Nga Luan Rama
Ja, ky urim më erdhi në mend në çastin e parë kur sapo lexova një urim të zotit President të Shqipërisë, sot në ditën e madhe të festës së pavarësisë.
Dhe, siç më erdhi në mend, urimin për zotin President të Shqipërise dhe një koment të shkurtër për të, po e ndaj me të gjithë ju që do të keni durimin t’i lexoni këto pak radhë deri në fund.
Sepse, i nderuari President i Shqipërisë na ka dërguar një urim sot nga “Sheshi historik i Vlorës”.
Po, po, nga “Sheshi historik i Vlorës”. Mirë e keni lexuar.
Sepse. kështu e ka shkruar edhe zoti President i Shqipërisë: “Nga Sheshi historik i Vlorës!”
Ju të gjithë e dini se që prej ditës kur patrioti i madh Ismail Qemal Vlora ngriti në atë shesh flamurin kombëtar dhe prej aty i shpalli gjithë botës mëvetësinë e Shqipërisë e deri sot, prej të gjithë shqiptarëve këtu në Shqipëri e përtej saj, në trojet shqiptare që rrethojnë Shqipërinë dhe në mbarë botën ku ka shqiptarë, njihet me emrin Sheshi i Flamurit.
Mirëpo, ja që zoti President i Shqipërisë ka mendjen e vet. Dhe në mendjen e tij kaq është; “Sheshi historik i Vlorës”.
Ndonjë prej jush mund të thotë po mirë mo, ç’punë prish se si e quan zoti President i Shqipërisë Sheshin e Flamurit. Në fund të fundit, si Sheshi i Flamurit, si “Sheshi historik i Vlorës” i njejti vend është.
I njejti vend është, dakord.
Por ai vend është vend i shenjtë për shqiptarët. Dhe shenjtëria e atij vendi e merr vlerën prej shenjtërisë së flamurit.
Flamuri i dha emrin dhe emri i flamurit e bën atë shesh sheshin historik të kombit. Ai nuk është “Sheshi historik i Vlorës” se Vlora ka shumë sheshe historikë.
Ai është Sheshi i Flamurit, është Sheshi i Kombit.
Askush, as zoti President i Shqipërisë nuk mund t’i referohet Sheshit të Flamurit si t’i vijë në mendje atij vetë, apo atyre që ia shkruajnë kumtet apo materialet që publikon.
Nëse ai nuk e di, nuk e di e s’kemi çfarë t’i bëjmë. Njeriu është aq sa di.
Ndaj për të mos u zgjatur më tej, po e mbyll me urimin që më erdhi në mend kur lexova se çfarë ka shkruar sot zoti President i Shqipërisë:
Të lumtë mendja more Presidenti ynë!
Qenke mendjehollë more Presidenti ynë!
Qënke mendjendritur more Presidenti ynë!
Lum ne për ty more Presidenti ynë!