30.1 C
Tirana
08 / 09 / 2026

Në qytetin e poetëve: NDOC GJETJA – NDERA DHE MARRA E LEZHËS…

Reportazh

Nga Luan Rama

Krejt pavetëdijshëm, gjithherë kur marr udhë për në Lezhë, më pushton një ndjesi e habitshme. Miklohem prej idesë për t’u ndjerë e për t’u shfaqur pak poet. Ndoshta sepse, ndryshe nga shumë qytete të tjera, Lezha nuk është një qytet që vetëm vizitohet. Është një qytet që, për ta kuptuar, duhet edhe ta lexosh.

Ndryshe, më duket se nuk arrin ta rrokësh të gjithë përmasën e mozaikut magjepsës që ajo mbart dhe përfaqëson.

Historia e Lezhës është impresionuese. Mbi të gjitha, sepse është histori qytetërimi.

Në më shumë se 2400 vjet, Lezha nuk ka qenë vetëm një qytet, por edhe një urë strategjike mes perandorive dhe qytetërimeve të mëdha të historisë.

Tirani i fuqishëm i Sirakuzës, Dionisi, nuk erdhi rastësisht në këtë qytet. Historianët na mësojnë se kontrolli i rrugëve detare dhe aleanca ushtarake me ilirët, ishin motivet e mëdha që e shtynë në këto anë të Adriatikut.

Nuk e di sa “ciceronët” apo “udhërrëfyesit” ia dalin ta përcjellin vërtetësisht dhe tërësisht Lezhën kur rrëfejnë për të. Por mendoj se është e rëndësishme që ajo të vendoset në një hapësirë shumë më të gjerë se konteksti lokal e kombëtar. Lezha qëndron natyrshëm në hapësirën historike dhe kulturore të gjithë Adriatikut, më e pakta.

Por Lezha ka qenë po aq edhe një skenë e madhe ku është përcaktuar vetë fati i kombit shqiptar.

Ajo është qendra e bashkimit.

Gjergj Kastrioti Skënderbeu nuk e zgjodhi rastësisht për të mbledhur aty princërit dhe fisnikët shqiptarë, të ndarë e shpesh në armiqësi me njëri-tjetrin.

Prandaj Lezha është Qyteti i Kuvendit. Qyteti i Besëlidhjes.

Nuk po synoj aspak të shkruaj historinë e Lezhës. Nuk do të mundja, edhe po të doja. Thjesht po risjell në vëmendje disa kulme e referenca, për të kuptuar madhështinë e këtij qyteti. Sepse madhështia e një qyteti nuk ka të bëjë me shtrirjen, sipërfaqen, numrin e banorëve, kullat e larta apo pallatet që duket sikur nuk mbarojnë kurrë.

Madhështia matet me atë çfarë një qytet ka krijuar, me kujtesën që ka lënë pas, me njerëzit që ka rritur dhe me atë çfarë ka mundur t’i japë botës përtej kufijve të vet.

Në këtë kuptim, Lezha është një qytet me madhështi.

LEZHA E DO LIBRIN…

Nuk është një frazë gazete. As ndonjë konstatim burokratik i mbështetur në ftohtësinë e statistikave. Me gjasë, nuk besoj se sot ka ndonjë studim që të na tregojë sa e si lexohet libri apo çfarë librash lexohen.

Është një ndjesi e imja që ka një bazë.

Kam parë shumë veprimtari publike që organizohen për libra të botuar. Më i fundit qe recitali me poezinë e Preç Zogajt. Por edhe veprimtaritë e shumta të Klubit të Letrave “Ndoc Gjetja” janë një tjetër dëshmi. Siç janë edhe shumë botime me autorë lezhjanë dhe veprimtari kushtuar atyre. E, më shumë akoma, këtë ma dëshmojnë respekti dhe dashuria me të cilat Lezha i pret shkrimtarët — të gjithë, jo vetëm ata të saj.

Këtë klimë nuk e gjen lehtë gjetiu.

Ramadan Hasanaj, njëri prej miqve më të veçantë që më ka “dhënë” Lezha, është i pari që më lajmëron sa herë që në qytet organizohet ndonjë veprimtari për librin. Dhe ai gjithmonë më cyt me lexu e me shkru, sidomos për poetët e Lezhës.

