18.5 C
Tirana
27 / 07 / 2024

Një perspektivë mbi sfidat sektoriale në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë

Nga Besnik Baka

Procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian shtrirë përgjatë një tranzicioni 30 vjeçar, ka rezultuar mjaft kompleks për nga përmbajtja e dinamikat e njëkohësisht aspak konkret e i prekshëm në kohë, për publikun e gjerë. Ndër vite, politika në tërësi dhe qeveritë në veçanti, me zgjuarsi dhe shumë këmbëngulje e kanë përshkruar këtë afrim të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian si një proçes të mbushur me keqkuptime dhe zhgënjime nga të dyja palët: nga njëra anë Komisioni Evropian që nuk ka mundur të sigurojë një dakortësi apo konsensus parimor mbi integrimin e Shqipërisë mes shteteve anëtare të Unionit, dhe në anën tjetër qeveritë shqiptare që nuk kanë mundur të përmbushin detyrimet që rrjedhin nga ky proces, në kuadër të avancimit të reformave në fushat kyçe si zbatimi i ligjit, drejtësia, të drejtat e njeriut deri tek zhvillimi i sektorëve kyç si edukimi, shëndetësia, punësimi, bujqësia etj.

Organizimi i Konferencës së parë Ndërqeveritare dhe marrja e statutit kandidat i Shqipërisë, së bashku me Maqedoninë e Veriut, përbën një gur themeli të rëndësishëm në vazhdimësinë e këtij rrugëtimi të gjatë drejt BE-së, e tani më shumë se kurrë na nevojitet një kuptueshmëri më e mirë e asaj çka vjen prapa. Ajo që na ka munguar është një trajtim teknik dhe një analizë e mirëfilltë sektoriale mbi kapacitetet, mundësitë dhe synimet reale të Shqipërisë për të qenë anëtare e unionit, në përpjekje për ta zhveshur debatin nga kontekstet politike dhe konsumin e tij mediatik për qëllime të momentit.

Procesi i integrimit të Shqipërisë në familjen e madhe evropiane në periudhën e fundit është përshkruar si një proces kryesisht politik e fluid ndaj aleancave dhe interesave gjeo-politike midis vendeve anëtare dhe atyre të rajonit. Vonesa e çeljes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut – që më së shumti duhet parë si një moment simbolik në arritjen e qëllimit final atë të anëtarësimit në BE – u trajtua dhe u perceptua gjerësisht si një padrejtësi, pasojë e mungesës së konsensusit brenda bllokut të shteteve të mëdha apo edhe atyre të vogla, duke penguar rrugën e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Debati publik mbi integrimin u thjeshtëzua me qëllim konsumin lokal me idenë se BE-ja nuk do që të hapet, shoqëruar me artikulimin e humbjes së interesit në procesin e integrimit apo edhe duke kritikuar BE-në për zgjedhje të gabuara. Gjerësisht iu mëshua debateve dhe divergjencave të vendeve anëtare të BE-së për të gjetur një konsensus në vendimin në bllok se sa në faktin se si Shqipëria po përmbush detyrimet e saj specifike karshi BE-së në raport me forcimin e shtetit ligjor dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve. Aq u trajtua mediatikisht e politikisht ky moment, sa për një kohë të gjatë la në hije debatin e vërtetë mbi sfidat reale sektoriale të Shqipërisë në këtë proces, që merr rëndësi më shumë se kurrë pas çeljes së negociatave për anëtarësim.

Pavarësisht çka ndodhi, procesi i inegrimit vazhdon, dhe mbetet tërësisht teknik duke u varur plotësisht nga aftësitë tona transformuese të kapaciteteve njerëzore dhe institucionale, të cilat synojnë zhvillimin e standardeve dhe vlerave evropiane në çdo fushë. Sado diskursi politik në vend, por edhe më gjerë, mund t’i largohet apo qëllimisht mos t’i referohet një qasjeje të strukturuar të proceseve integruese të vendit, realiteti nuk ndryshon: integrimi evropian përparon vetëm nëse përmbushen kushtet thelbesore të anëtarësimit, përcaktuar më së miri në nivelin politik, legjislativ, social dhe ekonomik.

