4.5 C
Tirana
15 / 03 / 2026

“Njihuni me ligjin”, Rama përgjigje gazetarëve: Ndërtimet pa leje konfiskohen/ Open Ballkan? Janë të lirë të ndryshojnë mendim… Unë nuk merrem me thashetheme!

–  Zoti Kryeministër, pse disa ndërtime pa leje ose në shkelje të lejes si Prestige Resort shemben dhe disa të tjera të ndërtuara në mes të Tiranës legalizohen nëse deklarohen të konfiskuara? A po përdor qeveria dy standarde?

Kryeministri Edi Rama: Zonjë, është mirë që kur diskutojmë për çështje që lidhen me ligjin, të njihemi me ligjin, të njihemi me procedurat, t’i mësojmë mirë ato për të mos bërë spekulime dhe pastaj për të mos ngritur akuza mbi bazë gjysmë të vërtetash. Lexoni ligjin, ligji është shumë i qartë. Masat për ndërtimet që bëhen në shkelje të lejeve të ndërtimit për qëllim fitimi, janë shumë të qarta në ligj dhe janë të përshkallëzuara në ligj. Ka konfiskim, ka shembje, ka masa pjesore në varësi nga niveli i shkeljes e kështu me radhë. Kështu që, edhe një herë do t’ju lutesha shumë, të lexoni ligjin me shumë vëmendje dhe të mos nxirrni konkluzione të bazuara në premisa të gabuara.

– Disa ditë më parë Parlamenti Europian ka miratuar një rezolutë, po citoj: “Shprehim rezerva të forta për çdo iniciativë rajonale të bashkëpunimit ekonomik që nuk përfshin 6 vendet e Ballkanit Perëndimor dhe që nuk është e bazuar në rregullat e BE siç është nisma Open Balkan”. Pyetja ime është, ndërsa në Malin e Zi janë bërë edhe protesta së fundmi ndaj kësaj nisme, do të vazhdojë qeveria shqiptare të insistojë në këtë nismë për të cilën me sa duket ka rezerva edhe Parlamenti Europian?

Kryeministri Edi Rama: E para, ajo nuk është një rezolutë e Parlamentit Europian. E dyta, “Open Ballkan” ose Ballkani i Hapur ka marrë miratimin e më shumë se 60% të shqiptarëve, të qytetarëve shqiptarë të konsultuar gjatë Këshillimit Kombëtar. E treta, Ballkani i Hapur është një nisëm në përputhje të plotë, 100 % me frymën dhe germën e BE-së dhe nga ana tjetër është pjellë e Procesit të Berlinit. Mjafton të marrim në konsideratë faktin që në Procesin e Berlinit të ristartuar kemi firmosur ekzaktësisht ato dokumente që ishin më parë firmosur në Ballkanin e Hapur. Kështu që, ne nuk kemi asnjë arsye të ndryshojmë opinion mbi Ballkanin e Hapur. Mbase ata, që janë kundër Ballkanit të Hapur, kanë arsye të ndryshojnë opinionin, por është e drejta e tyre të kenë një opinion të ndryshëm nga ky i yni.

– Zoti Kryeministër, cila është e vërteta juaj referuar disa akuzave që i janë drejtuar kreut të Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla si person që ka kontaktuar me eksponentë të krimit të në Elbasan referuar edhe faktit që një vendim gjyqësor në Elbasan konfirmon që ai ka qenë në një kohë nën përgjim për efekt të këtyre elementeve kriminalë?

Kryeministri Edi Rama: Si mund të ketë një të vërtetë tjetër përveç asaj që bazohet në fakte? Unë i besoj fakteve dhe nuk merrem me llafe, me thashetheme, me spekulime dhe mbi të gjitha unë i ruhem shumë edhe gjysmë të vërtetave sepse ato janë edhe gënjeshtrat më të mëdha.

Nëse ka fakte, është detyra e akuzuesve që të sjellin fakte për ata që akuzojnë, që në kohën e Romes. Këtu ka ndryshuar komplet trendi i civilizimit, por kjo nuk më detyron mua të hyj në këtë trend të ndryshuar sepse unë besoj që ka shumë gjuhë sot në Shqipëri që punojnë për gënjeshtrën. Unë modestish i jam vënë në dispozicion vetëm të vërtetës dhe kuptohet, s’ka një të vërtetë absolute, por asaj të vërtete që unë besoj se është e vërteta e bazuar në fakte. Kaq! Për të marrë nëpër gojë njerëz e për të zhgërryer figura njerëzish e për të baltosur emra njerëzish e për ta katandisur në pamjen virtuale këtë vend sikur është një kënetë ku të gjithë janë të zhgërryer e të ngjyer, ka boll që e bëjnë këtë punë. Unë nuk jam pjesë e kësaj kategorie.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x