Në faqet e numrit 16 të revistës së famshme “Albania” (15–30 korrik 1898), heroi i mendimit kritik shqiptar, polemisti Faik Konica, lëshonte një thirrje që tingëllon po aq e dhimbshme sa edhe aktuale:
“Mjerimi i shqiptarëve në tërë kohrat ka qenë të kapej pas individëve dhe jo pas ideve… Historia e Shqipërisë është e mbushur fund e krye me prova të tilla të përngjashme.”
Duke dashur të shërbejë si zëri i ndërgjegjes kombëtare dhe kambanë zgjimi për një shoqëri që po lindte nga hiri i perandorive, Konica shtonte pa dorashka:
“Të përpiqemi me gjithë forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individin. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë, jo t’i bëjnë qejfin këtij apo atij shqiptari.”
Sot, plot 128 vjet pas atyre rreshtave, pyetja se sa aktual mbetet këtë mesazh na vë përballë një pasqyre të papërsosur. Sindroma e liderizmit të verbër, militantizmit fisnor e partiak dhe e nënshtrimit ndaj figurave, e jo parimeve apo institucioneve, vijon të mbetet një nga pengesat më të mëdha të pjekurisë sonë qytetare dhe demokratike. Konica e kishte diagnostikuar këtë “sëmundje kronike” të karakterit shqiptar, prirjen për t’u lidhur pas emrit të një prijësi, bajraktari, kapedani apo kryepari, duke sakrifikuar të vërtetën dhe interesin e përgjithshëm për hir të interesave të ngushta apo klienteliste. Për Konicën, atdhedashuria nuk ishte një spektakël adhurimi ndaj idhujve të radhës, por një detyrim moral ndaj idesë së shtetit dhe kombit.
Ky vizion kristalor i Konicës nuk ishte një rastësi, por fryt i platformës intelektuale që ai ndërtoi përmes revistës “Albania”. E themeluar më 25 mars 1897 dhe e drejtuar prej tij me pseudonimin e njohur Trhank Spirobeg, kjo revistë e përmuajshme politike, kulturore dhe letrare u shndërrua në tribunën më të rëndësishme të mendimit të atdhetarëve përparimtarë jashtë vendit.
Në faqet e saj, ndërmjet Brukselit (ku u botua deri më 1901) dhe Londrës (ku vazhdoi nga viti 1902 deri në vitin 1909), u bashkuan penat më të ndritura të Rilindjes dhe kulturës shqiptare, si Filip Shiroka, Luigj Gurakuqi, Andon Zako Çajupi, Hilë Mosi apo Fan Noli. Përveç shqipes, revista u botua pjesërisht edhe në frëngjisht e turqisht, duke shërbyer si dritare ndërkombëtare për çështjen shqiptare dhe duke trajtuar me armën e shkencës, historisë, gjuhësisë dhe folklorit integritetin dhe identitetin e një kombi që kërkonte vendin e tij në hartën e Evropës.
Zëri i Konicës mbetet sot amaneti më i mprehtë, se Shqipëria shërohet vetëm kur interesi i saj vendoset mbi çdo idhull të përkohshëm.
- Porosia e kahershme dhe aktuale e Faik Konicës: Shqiptarët duhet të mësojnë të duan Shqipërinë - 29/10/2026
- Ish-ministri kërkon pafajësinë, Gjykata e Lartë cakton 10 dhjetorin për shqyrtimin e çështjes së Saimir Tahirit - 29/10/2026
- Sondazhet alarmuese/ Zgjedhjet e mesmandatit në SHBA, ekspertët: Testi më i rrezikshëm i Donald Trump, ja çfarë pritet të ndodhë! - 29/10/2026