19.5 C
Tirana
06 / 11 / 2024

Në pritje të votimit, çfarë duhet të dimë për rezolutën e gjenocidin në Srebrenicë

Më 23 maj, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara do të votojë propozim-rezolutën për shpalljen e 11 korrikut “Ditë Ndërkombëtare të Kujtimit dhe Shënimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë”.

Rezoluta u referohet fakteve të përcaktuara nga aktgjykimet e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ashtu si edhe të gjykatave vendase.

Për gjenocidin mbi së paku 8.372 boshnjakë dhe krime të tjera lufte në rajonin e Srebrenicës të Bosnje e Hercegovinës, u dënuan më shumë se 50 persona me rreth 700 vjet burg.

Në mesin e tyre janë edhe presidenti i kohës së luftës i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq, dhe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së atëhershme serbe, Ratko Mlladiq.

Të dy ata u dënuan me burgim të përjetshëm.

Gjermania dhe Ruanda janë “sponsorizueset” e rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë, përkatësisht shtetet që bashkërisht e iniciuan dhe hartuan tekstin e rezolutës.

Më pas, 32 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara u bënë “bashkësponsorizuese”, si vende që morën përsipër detyrën e prezantimit të draftit para 193 shteteve anëtare të OKB-së.

Nga vendet e rajonit, bashkësponsorizuese janë: Bosnje dhe Hercegovina, Shqipëria, Bullgaria, Kroacia, Maqedonia e Veriut dhe Sllovenia.

Nga vendet evropiane, ato janë: Austria, Belgjika, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Irlanda, Italia, Lihtenshtajni, Lituania, Luksemburgu, Holanda, Polonia, Suedia, Turqia dhe Britania e Madhe.

Bashkësponsorizuese janë, gjithashtu, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja dhe Zelanda e Re, ashtu si edhe Bangladeshi, Kili, Jordania, Malajzia dhe Vanuatu.

Propozim-rezolutën e mbështeti edhe Organizata e Bashkëpunimit Islamik, e cila përbëhet nga 57 vende.

Pesë anëtaret e përhershme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara – Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kina, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar – mund të vënë veto ndaj propozim-rezolutës, por vetëm në atë organ.

Mundësia e vetos nuk ekziston në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Sponsorizuesit kryesorë – në këtë rast Gjermania dhe Ruanda – mund ta tërheqin propozim-rezolutën në çdo kohë.

Sipas rregullave të OKB-së, një projekt-rezolutë e tërhequr mund të nxirret sërish, në çdo kohë, nga një shtet tjetër anëtar i OKB-së.

Vendimet në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së mund të merren me konsensus, pra pa u votuar, sipas rregullores.

Konsensusi arrihet kur të gjitha shtetet anëtare bien dakord ta miratojnë tekstin e projekt-rezolutës pa votim.

Deri më tani, sipas të dhënave të OKB-së, rreth 80 për qind e vendimeve janë miratuar me konsensus. Nëse një vend kundërshton, atëherë shkohet në votim.

Kështu, për shembull, më 10 maj të këtij viti u votua rezoluta për kandidaturën palestineze për anëtarësim në OKB.

Më 23 shkurt të vitit të kaluar, ndërkaq, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi një rezolutë të re që kërkonte tërheqjen e forcave ruse nga Ukraina.

Meqenëse Rusia dhe Serbia e kundërshtojnë miratimin e rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë dhe pretendojnë se nuk janë të vetmet në këtë qëndrim, ajo do të duhet të votohet.

Si në çdo parlament, votimi bëhet me ngritjen e dorës ose në mënyrë elektronike, ndërsa deklaratat mund të jenë publike ose sekrete. Nëse në një propozim paraqitet një amendament, amendamenti votohet i pari.

Nëse rezoluta për Srebrenicën nuk është në rend dite si një “çështje e rëndësishme”, do të ishte e nevojshme një shumicë e thjeshtë e anëtarëve të OKB-së që “do të ishin të pranishëm dhe do të votonin”. Tash për tash nuk dihet se si do të votohet.

Shumica prej dy të tretave të anëtarëve të OKB-së “që është e pranishme në seancë dhe voton”, kërkohet kur trajtohen “çështje të rëndësishme”.

Mes tyre, ndër të tjera, bën pjesë zgjedhja e dhjetë anëtarëve jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit – të cilët, ndryshe nga pesë anëtarët e përhershëm, nuk e kanë të drejtën e vetos – pastaj zgjedhja e anëtarëve të disa këshillave të OKB-së, votimi i statuteve, pranimi i anëtarëve të rinj, votimi për pezullimin e anëtarësisë së vendeve apo çështjet buxhetore.

