Këshilltari socialist Alfred Muharremi i është drejtuar me tone të ashpra deputetes Mariana Koçeku lidhur me deklaratat e saj ndaj patronazhistëve.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Muharremi shprehet se janë pikërisht patronazhistët ata që i kanë dhënë Koçekut mundësinë të bëhet pjesë e Kuvendit, ndërsa e akuzon se po përbuz njerëzit që, sipas tij, kanë kontribuar në suksesin e saj politik.
Këshilltari socialist argumenton se patronazhist është çdo njeri që angazhohet në politikë për t’u shërbyer qytetarëve, duke i takuar, dëgjuar dhe adresuar problemet e tyre.
Postimi i plotë
Patronazhistët dhe Marjana në botën e çudirave !
Patronazhistët, ata që sot i përbuz, janë pikërisht njerëzit që të dhanë ty mundësinë të hysh në Kuvendin e Shqipërisë, të ulesh në një kolltuk të shenjtë ku mund të bësh shumë më tepër sesa të shfrysh mllef.
Mirënjohjen ndaj lidershipit apo kolegëve mund të mos e kesh, por të paktën ki mirënjohje ndaj atyre që të dhanë një shans të artë e jo për t’u sjellë sikur je “Marjana në botën e çudirave”, që ka rënë aty rastësisht.
Patronazhist duhet të jetë çdo njeri që hyn në politikë për t’u shërbyer qytetarëve. Edhe ti duhet të jesh e tillë, t’i takosh, t’i dëgjosh dhe t’u adresosh hallet, jo t’i trajtosh sikur kanë ardhur mysafirë në bujtinën tënde.
Qofshin të bekuar socialistët e ndershëm, ata që trokasin derë më derë, dëgjojnë njerëzit dhe mbajnë mbi supe barrën e kontaktit të përditshëm me qytetarët.
Pa ta Marjana, ti dhe shumë prej atyre që sot mbajnë fjalime nga foltorja nuk do ta kishin parë kurrë nga afër sallën e parlamentit.