17.4 C
Tirana
25 / 10 / 2026

Ku është populli (dhe ku janë 78 mijë studentë)?!

Nga Skënder Minxhozi

E thënë shkurt, populli po sheh sesi digjet Tirana nga ballkonet e shtëpisë, kurse për studentët s’ka asnjë informacion të saktë. Me shumë gjasë, pas mbylljes së universiteteve dy javë më parë, janë kthyer në shtëpi në pritje që të mbarojë kjo marrëzi gurësh dhe dhune.

Protesta e dhunshme e një pakice opozitarësh dhe të rinjsh ka futur prej dy javësh në një tunel tymi dhe flakësh kryeqytetin e Shqipërisë. Një turmë që nuk i kalon dy-tre mijë vetat dhe në krye të së cilës qëndron një komando me maska që mbjell shkatërrim nëpër rrugë duke djegur e shkatërruar prona private, banka, institucione shtetërore apo sinjalistikë rrugore. Një komando që është kthyer në një makth për një qytet i cili e ka mjaft të rënduar memorien kolektive në lidhje me akte si këto.

Për katër muaj me radhë, nga qershori në shtator, kryeqyteti ishte në duart e protestuesve. Më shumë se 130 ditë protesta të përditshme që nisnin dhe mbylleshin me vendimarrjen ekskluzive të organizatorëve. Liri totale në një hapësirë e cila jetohej edhe nga qindra mijë të tjerë, të cilët duhet të hapnin rrugë çdo ditë. Protestuesit bllokonin rrugë, parqe e qendra urbane sipas qejfit e dëshirës, i shfrynin klientëve nëpër bare e lokale dhe kishin ndërtuar itinerare që shpërfillnin totalisht bllokimet e trafikut që provokonin dhe lëvizjet e njerëzve nëpër qytet. Tirana jetonte me pulsin e një proteste ditore që vinte në tkurrje, por që sërish pranohej si e tillë. Nga qytetarët dhe nga autoritetet. Ishte rënë dakord që do të bashkëjetohej me protestën dhe ashtu ndodhi.

Prej 14 ditësh “muzika” ka ndryshuar. Flamengot e plastikës janë hedhur në Lanë kurse vetë protesta ka veshur maskë dhe vetëquhet revoltë.

Siç ndodh rregullisht, me kalimin nga paqja tek dhuna, ajo është mpakur e tkurrur, duke mos i kaluar pak mijëra vetët, përfshirë opozitarë dhe mosha të dyta e disa herë të treta që dalin shesheve. Fjala vjen në një të dielë si kjo e sotmja në bulevard ndodhen më shumë policë e njerëz të medias sesa protestues.

Protesta ka veshur parzmore por nuk është bërë më tërheqëse. E kunderta është e vërtetë. Përtej simpatisë së përgjithshme që krijoi tek qytetarët në fillimet e veta, ajo e ka lënë praktikisht indiferente këto muaj Tiranën me 700 mijë banorët e saj. Në këto orë dramatike kur ndizet flakë qendra e qytetit dhe digjen rrugë, institucione e biznese tiranasit po e kryqin me dëshpërim protestën nga ballkonet dhe televizorët në shtëpitë e tyre. Dhe kjo është një e vërtetë e thjeshtë dhe e madhe që mund të provohet fare lehtë.

Protesta e të shtunës kishte de facto brenda vetes tre protesta: pedagogët, opozitën dhe studentët e gjimnazistët. Madje për opozitën bëhej fjalë për një protestë “kombëtare”. Ironi e madhe kjo kur shihje sa veta kishte mbledhur Berisha në bulevard.