Kriteret e Kopenhagenit u zhvilluan dhe prezantuan qysh në vitin 1993 pikërisht për t’i mundësuar vendeve aspirante një koncept të qartë të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian. Për t’u bërë pjesë e Procesit të Stabilizim Asocimit, në thelb u kërkua që shteti të ketë institucione që dëshmojnë një qeverisje demokratike, e cila respekton të drejtat e njeriut; gëzon një ekonomi funksionale dhe konkurruese, si dhe pranon detyrimet ndaj Bashkimit Evropian. Kapitujt në kuadër të kritereve kornizë të BE-së (Acquis communitaire) u prezantuan për të mundësuar një pamje të qartë jo vetëm të përshtatjes së legjislacionit vendas me atë të BE-së në letër, por rrjedhimisht edhe zbatimin e tij në praktikë. Të 35 kapitujt e Acquis, përbëjnë në vetvete një udhërrefyes për secilën fushë duke nisur nga të drejtat e njeriut e sigurinë tek lëvizja e lirë e mallrave, e punëtorëve, politikat sociale, energjia, taksimi, transporti publik, peshkimin, pronën intelektuale, sigurinë ushqimore etj.. Këta kapituj janë shembulli më i mirë se procesi i integrimit Evropian tashmë nuk ka të bëjë aq shumë me vizionin apo qasjen pro-europiane në konferencat e larta ndër-qeveritare, se sa me angazhimin konkret dhe aftësinë e institucioneve e strukturave qëndrore apo lokale në zbatimin e këtij acquis-i, dhe njëherazi rezultate drejt një qeverisjeje demokratike, transparente e të përgjegjegjshme. Aty mbulohen qartë konceptet bazë të rregullimit të nevojshëm të të gjithë sektorëve kyç të një vendi, bazuar në modelin dhe vlerat evropiane. Ky ‘puzzle’ i të gjitha proceseve integruese kërkon reforma të thella gjithëpërfshirëse administrative e institucionale, të cilat janë lehtësisht të matshme në kohë e në vend, çka mund të tregojë edhe ecurinë apo progresin real arritur në fushat specifike, e rrjedhimisht edhe sa afër realizimit të tyre final jemi.

Në mbështetje të këtyre përpjekjeve, si dhe për të udhëzuar e vlerësuar nivelin e dialogut dhe ritmin e përparimit të Ballkanit Perëndimor në proçeset integruese, u themelua në vitin 2014 ai që e njohim si Procesi i Berlinit. Gjashtë shtete anëtare të BE-së – Austria, Kroacia, Franca, Gjermania, Italia e Sllovenia vepruan si iniciatore ndërqeveritare të këtij procesi, me synime ambicioze dhe thelbësore për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Plan-veprimi i këtij procesi përmban një gamë të gjerë kriteresh për t’u përmbushur që i mundësojnë Komisionit Evropian të ofrojë asistencë dhe mbështetje të shtuar për vendet e rajonit ndër të tjera, por jo vetëm, në konsolidimin e financave publike, forcimin e rritjes ekonomike dhe punësimit të të rinjve si dhe rritjen e investimeve. Ndërkohë ky proces udhëzon shtetet palë në forum drejt rritjes së bashkëpunimit rajonal, zgjidhjes së çështjeve dypalëshe për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe stabilitetit, forcimit të qeverisjes së mirë, kryerjes së reformave që synojnë forcimin e pavarësisë së gjyqësorit, rritjes ekonomike ekonkurrencës, nxitjes e investimeve si dhe masa për sektorët e energjisë, transportit dhe teknologjisë digjitale në rajon. Më tej, të tjera nisma si Ballkani i Hapur paralelisht ose veçmas, kanë synuar të cojnë para këto procese duke forcuar bashkëpunimin rajonal për të nxitur zhvillimin ekonomik e politik mes vendeve të rajonit.

Të gjitha këto nisma kishin si qëllim të transformoheshin në strategji dhe politika afatgjata për arritjen e rezultateve të qëndrueshme në çdo sektor. Përveç se synojnë ndryshim drastik të praktikave e metodave aktuale, ato duhet të sigurojnë vazhdimësi dhe të thellohen, me synim themelimin dhe zbatimin e standardeve evropiane në çdo fushë: mirëqeverisjen, mbrojten e të drejtave e lirive themelore të njeriut, forcimin e shtetit ligjor e drejtësinë, luftën kundër korrupsionit etj. Në këtë konteskt, thelbësor është jo vetëm krijimi i këtyre praktikave dhe njohja e standardeve të reja për funksionimin e shtetit ligjor sipas një modeli të mirëpërcaktuar evropian, por edhe ruajtja dhe zhvillimi i mëtejshëm i tyre në kohë. Kjo do të reflektohej jo vetëm në mirëqeverisje, por edhe në përmirësimin e jetesës së komuniteteve lokale e shoqërinë shqiptare në tërësi, drejt një mendësie e një qasjeje perëndimore. Janë këto standarde të ndërtuara dhe pranuara ndërkombëtarisht të cilat qëndrojnë në bazë të vlerave evropiane që qytetarët e BE-së kanë përqafuar e që duhet të absorbohen edhe nga vendet kandidate, për t’u bërë pjesë e aleancës.

Teksa reformat e ndërmarra në Shqipëri në kuadër të përafrimit të legjislacionit dhe në veçanti të praktikës ligjore me ato të vendeve të BE-së, kanë rezultuar të ngadalta, vetë BE-ja vijon të jetë një entitet dinamik e në zhvillim të shpejtë në të gjitha sektorët e saj, çka reflekton edhe në proçesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Kjo kërkon rifreskimin e vazhdueshëm si të legjislacionit ashtu edhe të politikave në vend, për të ndjekur progresin dhe ritmin e vendeve të zhvilluara të BE-së.

