moshuarit, thekson Papa, nuk janë vetëm ata, që marrin dashuri dhe kujdes nga të tjerët. Asnjë pjesë e jetës njerëzore, sado e brishtë të bëhet me kalimin e viteve, nuk përjashtohet nga detyra për të shprehur dashuri. “Ta lëvdojmë gjithmonë Zotin për mirësinë e tij”, nxit Leoni XIV në fund të tekstit. “Të kultivojmë bashkimin me të afërmit tanë, t’ua hapim zemrat më të largtëve dhe, në veçanti, nevojtarëve. Kështu, do të jemi shenja shprese, në çdo moshë”.