Një “çështje e rëndësishme” që kërkon dy të tretat e votave konsiderohet edhe votimi për një “vendim në sferën e paqes dhe sigurisë”.

Aktualisht, nuk dihet nëse propozim-rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë do të cilësohet si e tillë.

Votimi nga Asambleja e Përgjithshme prej 193 anëtarësh konsiderohet si një studim global për atë se sa mbështetje ka për një çështje.

Rezolutat në këtë organ të OKB-së nuk janë të detyrueshme dhe, më së shpeshti, janë vendet anëtare, Këshilli i Sigurimit i OKB-së apo ndonjë organ i OKB-së ata që “ftohen” të veprojnë siç thuhet në rezolutë.

Për shembull, propozim-rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë, mes tjerash, kërkon që shtetet anëtare ta përfshijnë gjenocidin në Srebrenicë në tekstet shkollore.

Në anën tjetër, rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së janë detyruese dhe pesë anëtaret e përhershme – SHBA-ja, Rusia, Kina, Franca dhe Britania e Madhe – e kanë të drejtën e vetos.

Më 8 korrik të vitit 2015, Rusia e pengoi miratimin e rezolutës për Srebrenicën në Këshillin e Sigurimit.

Për këtë arsye, shoqata proruse e krahut të djathtë “Alternativa Lindore” nga Republika Sërpska i ngriti një monument ambasadorit të atëhershëm rus në OKB, Vitaly Churkin, në Sarajevën Lindore.

Një monument i Churkinit u bë gjithashtu nga organizata e “njerëzve të mendimit të lirë” nga Serbia dhe u dërgua në vendlindjen e tij Marinkino, afër Moskës.

Shembull i një rezolute të detyrueshme është zgjatja e mandatit të forcës paqeruajtëse të Bashkimit Evropian (EUFOR), e cila votohet në nëntor të çdo viti.

Cilat vende e miratuan deklaratën për gjenocidin në Srebrenicë?

Parlamenti Evropian miratoi rezolutën e parë për gjenocidin në Srebrenicë më 15 janar të vitit 2009 dhe u bëri thirrje vendeve të tjera ta bëjnë të njëjtën gjë.

Një rezolutë e re për kujtimin e gjenocidit në Srebrenicë u miratua nga Parlamenti Evropian më 9 korrik të vitit 2015, një ditë pasi Rusia bllokoi miratimin e një rezolute të ngjashme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Maqedonia e Veriut e miratoi rezolutën për Srebrenicën më 6 shkurt të vitit 2010.

Më 30 mars të vitit 2010, Kuvendi i Serbisë miratoi Deklaratën për Dënimin e Krimit në Srebrenicë. Aty nuk përmendet në mënyrë specifike termi “gjenocid”, por, përkundrazi, ajo “e dënon krimin e përcaktuar me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”.

Më 17 qershor, 2021, Kuvendi i Malit të Zi miratoi rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë, e cila e ndalon mohimin publik ose nënvlerësimin e gjenocidit dhe e shpall 11 korrikun Ditë të Përkujtimit të Viktimave të Srebrenicës. Podgorica njoftoi, gjithashtu, se do ta mbështesë rezolutën për Srebrenicën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Kuvendi i Kosovës e miratoi Rezolutën për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë më 7 korrik të vitit 2021.

Një vit më vonë, më 7 korrik, 2022, Kuvendi i Shqipërisë e miratoi Rezolutën për Srebrenicën.

Parlamenti i Bosnje e Hercegovinës nuk e miratoi rezolutën e tillë, për shkak të kundërshtimit të përfaqësuesve politikë nga entiteti Republika Sërpska.

Këta të fundit kanë thënë më herët se janë të gatshëm ta mbështesin vetëm një rezolutë që do t’i mbulonte të gjitha krimet e kryera kundër të gjithë popujve.

Më 18 korrik të vitit 2012, Kuvendi i Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës e miratoi rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë, ndërsa, më 18 prill të këtij viti, Asambleja Kombëtare e Republikës Sërpska miratoi një raport që e mohon gjenocidin në Srebrenicë.

Rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë u miratua, ndër të tjera, edhe nga Parlamenti i Australisë në vitin 2012, ashtu si edhe ai i Kanadasë dhe SHBA-së në vitin 2015.

Më 12 korrik të vitit 2023, Parlamenti turk e hodhi poshtë një ligj të propozuar nga opozita, që do ta shpallte 11 korrikun Ditë të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.

Tri ditë më parë, Parlamenti turk publikoi një deklaratë të përbashkët – të nënshkruar nga kryetarët e të gjitha partive – që e dënon gjenocidin në Srebrenicë./Radio Evropa e Lirë

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x