Programet e ndryshme zhvillimore në mbështetje të proceseve integruese, dedikuar vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshi edhe Shqipërinë, synojnë pikërisht në përmirësimin e këtyre praktikave dhe aplikimin e metodologjive evropiane në sistemin vendas të qeverisjes dhe administrimit. Kjo pritet të arrihet efektivisht nëpërmjet asistencës teknike, rritjes së kapaciteteve humane si dhe mbështetjes institucionale. Në këtë kontekst, një rëndësi të veçantë marrin jo vetëm detyrimet që rrjedhin nga vet procesi i integrimit në BE, por edhe në kuadër të përgjegjësive që Shqipëria ka ndaj organizatave ndërkombëtare të tjera si Këshilli i Evropës e Kombet e Bashkuara, dhe në respektimin e marrëveshjeve ndërkombëtare ku aderon. Janë këto institucione dhe organizata ndërkombëtare të cilat ofrojnë një qasje të integruar dhe asistencë të bashkërenduar ndaj autoriteve dhe aktorëve vendas, në realizimin e objektivave kryesorë të procesit të integrimit.

Pavarësisht paqartësive të procesit dhe refuzimit fillestar që u anatemua nga elitat politike në vend, hapja e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian nën simbolikën e “hapjes së (munguar) shampanjës”, tregoi se BE ka ende interesa ta bëjë Shqipërine anëtare të saj. Tashmë progresi për të arritur gurin tjetër të themelit, mbetet përgjegjësi konkrete e të gjithë aktorëve vendas qofshin këta qeveritarë apo jo-qeveritarë, ku askush nuk mund të fshihet pas pretendimeve se BE-ja, apo ndonjë vend anëtar, po na vendos pengesa artificiale. Kujtojmë se, debati publik deri më tani, jo pa qëllim ishte orientuar drejt ‘krizave’ të shkaktuara nga mungesa e konsensusit të liderëve të vendeve anëtare të BE-së, siç ishte rasti i vetos Bullgare, apo një qasjeje të re e ndryshim të kursit të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, siç ishte rasti i propozimit të fundit nga Presidenti Macron. Çfarëdo qoftë, asgjë në thelb nuk ndryshon në këtë proces. Pavarësisht qasjes së re apo pengesave në dukje që mund të vijnë nga vendet e mundshme veto-vënëse, Shqipërisë i mbetet të përmbushë me rigorizitet të njëjtat detyrime në kuadër të bashkëpunimit me institucionet e BE-së dhe organizmat ndërkombëtare e të arrijë të njëjtat standarde në fushën e demokracisë, shtetit ligjor e mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

Si rrjedhojë, çështjet e integrimit në të ardhmen mbetet që t’i largohen debateve e deklaratave politike nga krerët e lartë të qeverisë të vendeve aspirante të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësusve e të lartë të BE-së, ku ripërsëritet i njëjti zhargon diplomatik e aspak konkret mbi anëtarësimin në BE në të ardhmen. Debati i vërtetë tashmë nevojitet të jetë në nivel institucional, ku ekspertët e fushave të flasin mbi sfidat konkrete e teknike të integrimit në çdo sektor, profesionistët me eksperiencë të ndajnë bashkë me akademikët e studiues përvojën e duhur ndërkombëtare. Kjo do të ndihmonte proçesin e integrimit në të gjitha sferat e tij: politike, sociale dhe ekonomike, duke ndjekur modelin e Bashkimit Evropian dhe respektuar vlerat që ai perfaqëson.

Thellësia e këtyre reformave të ndërmarra, përcakton edhe stadin ku ndodhemi: heqja dorë nga praktikat aktuale, përshtatja me metodologjitë e reja, dhe vazhdimësia për ta ruajtur e zhvilluar më tej. Në këtë kornizë nuk do të ishte e vështirë të flasim me indikatorë specifikë të zhvillimit për secilin sektor, duke na mundësuar edhe një panoramë më të qartë e të vërtetë të kursit të integrimit në secilën fushë. Ky lloj debati do të përmirësonte më tej kuptueshmërinë e publikut rreth proceseve integruese dhe progresin e tyre.

Në përfundim, qasja e proceseve integruese ka nevojë të përfshijë të gjitha nivelet e funksionimit të një shteti, ku secili aktor ka dhe merr përgjegjegjësitë e tij. Për këtë nevojitet dakortësia se integrimi nuk është më një debat që i përket ekskluzivisht zyrtarëve të lartë në Konferencat ndër-qeveritare, por një proces i mirë-strukturuar, ku autoritetet lokale e qëndrore tregojnë progres e rezultate të prekshme në të gjitha fushat zhvillimit, në përmbushje të reformave të ndërmarra.

Ky shkrim eshte pjese e serise se shkrimeve “Media dhe Integrimi Europian”, te Institutit Shqiptar te Medias, ne kuadrin e Programit te Promovimit te Tranzicionit te Republikes Ceke.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x