Nga Majlinda Bregu
Ka disa njerëz qe nuk lënë vetëm gjurmë, por edhe porta të hapura.
Werner Daum, diplomati gjerman që u nda nga jeta para pak orësh këtu, në Shqipëri, ishte nje prej tyre.
Kisha lexuar e dëgjuar shumë per ambasadorin gjerman që 35 vite më parë vendosi të bënte të kalueshëm “murin gjerman” që ndante Shqipërine e dhunuar nga diktatura, me lirinë e ëndërruar Europiane.
Rastësia e desh kete herë që Werner Daum, ta takoj per disa momente, në ceremonine e diplomimit tëstudentëve të UET. Universiteti Europian i Tiranes
“Amazing,”, – ishte fjala e parë me të cilën iu drejtua me nje mesazh të kthjellët të rinjve të sapodiplomuar, duke iu lënë pa e ditur mesazhin-amanet më të bukur që njeriu mund te lërë në fund jetë brezit të ri: “Ju perfaqesoni të ardhmen e ketij vendi, por dhe rezultatin e mundimit të brezave para jush”.
Fare thjesht si për të na thënë të gjitheve se e ardhmja nuk eshtë një flëtë e bardhë, por është vazhdimësi e asaj që jemi, asaj qe kemi arritur me mund, gabime dhe guxim brezash, është përgjegjësi por edhe privilegj.
Edhe sot, pas 35 vitesh, gardhet mund të jenë ende atje, por ka gjithmonë diçka “amazing” tek ata që guxojne t’i kapërcejnë apo ata që nuk pranojnë të mbajnë portat të mbyllura.
Europa nuk eshtë një hartë; është një bindje se njerëzit meritojnë të mos mbeten pas mureve.
Werner Daum ishte kujdestar i kesaj bindjeje.
Mirënjohje për një burrë me mend, që me fjalët e fundit na kujtoi se liria nuk jeton dot në harresë.
Është më shume se një fjalë. Eshtë një portë e hapur me guxim që fillon aty ku shemben muret!