Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, është dënuar me një vit burgim me kusht për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend në vitin 2018.
Vendimi është marrë nga Gjykata Themelore në Prishtinë, e cila e ka shpallur fajtor Sveçlën për veprën penale “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Dënimi është me kusht, çka do të thotë se Sveçla nuk do të vuajë dënimin me burg, nëse gjatë periudhës njëvjeçare të kushtit nuk kryen një tjetër vepër penale. Sveçla nuk ka qenë i pranishëm në sallën e gjyqit në momentin kur është shpallur vendimi.
Gjatë procesit gjyqësor, ministri në detyrë ishte deklaruar i pafajshëm. Hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend e kishte cilësuar si një aktivitet politik, duke argumentuar se në atë kohë, si deputet opozitar, po kundërshtonte ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Në të njëjtin proces gjyqësor janë të akuzuar edhe ministrja në detyrë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, ish-deputeti i Vetëvendosjes Salih Zyba dhe ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës Drita Millaku.
- 85 vota pro Reformës Territoriale/ Kuvendi e miraton pas një seance maratonë - 09/10/2026
- Tensione në Kuvend gjatë votimit për reformën territoriale, Bardhi hedh ujë dhe sende të forta drejt deputetëve të PS dhe Ramës - 09/10/2026
- “Ja e vërteta për projektin e Zvërnecit”/ Jared Kushner i jep fund spekulimeve: Nëse miratohet, shqiptarët do të jenë krenarë dhe do e shijojnë për breza me radhë - 08/10/2026