Në një artikull të thelluar të Corriere della Sera, analizohet qasja e Vladimir Putinit në negociatat për Ukrainën dhe roli i marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara. Gazeta italiane sjell një pasqyrë të hollësishme të strategjisë së Kremlinit, që duket se kombinon diplomacinë me vazhdimin e luftës në terren, duke e shndërruar Donbasin dhe negociatat e energjisë në një lojë të komplikuar fuqish, ku paqja është e lidhur ngushtë me interesat dhe imazhin e Rusisë si superfuqi.
Në fund, gjithmonë kthehen në Anchorage
Kthehen në vendin e “shlyerjes” së Vladimir Putinit në skenën botërore dhe të premtimit të Trump-it për një kapitullim të Ukrainës, e vetmja formulë që për Kremlinin konsiderohet sinonim i paqes.
“Sipas formulës së dakorduar në Anchorage, pa zgjidhjen e çështjeve territoriale nuk do të ketë asnjë zgjidhje politike-diplomatike të qëndrueshme”, paralajmëron Yurij Ushakov, këshilltar i politikës së jashtme i Putinit.
Pa këtë, vijon një qasje e pandërprerë, “qëllimet e operacionit special do të arrihen në terren”. Kjo do të thotë se lufta vazhdon…
Perëndimi i ndarë
Për të kuptuar ashpërsinë e negociatave të Vladimir Putinit dhe qëndrueshmërinë e saj, pavarësisht presionit të sistemit, duhet të merret parasysh konteksti, siç sugjeronte Leonardo Sciascia (shkrimtar italian).
Në plan politik, linja e Kremlinit, e përsëritur nga të fortët në krye ose e shprehur në talk show-et e propagandës së regjimit, është e qartë: të avancosh sa më shumë të jetë e mundur, të imponosh maksimumin e shkatërrimit ndaj Ukrainës duke shfrytëzuar ndarjen e Perëndimit të nxitur nga Trump.
Moska ka nevojë për fitore për t’u rikthyer mes fuqive të mëdha që vendosin në politikën botërore.
Një bazë teorike ofron filozofi ultranacionalist Alexandr Dugin, gjithmonë i pranishëm në kanalin e tij në Telegram, sipas të cilit “asgjë nuk do ta afroje paqen përveç fitores”.
Dugin risjell dyshimin e hershëm ndaj Perëndimit, të cilit “nuk duhet t’i besohet kurrë” sepse “nuk mban fjalën dhe nuk respekton marrëveshjet”. Përfundimi:
Me Perëndimin mund të luftosh vetëm, sado e vështirë të jetë!
Dugin sulmon një pjesë të elitës ruse, që me gjasë i referohet Kirill Dmitriev, negociatori i Putinit i quajtur “amerikani”, i cili merr pjesë me “tepër pasion” në negociatat e “neveritshme” me përfaqësues specialë të Trump-it.
Pastaj janë komentatorët e ashtuquajtur “patriotikë”, si blogeri dhe editorialisti i Komsomolskaya Pravda, Aleksandr Kots, sipas të cilëve lufta duhet ndarë nga negociatat. Ndërsa lufta vazhdon, negociatat mund të vazhdojnë, por për çfarë?
Kots rrëzon propozimin ukrainas për një “armëpushim energjetik”, duke thënë se Kievi “nuk ka asgjë për të ofruar”. Ai do të mbetet në fuqi vetëm shkëmbimi i të burgosurve.
“Nuk do të ketë kompromis territorial, askush për momentin nuk ka ndërmend të nënshkruajë ndonjë marrëveshje”, thotë Yuri Podolyaka, me 3 milion ndjekës në Telegram.
“Misioni i carit”
Në një spektrum më të gjerë, blogeri Roman Aliokhin, i cilësuar nga Kremlini si “agjent i huaj”, ndalet te Bordi i Paqes për Gazën, propozuar nga Trump dhe për të cilin Putin është ftuar të marrë pjesë, por nuk ka dhënë ende përgjigje definitive.
“Në këto borde, Rusia kurrë nuk do të jetë partner i barabartë. Nëse duam të mbijetojmë jo vetëm si territor, por si subjekt i historisë, duhet të mendojmë në terma të arkitekturës së fuqisë sonë, jo të reagimeve ndaj iniciativave të të tjerëve”, thotë ai.
Analiza tregon se Vladimir Putin nuk vepron pa skema, lë pak vend për dyshime kur vjen puna te pseudo-negociatat, ndërkohë që ushtria vazhdon të përhapë vdekje dhe shkatërrim në Ukrainë.
Kjo tregon gjithashtu se çështja e Donbasit nuk është thjesht territoriale për sytë e “carit”.
Ai ka një mision për të përmbushur dhe e di që mund të mbështetet tek fronti i brendshëm. A ka ende dikush guximin të thotë se Putin dëshiron paqe?!
- Rama reagon për protestat e PD: Pisllëku që lënë pas, si jashtëderdhja e plakut të lajthitur që i organizon - 25/01/2026
- “Misioni i carit”, për Putinin fitorja qëndron mbi paqen. Intrigat pas negociatave - 25/01/2026
- “Ishte errësirë dhe ishte vdekjeprurëse”- Trump zbulon detaje rreth armës sekrete amerikane - 25/01/2026