16.1 C
Tirana
21 / 11 / 2026

Meloni paralajmëron aleatët pas përplasjeve në koalicionin qeverisës në Itali: Gati për zgjedhje të parakohshme

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka paralajmëruar aleatët e saj se nuk është e gatshme ta çojë qeverinë deri në fund të mandatit nëse vazhdojnë përplasjet brenda koalicionit.

Sipas gazetës italiane “Corriere della Sera”, Meloni ua ka bërë të qartë drejtuesve të Legës dhe Forza Italia se tensionet e vazhdueshme po e vështirësojnë punën e qeverisë.

“Jeni ju që më kërkoni të shkojmë deri në fund të mandatit. Dhe mendoni se unë do të pranoj ta bëj këtë në këto kushte?”, u është drejtuar ajo aleatëve.

Madje, kryeministrja ka paralajmëruar se zgjedhjet mund të mbahen më herët nga sa ishte parashikuar.
“Nëse vazhdojmë kështu, në vend që të shkojmë në zgjedhje në nëntor të vitit të ardhshëm, do të shkojmë në nëntor të këtij viti”, u ka thënë Meloni.

Pakënaqësitë e saj lidhen me disa episode të fundit, përfshirë qindra amendamentet që Lega e Matteo Salvinit ka paraqitur për buxhetin e qeverisë, debatet për ndihmën ndaj Ukrainës dhe votën kundër të Forza Italia për një dispozitë që synon uljen e kostos së librave shkollorë në format digjital.

Sipas gazetës, Meloni është e prirur drejt mbajtjes së zgjedhjeve në maj të vitit të ardhshëm. Megjithatë, ajo mund të pranojë vazhdimin e mandatit deri në përfundimin e tij, nëse aleatët arrijnë t’u japin fund përplasjeve dhe të krijojnë kushte që qeveria të punojë pa pengesa.

Edhe presidenti i Senatit, Ignazio La Russa, ka përmendur mundësinë e zgjedhjeve në pranverë ose në vjeshtë.
“Nga janari nis fushata zgjedhore për zgjedhjet vendore. Në interes të Italisë, nuk mund të mbahet një qeveri peng i zgjedhjeve për nëntë muaj. Përveçse nëse i krijohen kushtet të punojë. Por duhet një klimë tjetër”, është shprehur ai gjatë një bisede private.

Ndërkohë, tensionet nuk mungojnë as brenda partisë së Melonit, Fratelli d’Italia. Sipas një burimi të cituar nga gazeta, po shqyrtohet mundësia e rritjes nga 49 në 61 e numrit të vendeve të rezervuara për kandidatët që kryesojnë listat zgjedhore, me synimin për të mbrojtur rizgjedhjen e deputetëve që rrezikojnë të mbeten jashtë Parlamentit.

Përplasjet mes aleatëve lidhen edhe me garën për të marrë meritat për nisma të ndryshme politike. Përfaqësues të Legës dhe Forza Italia ankohen se kryeministrja po përvetëson çështje që tradicionalisht janë mbrojtur nga partitë e tyre.

Një tjetër mosmarrëveshje ka të bëjë me pensionet. Salvini ka kërkuar 500 milionë euro shtesë mbi 800 milionët e parashikuar për skemën e pensioneve të njohur si “kuota 64”, por Meloni e ka refuzuar kërkesën.
“U japim nga 50 mijë euro secilit dhe mbarojmë punë më shpejt…”, është përgjigjur ajo me ironi.
Mes këtyre tensioneve, Meloni kërkon që marrëveshjet brenda koalicionit të respektohen dhe që aleatët të mos e vendosin vazhdimisht qeverinë përballë përplasjeve të reja.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x