Veç kësaj ka nja dy shifra për të cilat nuk flet askush e që në fakt janë çelësi i leximit të kësaj që po ndodh. Sipas atyre që merren me arsimin në Tiranë studiojnë rreth 80 mijë studentë universitarë, të shpërndarë në institucionet publike dhe private të arsimit të lartë. Ka gjithashtu edhe rreth 19 mijë gjimnazistë të regjistruar. Pra, një komunitet që do të kishte parimisht lidhje me protestën, prej afro 100 mijë të rinjsh. Një potencial i jashtëzakonshëm energjie qytetare, intelektuale dhe përmbysëse përballë të cilit do të kapitullonte çdo qeveri.

Megjithatë, përballë këtij potenciali në letër impresionues, në protestat që thirren në emër të studentëve dhe gjimnazistëve, pjesëmarrja zakonisht nuk i kalon dy-tre mijë personat. Edhe duke supozuar se të gjithë pjesëmarrësit janë studentë apo gjimnazistë (aty në fakt ka edhe jo pak 30-50 vjeçarë), kjo shifër përfaqëson vetëm 2% të komunitetit të tyre në kryeqytet. Ku janë 78 mijë studentët e tjerë? Pse nuk kanë zbritur edhe ata në bulevard për të rrëzuar diktaturën? Pse nuk janë edhe ata duke shkulur pllaka e duke hedhur molotov mbi godinat 100 vjeçare të qendrës së Tiranës?

Paradoksi është domethënës: në një kryeqytet me 99 mijë studentë e gjimnazistë, 97 mijë prej tyre rezulton se nuk joshen nga protesta. Afërmendsh pjesëmarrja në një protestë nuk është referendum. Ashtu si edhe mos marrja pjesë nuk nënkupton automatikisht kundërshtim të asaj që kërkon protesta, e as indiferencë politike. Megjithatë ky hendek i madh shifrash kërkon një përgjigje. Dhe mbi të gjitha kërkon një lexim që nuk është ai i atyre që bërtasin në kupë të qiellit për dhunën e shtetit, e kur kanë qenë vetë në shtet dhunën e kanë përdorur në forma dukshëm më ekstreme e të përgjakshme.
Në fakt, dy mijë të rinjtë që dalin në shesh nuk janë problemi. Ata ushtrojnë një të drejtë, natyrisht deri tek momenti kur lenë parullat e marrin shishet e benzinës. Problemi i vërtetë është pretendimi i tyre dhe i të tjerëve që i bashkohen protestës duke u hequr si studentë ndërsa i kanë flokët e bardha, se po përfaqësojë mbarë popullin shqiptar. Kur dëgjon të thuhet se sot populli kërkoi largimin e Ramës, të vjen të pyesësh “ku është populli”? Dhe pse jo, të pyesësh edhe “ku janë 78 mijë studentët”? Gjimnazistët s’po i fusim në ekuacion sepse janë prani e përkohshme e protestave.

Për të rrëzuar të gjithë sistemin politik njëherësh dhe për të çuar në burg edhe Ramën edhe Berishën dorë për dore, duhen njerëz. Shumë njerëz madje. Shifrat kanë peshë dhe rëndësi sepse shifrat krijojnë frymën dhe trembin elitën politike. Pa shifra s’ka frymë ndryshimi. Një protestë që pretendon objektiva sublime dhe me përmasa historike, nuk mund ta bëjë këtë me pak qindra ose mijëra njerëz në shesh. Klasa politike drejtuese nuk i merr parasysh pak qindrat dhe pak mijërat. sado cinike të tingellojë kjo. Kupton dhjetra mijëra e lart, qoftë edhe në një vend të vogël si ky i yni.

Protesta e humbi momentin kur nxorri dhjetra mijë njerëz në shesh në qershor. Na tha se nuk ka asnjë dëshirë të hyjë në politikë dhe as të krijojë një projekt sfidues. Pretendoi të shembë pa u bërë pis me llaçin e tullat e ndërtuesit. Kësisoj ajo humbi interesin dhe besimin e tiranasve dhe të shqiptarëve duke degjeneruar në dhunë dhe mungesë totale orientimi dhe perspektive.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x