Nga Eduard Zaloshnja
Duke filluar nga 1 janari i vitit 2021, INSTAT-i ka përdorur një metodologji të re për llogaritjen e Indeksit të Çmimeve të Konsumit, të harmonizuar me metodologjinë e Eurostat-it (Institutit statistikor të BE-së). Sipas këtij indeksi të harmonizuar me BE-në, çmimet e konsumit janë rritur mesatarisht 22.1% nga 1 janari 2021 deri më 1 janar 2026 (shihni tabelën e mëposhtme). Ndërkohë, paga mesatare e raportuar është rritur 51.4% në këto 5 vjet, dhe pensionet 24%.
Duke qëmtuar në zërat e ndryshme të konsumit të popullsisë, bie në sy rritja e ndjeshme 36.1% e zërit ‘Ushqime dhe pije joalkolike’. Dhe ky zë përbën plot 34.6% të buxhetit mesatar familjar të shqiptarëve (për shumë familje, kjo përqindje është goxha më e lartë në buxhetin e tyre, që ka pak vend për shpenzime të tjera). Brenda këtij zëri, spikasin zarzavatet përfshirë patatet, çmimi i të cilave është rritur plot 60.4%, si edhe qumështi, djathi dhe vezët, çmimi i të cilave është rritur plot 49.9%.
Çmimi mesatar i pijeve alkolike dhe i duhanit është rritur 18.3%, por kjo rritje mund të jetë e mirëpritur nga këndvështrimi i shëndetit publik, sepse mund të dekurajojë sadopak konsumimin e këtyre produkteve të dëmshme për shëndetin e shqiptarëve.
Ndërkohë, rritja 10% në zërin ‘Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji’ ka goditur mijëra e mijëra shqiptarë, sidomos në tre komponentët e fundit.
Duhet pritur nxjerrja e Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit për tremujorin e parë të vitit 2026, për të ekzaminuar efektin e luftës në Iran te çmimet e tregut shqiptar. Dhe më pas, duhen pritur masat e qeverisë shqiptare për zbutjen e atyre efekteve tek shtresat më të prekura…



- Anuela Ristani: Standardet më të larta të arsimit në çdo cep/ Dy shkolla të reja dhe një kopësht në Yzberisht - 10/04/2026
- Regjistrimi elektronik zëvendëson vulat, hyn sot në funksion të plotë Sistemi Evropian i Hyrje-Daljeve - 10/04/2026
- VIDEO / Rrëfehet mes lotësh vajza e Trump: Nga vdekja e nënës, te sëmundja e bashkëshortit dhe atentati ndaj të atit - 10/04/2026