17.5 C
Tirana
15 / 11 / 2025

Ndryshon situata te vazot e “play off”-it/ Shqipëria shmang Çekinë, por mund të ndeshet me ekipin që po i hap punë Gjermanisë

Platforma statistikore Football Meets Data ka publikuar përditësimin më të fundit të pikëve FIFA për skuadrat evropiane që pritet të jenë pjesë e play-off-it të Kupës së Botës.

Sipas vlerësimit, renditja e vazove mbetet ende e hapur për disa kombëtare, ndërsa Shqipëria pozicionohet aktualisht në Vazon 3 me 1405 pikë. Deri tani, skuadra kuqezi qëndron e sigurt në këtë grupim, por lëvizjet e fundit në renditje mund të ndikojnë te kundërshtarët e mundshëm në short.

Në krye të renditjes së vazove të para ndodhen Italia, Turqia, Ukraina dhe Polonia. Në Vazon 2 përfshihen Skocia, Hungaria, Uellsi dhe Sllovakia, e cila ka kaluar Çekinë, por duhet të shmangë humbjen ndaj Gjermanisë për ta ruajtur avantazhin.

Kështu Sllovakia, e cila në ndeshjen e parë mundi Gjermaninë, bëhet një kundërshtar i mundshëm për Shqipërinë.

Vazoja 3 përbëhet nga Çekia, Rumania, Shqipëria dhe Kosova, ndërsa hyrjet nga Liga e Kombeve vendosen në Vazon 4.

Sipas Football Meets Data, disa skenarë priten të përcaktojnë renditjen finale: Polonia qëndron përpara Uellsit nëse fiton ndaj Maltës, ndërsa Rumania mund të parakalojë Çekinë vetëm me dy fitore, me kusht që çekët të marrin tre pikë ndaj Gjibraltarit. Analiza ofron edhe probabilitetet për secilën skuadër që të ngjitet në vazo më të lartë, shanset për të pritur një gjysmëfinale play-off dhe kundërshtarët më të mundshëm.

Në rastin e Shqipërisë, pozita aktuale është e qëndrueshme, por çdo lëvizje në pikët FIFA para shortit mund të ketë ndikim direkt në rrugën drejt Botërorit.

Artikujt më të kërkuar

1
0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x