27.5 C
Tirana
27 / 08 / 2026

“Nesër me vezë te selia e PS”, aktivistja thirrje qytetarëve për përshkallëzim të protestës

Një thirrje me tone të forta dhe agresive është bërë nga një prej aktivisteve të protestës, e cila u ka kërkuar qytetarëve të grumbullohen ditën e nesërme përpara selisë së Partisë Socialiste, në të njëjtën kohë kur aty pritet të zhvillohet një mbledhje e drejtuesve të kësaj force politike.

Aktivistja nuk është mjaftuar me një thirrje të zakonshme për protestë, por ka kërkuar që pjesëmarrësit të shkojnë të pajisur me vezë, duke sugjeruar një aksion simbolik kundër përfaqësuesve të mazhorancës.

“Nesër në orën 17:30 PS mblidhet te selia për mbledhje. Të shkojmë atje me vezë dhe të protestojmë e t’u tregojmë se nuk na përfaqësojnë”, deklaroi ajo.

Thirrja shënon një tjetër përshkallëzim të retorikës së përdorur nga një pjesë e organizatorëve dhe aktivistëve të protestës, të cilët nga tubimet përpara Kryeministrisë po tentojnë ta zhvendosin aksionin edhe drejt selisë së Partisë Socialiste.

Përdorimi i gjuhës konfrontuese dhe thirrja për të marrë me vete vezë e zhvendosin protestën nga një demonstrim politik tradicional drejt një forme më agresive të aksionit simbolik, duke ngritur pikëpyetje edhe për mënyrën se si po orientohet lëvizja.

Thirrja vjen në një moment kur protesta ka shfaqur edhe tensione të brendshme mes organizatorëve, ndërsa pjesëmarrja në disa prej tubimeve të fundit ka qenë në rënie.

Në vend të zgjerimit të mbështetjes qytetare, një pjesë e aktivistëve duket se po zgjedhin një retorikë gjithnjë e më të ashpër dhe aksione më konfrontuese, të cilat rrezikojnë ta ngushtojnë edhe më tej bazën e protestës dhe ta largojnë vëmendjen nga kërkesat politike drejt incidenteve dhe përplasjeve simbolike.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x