Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish mbi çështjen e pagave të magjistratëve në Shqipëri, i nxitur nga një deklaratë e gjyqtarit Engert Pëllumbi. Ky i fundit gjatë një interviste televizive, tha se “për rritjen e pagave janë aq para sa GJKKO i konfiskon çdo vit krimit të organizuar”.
Kreu i qeverisë e ka cilësuar këtë deklaratë si një hata për nga padituria mbi funksionimin e shtetit. Rama thotë se gjyqtarët nuk mund të pretendojnë se paratë e konfiskuara prej tyre u takojnë për rritjen e pagave.
“Jo, kurrë nuk mund të flasë një gjykatës kështu! Historia e botës s’e ka parë që gjykatësit të thonë do t’i marrim paratë vetë nga thesari i shtetit se janë tonat dhe kjo “i kemi mbledhur vetë” është një hata më vete për nga shkalla rrëqethëse e paditurisë mbi funksionimin e shtetit.
Le ta imagjinojmë sikur të çohen doganierët e tatimorët, policët e inspektorët dhe të thonë duam paratë që i kemi mbledhur vetë në thesarin e shtetit nga taksat e nga gjobat! Çfarë mbetet pastaj për mësuesit, mjekët, ushtarakët e plot e plot të tjerë që shërbejnë mijëra detyra të shtetit, për të cilat paguhen nga thesari?
Dhe sikur kjo rritje e kërkuar pa ligj të pranohet si fakt i kryer, i bie që krahasimisht me mësuesin, mjekun, ushtarakun, një gjyqtar fillestar të marrë 3.8 herë më shumë ose një pagë 280% më të lartë. Të tjerët më lart nuk i merrni dot as me mend se sa më shumë”, tha Rama.
Magjistratëve të Shqipërisë si dhe gjithë punonjësve të administratës nuk u janë kaluar rrogat e muajit gusht me vendim të qeverisë. Shkak është bërë rritja që gjyqtarët e prokurorët vendosën vetë, pasi Kuvendi nuk iu përgjigj në kohë vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Situata ka përshkallëzuar me dërgimin në SPAK nga ana e magjistratëve të Ministrit të Financave, Petrit Malaj, Sekretarit të Përgjithshëm Gentian Keli dhe 14 drejtuesit e Thesarit në rrethe. Lëvizja e radhës e magjistratëve për zgjidhjen e ngërçit, ishte kërkesa për ndihmë “brenda radhëve” duke e çuar çështjen në Gjykatën Administrative.
Administrativja doli një ditë më vonë me vendim ku udhëroi qeverinë dhe Thesarin e Shtetit të kalonin pagat në llogaritë e çdo punonjësi të drejtësisë. Mirëpo, qeveria përsëri ka refuzuar t’i përgjigjet me veprim duke dhënë si zgjidhje të vetëm, votimin e ligjit të ri për pagat në Kuvend në seancën e 17 shtatorit.
Kujtojmë se më 17 shkurt të këtij viti, Gjykata Kushtetuese ka pranuar kërkesën e Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë, që kundërshtonte ligjin për pagat e magjistratëve dhe ka shpallur antikushtetuese disa dispozita të këtij ligji të miratuar në vitin 2023, i cili ndryshonte formulën e përllogaritjes së pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Me ndryshimet ligjore të vitit 2023 paga e gjyqtarëve llogaritej sa 0.36 e pagës së presidentit të Republikës. Kushtetuesja tha se kjo ishte një ulje e fshehtë dhe antiligjore ndërsa i la detyrë Parlamentit të ndërhynte për të rregulluar hapësirën ligjore. I vetmi veprim që u ndërmor ishte depozitimi në Kuvend i propozimit të një formule të re që e rriste pagën nga 0.36% sa ajo e presidentit në 0.38%.
Në mungesë të ndërhyrjes së Kuvendit, KLGJ dhe KLP vendosën të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese duke rritur pagën referuese të magjistratëve nga 156 mijë e 800 në 222 mijë e 425 lekë, si dhe duke ruajtur shtesën prej 14 mijë lekësh për nivelin e kualifikimit.