26.3 C
Tirana
10 / 06 / 2026

Nuk mjafton të jesh kundër. Duhet të dish edhe për çfarë je pro

Nga Ardi Stefa

Protestat e këtyre ditëve kanë sjellë një energji që Shqipëria nuk e kishte parë prej 35 vitesh.

Në sheshe janë mbledhur njerëz të ndryshëm, me bindje të ndryshme, me ideologji e histori të ndryshme, por të bashkuar nga pakënaqësia ndaj një sistemi që e shohin si të padrejtë.

Kjo është një gjë e mirë. Çdo demokraci ka nevojë për qytetarë që reagojnë.

Por protestat, ashtu si zemërimi, kanë një kufi. Dhe kur vjen ai çast shtrohet pyetja: “Po mirë, kundër kujt jemi?”
Dhe menjëherë pyetja tjetër më e rëndësishme: “Jemi pro kujt e për çfarë?”

Sot dëgjojmë shumë thirrje kundër qeverisë, kundër opozitës, kundër korrupsionit, kundër oligarkëve, kundër elitave politike. Shumica e tyre janë legjitime. Por kur e gjithë energjia e një lëvizjeje përqendrohet vetëm tek kundërshtimi, protesta rrezikon të shndërrohet në një depozitë pakënaqësish ku secili sjell zemërimin e vet, por askush nuk ofron një zgjidhje.

Është e lehtë të jesh kundër korrupsionit. Kundër padrejtësive. Kundër arrogancës së pushtetit. Kundër klasës politike që ka zhgënjyer për vite me radhë. Por demokracitë nuk ndërtohen vetëm mbi mohimin. Ato ndërtohen mbi alternativa.

Nëse protesta mbetet vetëm një revoltë kundër gjithçkaje, rrezikon të shndërrohet në një shpërthim emocional që konsumohet shpejt.

Nëse, siç ka filluar këto ditë, arrin të artikulojë qartë se çfarë kërkon, çfarë modeli qeverisjeje dëshiron, çfarë reformash propozon dhe cilat vlera mbron, atëherë mund të kthehet në një forcë reale ndryshimi.

Shqipëria ka nevojë për njerëz që nuk janë thjesht kundër Ramës apo kundër Berishës.

Ka nevojë për qytetarë që janë pro shtetit ligjor. Pro meritokracisë. Pro pronës private. Pro institucioneve që funksionojnë. Pro konkurrencës së ndershme. Pro demokracisë së brendshme në parti. Pro llogaridhënies. Pro transparencës e zhvillimit.

Prandaj çështjet që protestuesit duhet ë ngrenë, jo si pyetje retorike nuk janë vetëm: “Kush duhet të largohet?”, por edhe: “Çfarë duhet të vijë në vend të tij?”

A jemi pro një shteti që respekton pronën private? A jemi pro institucioneve që nuk kontrollohen nga një njeri i vetëm? A jemi pro meritokracisë në administratë? A jemi pro transparencës në investimet publike? A jemi pro kufizimit të pushtetit të kryeministrit, kujtdo që të jetë ai? A jemi pro demokracisë së brendshme në parti?

Këto janë pyetje shumë më të vështira sesa të brohorasësh kundër dikujt. Por vetëm ato mund të prodhojnë ndryshim të qëndrueshëm.

Lëvizjet që bashkohen vetëm nga urrejtja ndaj dikujt apo diçkaje rrallë prodhojnë diçka më të mirë. Ato që bashkohen rreth një ideje, një vizioni dhe një projekti për të ardhmen, kanë mundësi të ndryshojnë realitetin.

Prandaj sfida e protestuesve nuk është vetëm të tregojnë se çfarë refuzojnë, por të tregojnë se çfarë duan të ndërtojnë.

E ardhmja nuk fitohet duke qenë vetëm kundër dikujt. E ardhmja fitohet kur ke guximin të jesh pro diçkaje.

Demokracia nuk ndërtohet vetëm duke rrëzuar. Demokracia ndërtohet duke krijuar!

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x