Të flasësh me Ramadanin për letërsinë dhe shkrimtarët lezhjanë është një befasi e bukur. Jo vetëm sepse i ka njohur nga afër dhe është mik i tyre, por edhe sepse, pavarësisht se nuk e shfaq, është njohës shumë i mirë i krijimtarisë së tyre.

Zakonisht, më shumë flasim për Dolfin. Sepse kemi të njëjtën dobësi për krijimtarinë e poetit Rudolf Marku, lezhjanit avangardist në kohën kur “gardistët” të merrnin përpara me gjithë libra e të telendisnin këndeve të fletërrufeve.

— Njashtu siç ka poezinë, ka kenë Dolfi, mor burrë i dheut, qysh në rini t’vet — më thotë Ramadani, kur unë insistoj të mësoj ndonjë detaj përtej asaj që di apo që kam lexuar për poetin, emrin e të cilit e kam dëgjuar për herë të parë kur ai ishte mësues në shkollën e Zejmenit.

Mandej, ka qenë viti 1984 kur e kam takuar për herë të parë në Gjirokastër, në një konkurs kombëtar të recituesve të poezisë. Unë përfaqësoja si gjimnazist rrethin e Mirditës, ndërsa Dolfi përfaqësonte Lezhën me recituesit e zgjedhur nga shkollat e mesme të saj.

Dhe kështu, nga Dolfi te të tjerët — Ndoc Gjetja, Preçi, Agim Isaku, Vera e ndjerë, Shpresa Kapisyzi, pedagogia ime poete — biseda me Ramadanin gjithmonë përfundon te poetët e Lezhës.

Emra që ai i sjell njëri pas tjetrit, me kujdesin e një njeriu që nuk po të tregon thjesht për njerëz që ka njohur, por për një pjesë të shpirtit të qytetit të vet.

Edhe një fakt tjetër.

Ramadan Hasanaj, shumë vite më parë, në rininë e vet, ka shërbyer edhe si drejtor i shpërndarjes së librit për gjithë rrethin e Lezhës. Ai e kujton me mburrje se, në atë periudhë, Lezha ishte ndër 3-4 rrethet më të dalluara të vendit për numrin e lexuesve.

Ky është një detaj që nuk mund të mos të bëjë përshtypje. Sepse na ndihmon të kuptojmë më mirë madhështinë e një qyteti të vogël, kultura e të cilit i jep tjetër vlerë vetë qytetit dhe qytetarisë së banorëve të tij.

QYTETI I POETËVE

Ky emërtim nuk është vetëm një metaforë. Është veçantia e Lezhës. Edhe privilegji i saj. Është emri që ia dha fama e plejadës së poetëve që Lezha i dha letërsisë dhe kulturës sonë kombëtare.

Lezha nuk e ka krijuar traditën e saj poetike brenda një dite, as brenda një dekade.

Përpara poetëve që do ta bënin më vonë të njohur si “Qyteti i Poetëve”, në këtë trevë kishin lënë gjurmë shkrimtarë, dijetarë e poetë që e kishin ushqyer prej kohësh kulturën e fjalës.

Marin Barleti, me penën e tij që do ta përcillte Lezhën e Besëlidhjes në kujtesën e historisë; Pjetër Zarishi, një nga zërat e hershëm të poezisë së Rilindjes; Leonardo de Martino, që për dekada shërbeu në Lezhë dhe e bëri këtë qytet pjesë të jetës e të krijimtarisë së tij; Ali Ulqinaku, që këtu shkroi e botoi vargjet e veta…

Dhe, në këtë vazhdë, Fishta, i lidhur pazgjidhshmërisht me Lezhën e Zadrimën, me njerëzit, gjuhën dhe shpirtin e kësaj treve, të cilat do ta ushqenin veprën ku ai do t’i përjetësonte.

Mbi këtë traditë e pasuri, emrat e poetëve që do t’i jepnin Lezhës emërtimin “Qyteti i Poetëve” u bënë jo vetëm pasardhës të denjë të asaj plejade, por edhe krijuesit e një tradite moderne, të një mënyre poetike që do të veçohej për nervin qytetar, frymën antikonformiste dhe atë mënyrë tjetër të të shkruarit që binte në sy në poezinë shqiptare të kohës.

