U mbyll të mërkurën pasdite Mbledhja Vjetore e Forumit “Rruga Financiare”. Shumë pjesëmarrës nga institucionet e investimeve financiare thanë se, pavarësisht rritjes së paqëndrueshmërisë së ekonomisë botërore, investitorët e huaj mbeten optimistë për mundësitë që ka tregu kinez, dhe investimet kanë vijuar të rriten në industritë e gjelbra dhe me karbon të ulët, mjekësisë dhe shëndetësisë etj.
Sipas statistikave, në vitin 2021 përdorimi real i investimeve të huaja në Kinë arriti vlerën 1.149 trilionë juanë, duke krijuar një rekord të ri historik. Në dhjetë muajt e parë të këtij viti, përdorimi real i investimeve të huaja në Kinë ishte 1.09 trilionë juanë, 14.4 për qind më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Vetëm në industritë e teknologjisë së lartë rritja arriti 31.7 për qind.
Vitet e fundit, politikat e Kinës për stabilizimin e investimeve të huaja janë forcuar më tej dhe mjedisi i biznesit është përmirësuar. Investitorët e huaj kanë më shumë besim për të investuar në tregun kinez. Shumë pjesëmarrës në këtë mbledhje vjetore thanë se “vala e gjelbër” e krijuar nga Kina u ofron investitorëve të huaj mundësi të reja zhvillimi. Financa do të jetë një shtysë e fortë për të konsoliduar konceptin e investimeve të qëndrueshme dhe për të kontribuuar për zhvillimin e gjelbër në mbarë botën.
Virginie Morgon, kryeekzekutivja e Grupit të Fondit “Eurazeo”, është optimiste për industritë kyçe si mjekësia dhe shëndetësia, softuerët etj., në të cilat Europa dhe Kina mund të bashkëpunojnë me përfitime të ndërsjella. Ajo bëri të ditur se katër kompani investimesh të Grupit të saj kanë pasur përparim të shpejtë në tregun kinez, nëpërmjet krijimit të partneritetit gjithëpërfshirës të bashkëpunimit me institucionet kineze.
Kryeekzekutivi global i kompanisë UTAC Laurent Benoit tha se, me parashtrimin nga Kina të objektivave për kulmin e karbonit dhe asnjanësimin e karbonit, do të çlirohen gradualisht potencialet e tregut të automjeteve me energji të re, të kursimit të energjisë etj. Ai shpreson në forcimin e bashkëpunimin me Kinën në fushat e kapitaleve dhe të studimit të teknologjisë, duke nxitur bashkë reformën dhe zhvillimin e industrisë së automjeteve.