Nga Albert Vataj
“Mos e quaj të vërtetë vetëm sepse e besojnë shumë njerëz.” Sepse një gënjeshtër e përsëritur nga një milion gojë mbetet gënjeshtër. Dhe një e vërtetë e thënë nga një njeri i vetëm…mbetet e vërtetë.
Ka një tragjedi që nuk shfaqen përmes një spektakli të ububushme, nuk shpërthen me zhurmë dhe nuk vjen gjithmonë me një grusht shteti. Ajo ndodh ngadalë, pothuajse në heshtje, nën dritën e llambave të demokracisë, ndërsa shoqëria bindet se po zgjedh lirisht fatin e saj. Është tragjedia e një demokracie që ruan procedurat, por humbet vetëdijen; që numëron votat, por nuk arrin të peshojë mendimin; që i jep çdo zëri të drejtën për t’u dëgjuar, por harron se jo çdo zë është i barabartë me të vërtetën.
Shoqëritë e dështuara e matin shumicën jo me dritën e mendjes, por me hijen e saj. Ato nuk pyesin sa njerëz mendojnë, por sa njerëz përsërisin. Nuk kërkojnë sa qytetarë kuptojnë, por sa janë të gatshëm të besojnë. Dhe kështu, dalëngadalë, numri shndërrohet në autoritet, ndërsa padija fiton iluzionin e së drejtës.
Për çdo mendje që ngjitet drejt majës, ka qindra e mijëra që preferojnë shpatin e lehtë të mediokritetit. Për çdo njeri që kërkon të kuptojë, ka një turmë që kërkon vetëm të bindet. Për çdo fjalë të vetëdijshme, ka një kor zhurmash që e mbyt atë përpara se të arrijë te ndërgjegjja. Dhe kur zhurma bëhet më e madhe se mendimi, shoqëria fillon të humbasë orientimin.
Sepse shumica nuk është gjithmonë e mençur vetëm pse është shumicë.
Demokracia nuk e shndërron automatikisht numrin në të vërtetë. Ajo i jep shumicës fuqinë për të vendosur. Por pikërisht këtu qëndron edhe rreziku i saj më i madh. Një shumicë e painformuar mund të votojë lirisht edhe kundër interesit të vet. Dhe mund ta bëjë këtë me bindjen e plotë se është duke mbrojtur lirinë.
Kur shoqëria humbet kriterin, ajo fillon të admirojë atë që duhet të kritikojë dhe të përçmojë atë që duhet të nderojë.
Vështro realitetin.
Kur ballinat e bisedave mbushen me gjëra të kota, kur skandalet e vogla bëhen ngjarje kombëtare, kur thashethemi merr statusin e informacionit dhe spektakli bëhet më i rëndësishëm se mendimi, atëherë nuk kemi thjesht një krizë shijesh. Kemi një krizë të hierarkisë së vlerave.
Kur vendin e nderit e zënë njerëz të lehtë, ndërsa mendjet e thella shtyhen në skaj, shoqëria nuk është thjesht duke ndryshuar shijet e saj. Ajo po ndryshon masën me të cilën mat vlerën.
Miliona mund të kërcejnë mbi ritme bosh, të përsërisin vargje që nuk thonë asgjë dhe ta bëjnë të famshëm autorin e tyre. Një fytyrë që prodhon spektakël mund të bëhet më e njohur se një mendje që prodhon ide. Një frazë e cekët mund të shpërndahet mijëra herë, ndërsa një libër që kërkon reflektim mund të kalojë në heshtje.
Dhe kjo nuk është domosdoshmërisht sepse libri është më pak i vlefshëm.
Është sepse e cekëta konsumohet më lehtë se e thella.
Shumica, shpesh, nuk kërkon të vërtetën. E vërteta kërkon mundim. Ajo të detyron të dyshosh, të rishikosh veten, të pranosh se mund të kesh gabuar. Ndërsa zbavitja nuk kërkon asgjë prej teje. Ajo të jep vetëm disa minuta harrese.
Prandaj një dorë që të deh me helmin e harresës do të pritet shpesh më mirë se një dorë që të zgjon. Një gojë që të bën të qeshësh me marrëzira mund të duartrokitet më fort se një mendje që të detyron të mendosh. Ai që të ledhaton iluzionet është më i dashur se ai që t’i shkatërron ato.
Njeriu nuk e urren gjithmonë gënjeshtrën; ndonjëherë ai e urren atë që ia prish rehatinë e gënjeshtrës.
Këtu nis drama e vërtetë.