Nuk ishte një shkollë në kuptimin klasik të fjalës. Nuk ishte as një rrymë e shpallur me ndonjë manifest.

Emri lindi vetvetiu, fillimisht si një shpoti ndaj dukurisë që po ravijëzohej në “provincë”, e jo në Tiranën ku, sipas logjikës zyrtare a burokratike të kohës, duhej të bëhej letërsia e madhe.

Por me kohë, ai fitoi peshë dhe qytetari nga zërat e veçantë të poetëve të saj. Ata u imponuan. Dhe “Qyteti i Poetëve” mbeti si emërtim i një veçantie të dallueshme të poezisë që u shkrua aty.

Por, përveç poezisë, poetët e “Qytetit të Poetëve” kishin edhe një cilësi tjetër, ndoshta jo aq të pranishme ndër poetë e krijues përgjithësisht: miqësinë dhe dashamirësinë mes tyre.

Unë mendoj se pa këtë marrëdhënie mes tyre, nuk do t’ia kishin dalë të bëheshin “Shkolla Poetike e Lezhës” dhe as ta bënin Lezhën Qytetin e Poetëve.

Mbase sepse nuk do t’i pranonte vetë qyteti. Si mund të ndihej krenar një qytet me poetët e vet, po të mësonte se ata intrigonin, ziheshin e nuk flisnin me njëri-tjetrin?

Ndoshta dëshmitarja më e besueshme e kësaj miqësie poetësh është vetë poezia.

A nuk u bë poezia edhe pagëzuesja e emrit tjetër të qytetit?

Më 27 maj 1972, Rudolf Marku, vetëm njëzet vjeç, i kushtoi poetit Ndoc Gjetja poezinë “N.GJ.”. Të dy sapo kishin nisur të botonin në shtypin shqiptar.

“Kaloj përditë pranë heshtjes së tij” — thotë poeti për poetin.

Për Rudolf Markun, Ndoc Gjetja ishte dhe mbeti një poet i shquar për ngrohtësinë e fjalës së sinqertë, natyrshmërinë dhe shpirtësinë poetike.

Në këto fjalë ka vlerësim, nderim, mirënjohje. Por edhe diçka nga ajo miqësi e vjetër, e lindur mes ëndrrës, poezisë dhe përjetimeve të përbashkëta.

Ndoc Gjetja, Rudolf Marku, Preç Zogaj, Agim Isaku, Shpresa Kapisyzi, Vera Isaku vijnë veç e veç e të gjithë bashkë me Lezhën si poetët e saj. Ata “krijojnë” Qytetin e Poetëve.

Kur flas për poetët e Lezhës, nuk kam parasysh domosdoshmërisht poetët e lindur në Lezhë. Por edhe ata që Lezha i bëri të vetët. Sepse edhe ata i dhanë Lezhës poezinë e tyre.

Pakkush e di që Vera dhe Agim Isaku nuk janë nga Lezha. Sepse kaq fort u lidhën me të, sa vendlindja duket sikur mbetet diku larg, përtej poezisë së tyre. Ata u bënë banorë të Qytetit të Poetëve, jo vetëm me poezinë e tyre, ashtu siç janë edhe sot banorë të atij qyteti poetë të tjerë që Lezha i ka bërë të vetët, edhe pse nuk kanë lindur në Lezhë.

Lezha është ndër pak qytete në botë që identifikohen me emërtimin Qyteti i Poetëve. Shirazi, qyteti i Hafezit dhe Saadiut, është prej shekujsh një nga qytetet e mëdha të poezisë perse, aq sa emri i tij duket sikur vjen i mbështjellë me aromën e trëndafilave dhe tingujt e rimave poetike. Dublini, qyteti i Yeats-it dhe i një plejade të tërë shkrimtarësh e poetësh, e ka kthyer letërsinë në pjesë të identitetit të vet. Ndërsa Granada, e lidhur përjetësisht me Federico García Lorcën, e mban në kujtesën e saj poetin e lindur në tokën e Granadës, atë që e bëri peizazhin andaluzian të jetojë edhe përmes poezisë.

