Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, e ftuar në emisionin “Real Story”, komentoi paketën e re fiskale, e cila parashikon një sërë lehtësirash për qytetarët, duke theksuar se fokusi i qeverisë do të jetë te familjet, te të rinjtë dhe shtresat me të ardhura më të ulëta.
Ibrahimaj u shpreh se qeveria ka vendosur të bëjë një rishpërndarje të të ardhurave, me qëllim lehtësimin e kostove të jetesës dhe përballimin e rritjes së çmimeve.
Më tej, Ibrahimaj argumentoi se situata aktuale ekonomike dhe fiskale e vendit krijon mundësi për ndërmarrjen e politikave më të guximshme sociale. Sipas saj, Shqipëria ka shënuar rritje ekonomike, ulje të papunësisë, rritje të punësimit dhe të të ardhurave buxhetore, ndërsa borxhi publik ka ardhur në reduktim.
“Me fokus te njerëzit, te familjet, te të rinjtë, me fokus te ata që kanë më pak të ardhura dhe më pak mundësi që të përballojnë qoftë rritjet e çmimeve, kostot e jetës, ndaj dhe ne vendosëm që të bëjmë një kthesë, një rishpërndarje të të ardhurave.
Prej disa vitesh tashmë të ardhurat kanë qenë në një trajektore pozitive. Jemi munduar në shumë vite të rrisim pagat, por gjithmonë jemi atakuar që, po, vërtetë që pagat janë rritur, por ndërkohë edhe rritja e çmimeve është rritur. Dhe është e vërtetë. Politikat fiskale janë një nga instrumentet kryesore që ne kemi me qëllim që të bëjmë të mundur që ato çmime të ulen.
Nuk kemi qenë në asnjë prej rasteve të mëparshme në situatën ekonomike që jemi sot. Shqipëria vinte nga një destabilitet fiskal, ndërkohë që prej katër vitesh jemi në një situatë të qëndrueshme, ku rritja ekonomike ka qenë nga 3.5-4%, ku papunësia ka ardhur në rënie, punësimi ka ardhur në rritje, të ardhurat e mbledhura nga buxheti i shtetit kanë ardhur në rritje, kemi pasur një borxh në reduktim, të gjithë tregues këta të një stabiliteti ekonomik dhe fiskal.
Të gjithë treguesit, qoftë treguesit tanë, por edhe ata ndërkombëtarë, e vlerësojnë Shqipërinë me performancë pozitive dhe një parashikim pozitiv. Kjo na jep mundësinë që në këtë moment ne të bëjmë disa politika që janë më të guximshme, me qëllim që ta shtyjmë trajektoren drejt një politike fiskale më sociale, më socialiste.”, tha ajo.
- Erion Veliaj reagon me letër nga Burgu i Fierit: Ja tre kërkesat që më solli Toni Gogu! - 02/11/2026
- Paketa fiskale, Ibrahimaj: Kthesë në rishpërndarjen e të ardhurave, fokusi te familjet dhe shtresat në nevojë - 02/11/2026
- Çfarë ndodh me dashurinë, artin dhe lirinë kur historia bëhet aq e fuqishme sa të pushtojë çdo skutë të jetës? - 02/11/2026