Ambasadori Guido De Sanctis, është emëruar nga sot në krye të zyrës së OSBE në vendin tonë. Njoftimi i rëndësishëm vjen nga vetë Prezenca e OSBE, teksa jepet dhe një biografi e shkurtër e diplomatit të lartë europian që vjen në Shqipëri.
“Jam i lumtur t’i bashkohem Prezencës në Shqipëri dhe të çoj përpara marrëdhëniet e shkëlqyera mes Prezencës dhe vendit pritës”, ka thënë ambasadori De Sanctis.
Ambasadori i ri është diplomat karriere i Ministrisë së Jashtme dhe të Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë. Përpara se të emërohej Kryetar i Prezencës, ai ka qenë zëvendësambasador në ambasadën e Italisë në Moskë.
Nga viti 2013 deri më 2017, ai shërbeu si ambasador i Italisë në Katar dhe nga viti 2011 deri më 2013, si konsull i përgjithshëm i Italisë në Benghazi të Libisë. Gjithashtu, ai ka shërbyer në ambasadat italiane në Tripoli, Bernë dhe Kiev.
Dy vitet e fundit këtë detyrë që e ka marrë nga sot, 1 dhjetor 2022, Guido De Sanctis e ka mbajtur ambasadori italian Vincenzo Del Monaco.
Misioni i Prezencës së OSBE është të ndihmojë Shqipërinë në zhvillimin e institucioneve efektive demokratike dhe të promovojë shtetin e së drejtës dhe të drejtat e njeriut në vend. Këtë e bën nëpërmjet një sërë iniciativash për reforma ligjore dhe administrative; aktivitete që synojnë luftimin e korrupsionit dhe trafikimit; dhe programe për zhvillimin e medias në vend, mbështetjen e shoqërisë civile dhe trajnimin e zyrtarëve të policisë dhe doganave.