Këto qytete nuk i kanë poetët e tyre vetëm në libra. I mbajnë në sheshe, në rrugë, në parqe, në emra dhe në kujtesën e përditshme të qytetarëve. Sepse kur një poet i fal qytetit emrin dhe shpirtin e vet, vargu i tij bëhet zëri i përjetshëm i qytetit.

Ndoshta ky është edhe detyrimi më i bukur që ka një qytet ndaj poetëve të vet: të mos i lërë të mbeten vetëm kujtim, por t’i bëjë pjesë të peizazhit të tij, pjesë të shpirtit të tij, pjesë të identitetit të tij.

NDOC GJETJA –

NDERA QË I BËN NDER LEZHËS…

Shkova këto ditë në Lezhë për t’u “përshëndetur” me Ndoc Gjetjen, poetin që ia pat shkruar epitafin vetes që në gjallje.

Sepse ai vetë, dikur, më kishte thënë se “me trup banon në Lezhë e me mendjen ndër yje”.

E kërkova gjithkund Ndoc Gjetjen nëpër Lezhë, nga një shesh në tjetrin e nëpër ato pak lulishte që nuk ia kanë marrë ende qytetit, por nuk e hasa askund.

Në Pogradec, sa herë shkoj, çmallem me Lasgushin. Edhe me Mitrush Kutelin. I gjej gjithmonë aty, në lulishten që sheh nga liqeri.

Edhe në Vajzën e Labërisë së Vlorës, me shpinën mbështetur mbi mal, e gjej gjithmonë Ali Asllanin, kushtrimtarin që thërret: “Vlora – Vlora”.

Në Librazhd gjithmonë ndaloj për të nderuar poetët Vilson Blloshmi dhe Genc Leka. Qyteti i ka në zemrën e vet, edhe pse Librazhdi nuk quhet “Qyteti i Poetëve”.

Në Lezhë, Ndoc Gjetja nuk është!

Si nuk janë kujtuar të paktën për një bust të tij? Më e mira do të ishte një shtatore. Do ta hijeshonte qytetin, por edhe vizitorëve do t’u jepte një adresë që do t’i lidhte me emërtimin e qytetit.

Shtatorja e Poetit në Qytetin e Poetëve.

Si mund të bëhej më bukur?

Do të ishte një përligjje e emrit. Edhe e dashurisë. Edhe e nderimit.

Ndoc Gjetja është “Nderi i Lezhës”.

Jo vetëm prej një vendimi krejt të merituar të Këshillit të Bashkisë. Është më shumë prej faktit se ai e deshi Lezhën aq sa iu dha me gjithë qenien dhe shpirtin e tij.

Iu dha me ëndrrat, shpresat, besimin, punën dhe jetën.

Iu dha me poezinë.

Dhe iu bë emër qytetit.

Ndera e tij e nderon Lezhën.

Mu për këtë arsye shkova në Lezhë. Dhe, teksa e kërkoja Ndoc Gjetjen nëpër qytet, një pyetje më ndiqte hap pas hapi, si një mendim që nuk të lë të qetë:

Çfarë i detyrohet një qytet poetit që i dha kaq shumë?

Pesëdhjetë e ca vjet më parë, Rudolf Marku i shkruante Ndoc Gjetjes:

“Të tjerët mburren se e kanë parë diellin në ëndërr gjatë natës.

Në një kohë tjetër, që e quajmë — dikur,

do të përulen përpara tavolinës së tij

ata që bënë zhurmë dhe nuk ëndërruan kurrë!…”

Pesëdhjetë e ca vjet më parë…

Dhe, megjithatë, të duket sikur ato vargje Rudolf Marku t’i ka shkruar sot.

Sikur “dikur”-i i tij të ketë ardhur. Sikur pyetja që ai la pezull në vargje të jetë ende duke pritur një përgjigje nga qyteti.

Mungesa e vëmendjes është vrasëse.

Jo për emrin e poetit.

Për kujtesën e qytetit.

Mosmirënjohja është marre.

Jo për poetin.

Për qytetin.

Qyteti i Poetëve është ende në kohë ta shpëtojë faqen e vet prej marres faqe botës.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x