Në qytetin e Korçës është çelur ekspozita “Folk Art”, e mbështetur në traditën shqiptare. Frymëzimi për të sjellë këto punime, për piktoren Adriana Puleshi, është marrë kryesisht nga dëshira për të sjellë veçantitë e çdo krahine shqiptare të pasqyruara përmes kostumeve popullore.
“Kam disa vite që kam filluar të pikturoj kostumin tonë kombëtar, në tërësi në të gjitha trevat. Është shumë i bukur, shumë i veçantë, gjithashtu përshtatet dhe me stilin tim të të pikturuarit. Mua më pëlqejnë shumë ngjyrat, gjë që kostumi ynë e ka me bollëk. Ka ngjyrat, konstrastet, format, detajet. Unë dalëngadalë kam filluar të merrem me kostumin duke e trajtuar në një mënyrë ndryshe nga pikturat e tjera, në një karton me sfond me ngjyrë. Pastaj lindi ideja që këtë eksperiencë që kam fituar ta ekspozoj edhe në qytete të tjera të Shqipërisë. Me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, kam bërë një guidë në Vlorë, Sarandë, e tani edhe në Korçë.” – ADRIANA PULESHI, Piktore
Me këtë ekspozitë të veçantë, publiku por edhe turistë që vizitojnë Korçën, kanë pasur një kontakt të hapur pasi ajo u pozicionua tek sheshi i Pazarit të qytetit.
“Ne vijmë nga Hollanda. Ekspozita është e këndshme, impresionuese dhe shumëngjyrëshe, çka bën që të më pëlqejë. Ndërsa qyteti i Korçës është shumë i këndshëm, ka shumë njerëz, vijmë për herë të parë dhe na pëlqeu vërtet” – shprehet një turiste.
Ekspozita ka qëndruar e hapur tek ambjentet e Pazarit të Vjetër të Korçës për 5 ditë dhe gjatë kësaj kohe, piktorja Puleshi ka hedhur në telajo edhe bukuritë e rrethinave të qytetit, të cilat ka pasur mundësi t’i vizitojë gjatë qëndrimit të saj në Korçë.








- Elton John feston 5-vjetorin e “Cold Heart” me Dua Lipën: “5.3 miliardë dëgjime dhe një miqësi e mrekullueshme” - 13/08/2026
- Raportohen 38 vatra zjarri. Situatë e rënduar në Lurë, Priskë dhe Elbasan, ndërhyrje nga toka dhe ajri. Përmirësohet situata në Krujë - 13/08/2026
- “Nuk e gjykoj njeriun që më fali jetën”, si u tërhoq Skënder Haluci nga trupa gjykuese për dënimin e Ramiz Alisë - 13/08/2026