Sepse injoranca nuk është vetëm mungesë dijesh. Injoranca më e rrezikshme është ajo që nuk e di se është injorancë. Është ajo që nuk pranon të mësojë, nuk pranon të dyshojë, nuk pranon të dëgjojë. Është arroganca e padijes, kur mungesa e njohjes shndërrohet në bindje absolute.
Dhe kur kjo gjendje bëhet masive, ajo mund të kthehet në fuqi politike.
Atëherë manipuluesi nuk ka më nevojë të bindë njerëzit me argumente. I mjafton t’u japë atë që duan të dëgjojnë. Nuk ka nevojë t’u tregojë të vërtetën; mjafton t’u ushqejë frikën, zemërimin, zilinë, nostalgjinë apo dëshirën për një armik.
Turma nuk kërkon gjithmonë një udhëheqës që di ku po shkon. Shpesh kërkon dikë që t’i tregojë se kush është fajtori.
Dhe kështu demokracia mund të kthehet në një paradoks të hidhur: njerëzit mund të kenë të drejtën të zgjedhin, por të mos kenë mjetet intelektuale për të kuptuar se çfarë po zgjedhin.
Kjo është arsyeja pse arsimi, kultura, libri, gazetaria serioze dhe mendimi kritik nuk janë zbukurime të demokracisë. Janë infrastruktura e saj morale.
Një demokraci pa qytetarë të arsimuar është si një anije me timon, por pa busull.
Mund të lëvizë. Mund të bëjë zhurmë. Mund të duket se ka drejtim.
Por askush nuk e di se ku po shkon.
Dhe tragjedia bëhet edhe më e madhe kur shumica jo vetëm zgjedh gabim, por fillon ta konsiderojë të pamundur ekzistencën e një alternative. Kur mediokriteti bëhet normë, përsosmëria duket arrogancë. Kur zhurma bëhet standard, heshtja e mendimit duket dobësi. Kur padija bëhet krenari, dija trajtohet si kërcënim.
Atëherë shoqëria fillon të ndëshkojë ata që e paralajmërojnë.
Sepse ai që të thotë të vërtetën nuk është gjithmonë i rehatshëm. Ai të prish qetësinë, të vë përballë përgjegjësisë, të detyron të shohësh atë që do të preferoje të mos e shihje.
Por pikërisht aty fillon qytetaria.
Demokracia nuk vdes vetëm kur dikush ia heq popullit të drejtën për të votuar. Ajo fillon të vdesë edhe atëherë kur qytetari humbet dëshirën për të menduar, duke i besuar veprimit kryeprerë se është gjëja e duhur që po bëm, edhe pse pas gjithë kësaj është dikush që tërheq fijet, është dikush që luan gurët.
Ajo kalbet kur vota shndërrohet në impuls, kur opinioni shndërrohet në parullë, kur debati zëvendësohet nga fyerja dhe kur e vërteta matet me numrin e pëlqimeve.
Sepse një shoqëri nuk shpëtohet vetëm nga shumica.
Shpesh, shoqëritë shpëtohen nga pakica që mendon, nga ata njerëz që refuzojnë të përshtaten me marrëzinë e përgjithshme, që lexojnë kur të tjerët shpërqendrohen, që pyesin kur të tjerët përsërisin, që dyshojnë kur të tjerët brohorasin.
Historia nuk është shkruar gjithmonë nga shumicat.
Shpesh ajo është ndryshuar nga pakica që pati guximin të mos pajtohej me kohën e vet.
Prandaj tragjedia e demokracisë nuk është se shumica ekziston.
Tragjedia është kur shumica humbet aftësinë për të dalluar dritën nga shkëlqimi i rremë, dijen nga zhurma, të vërtetën nga propaganda dhe vlerën nga fama.
Atëherë fati i të gjithëve fillon të vuloset nga duart e atyre që nuk e kuptojnë peshën e vendimit që po marrin. Dhe shumica, kur bëhet e verbër, nuk fal. Ajo zgjedh gjithmonë atë që i ngjan vetes.
Edhe kur kjo zgjedhje e çon drejt humbjes. Sepse një shoqëri mund të mbijetojë për një kohë pa drejtësi, mund të durojë varfërinë, mund të rindërtohet pas një katastrofe.
Por kur humbet aftësinë për të dalluar të vlefshmen nga e pavlera, ajo humbet busullën e saj.
Dhe një popull pa busull mund të ketë votë, flamur, institucione dhe zgjedhje. Por ende mund të mos ketë demokraci në kuptimin e saj më të lartë. Mund të ketë vetëm numërim të votave mbi rrënojat e arsyes.