7.5 C
Tirana
14 / 02 / 2026

Nëse po kërkon një histori për familjen, me një heroinë frymëzuese dhe të fortë, atëherë ky libër është shkruar enkas për ty!

Alka Joshi – një vështrim artistik i kulturës indiane

Nga Taulant Hatia, përkthyesi i dy librave në shqip

Me një pasuri të madhe hollësish e shijesh, romani “Artistja e kënasë”, botuar në shqip nga Shtëpia Botuese Mediaprint, është një dritare e mrekullueshme e kulturës indiane në vitet 1950, ku mbetjet e kolonizimit britanik dhe kultura perëndimore gërshetohen me traditat e lashta dhe jetesën orientale. Në faqet e romanit, Alka Joshi eksploron marrëdhëniet e ndërlikuara mes grave në Indi, duke ofruar një hyrje të mirë për sistemin e kastave që i ndan dhe i përcakton njerëzit në shtresa të caktuara, të gjitha këto duke i shtjelluar përmes punës shpesh të padukshme, por thellësisht të rëndësishme, që konsiderohet si “punë grash”.

“Artistja e kënasë” i vendos ngjarjet qytetin rozë të Xhaipurit, në Indi, dhe ndjek hap pas hapi Lakshmin, një grua e re që mban emrin e perëndeshës së pasurisë. 

Është vërtet e admirueshme se me sa kujdes i ka zhvilluar Joshi personazhet. Ajo thotë se, para se ta shkruante librin, ka menduar shumë se çfarë i bën njerëzit ata që janë. “Pse zgjedhin një veprim para një tjetri?” pyet ajo. “Si duhet të ketë qenë dinamika familjare e tyre? Për çfarë mendojnë kur janë vetëm?” Forca qendrore e librit është, natyrisht, vetë Lakshmi. Ajo është e bukur, inteligjente dhe e gjallë. Por shfaqet edhe si llogaritëse dhe manipuluese – herë duke mbyllur gojën e herë duke i hedhur zonja kundër njëra-tjetrës.

Të lexosh librin “Artistja e kënasë” është njësoj si të udhëtosh me një makinë që ecën me shpejtësinë e duhur. Herë pas here, autorja Alka Joshi ndalet për të na treguar pamjet dhe skenat gjatë rrugës. Herë të tjera, ritregon të njëjtën histori, por të pasuruar me elementë të rinj, aq sa e gjen veten në një udhëtim emocionues drejt destinacionit. Pikërisht kur mendon se e di se ku po shkon, Joshi merr një kthesë që të lë plotësisht pa fjalë. Proza e Joshit është ritmike dhe tërheqëse, personazhet janë shumëdimensionale dhe të gjalla. Ky është një roman shprese, ambicieje dhe shërimi. Nëse po kërkon një histori për familjen, me një heroinë frymëzuese dhe të fortë, atëherë ky libër është shkruar enkas për ty!

Vetë autorja Alka Joshi, sigurisht, jeton në një botë larg asaj ekzotikes, me pazaret plot zhurmë dhe pallatet përrallore që ka krijuar në libër. Kur ishte e re, familja e saj emigroi në Amerikë nga Raxhastani i Indisë. U diplomua në Stanford dhe në Kolegjin e Arteve të Kalifornisë, në San Francisko. Ishte bashkëshorti Bred, me të cilin u martua në moshën 37-vjeçare, ai që e shtyu të mendonte për të shkruar. Ndërkohë që ishte me studime, udhëtoi disa herë me nënën e vet në Xhaipur, për të mos u shkëputur nga rrënjët e familjes dhe të vendit. “Nuk e dija që këto udhëtime do të më lidhnin edhe mua me atë vend”, thotë Joshi. “Artistja e kënasë” u bë teza e diplomimit në shkollë dhe më pas, pothuajse 10 vjet pasi filloi të shkruhej, njohu dritën e botimit.

Alka Joshi: 

Pas botimit të librit “Artistja e kënasë”, u preka jashtëzakonisht nga lexuesit e pasionuar anembanë botës që më shkruan, për të më thënë si dhe pse i bëri për vete ky libër, apo që i kishte frymëzuar të ndryshonin diçka në jetën e tyre. Ranë në dashuri me Lakshmin dhe me Malikun, për të cilin donin të mësonin më shumë. Prandaj, librin e dytë “Të fshehtat e Xhaipurit” ua kushtoj atyre.

Autorja i risjell personazhet në një histori plot aventura, rreziqe, pasione dhe intriga për pushtet, në Indinë plot ngjyra dhe luftën e pashmangshme të kastave dhe përpjekjeve për mbijetesë të një populli të vuajtur e të lashtë.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x