13.5 C
Tirana
19 / 03 / 2026

Lulet, frymëzimi i kthyer në art

Unë imitoj ritmin e fshehtë të jetës… shijoj jo aq përfundimin se sa vetë procesin krijues.

Intervistë me Eva Kule Mici

Eva është një zonjë që ia lexon shpirtin e saj artistik që në shikim të parë. Ndërsa bisedoja me të për intervistën kuptova se pasioni për të krijuar bashkëjetonte natyrshëm me të.

Ishte rastësore njohja me krijimet e saj, por kur fillova të ndjek punimet në facebook kuptova se nuk është thjesht një adhuruese e natyrës, bimëve apo luleve më së shumti, por një krijuese që e përdor natyrën si mjet për të realizuar artin tuaj. E rritur në mjedis të shëndetshëm e të bukur krijuesish më tregoi se që e vogël e kishte patur pasion artin, këndonte, pikturonte dhe krijonte gjëra që ia shihte syri bile edhe në veshje.

E vogël ëndërronte të bëhej stomatologe, por fati e drejtoi të studionte kimi industriale, më pas u punësua si laborante në fakultetin e ekonomisë te katedra e mercologjisë, merrej me analizat ushqimore dhe të industrisë tekstile. Ndërkohë që viti 1990 e gjen në udhëkryq ndryshimesh dhe sapo kish krijuar familjen e saj vendos të largohet për të jetuar thuajse 30 vite në Korfuz. Sot e ndan jetën mes Tiranës, Korfuzit dhe Stokholmit. Pasi ka realizuar gjithçka ëndërronte për familjen vendos të merret me pasionet e saj, mes të cilave dhe krijimi artistik me bimë. 

Si e ke nisur këtë rrugëtim, Eva? Është ky një pasion që ti e ke zhvilluar me kohën apo një aftësi e fituar nga adhurimi që ke ndaj natyrës?

Që e vogël kam patur aftësi krijuese dhe pasion për t’u marrë me art, në shkollë, në familje, në mjedisin shoqëror në aktivitetet jashtëshkollore që bënim. Prindërit e mi, vëllai, daja im ishin mjedisi që ma ushqenin këtë pasion. Ka nisur si diçka për të marrë kënaqësi nga gjërat e momentit. Më pëlqen çdo gjë e bukur që shoh rrotull. Jam natyrë që e shoh çdo gjë me pozitivitet dhe gjithçka që krijoj e gjej në natyrë, apo në muzikë apo në përditshmërinë time. Më pëlqen ndryshimi, dinamika e jetës, edhe te vetja jam gjithnjë në kërkim të së bukurës. Çdo gjë që blej e rikrijoj sipas mënyrës time. Në rrugëtimin tim i kam kushtuar shumë rëndësi familjes dhe shpesh e kam lënë mënjanë pasionin tim. Pas viteve 90 m’u desh të emigroja me familjen dhe pavarësisht nevojës për t’u integruar në vendin e ri që zgjodhëm për të jetuar gjeja kohë për të krijuar. Realisht nuk ka qenë e lehtë por unë u përshtata dhe gjeja kohë dhe atje për t’u marrë me pasionet e mia në art. Në fillim zhvillova një stil arti të veçantë dekypazh quhet, punoja me tjegulla, i pikturoja dhe u jepja forma të ndryshme. Ka qenë periudhë e bukur por pastaj m’u kthye në një veprim mekanik dhe hoqa dorë. Pas 30 vitesh emigracion në Korfuz vendosëm të kthehemi dhe të jetojmë në Tiranë. Tashmë kam edhe më shumë kohë që t’u rikthehem pasioneve të mia. Ka qenë rastësi momenti kur nisa të punoj me lulet, gjethet. Më kishin sjellë një tufë lule shumë të bukura, ndërsa po e shijoja bukurinë e tyre imagjinova në mendjen time se si mund t’i rikrijoja. Dhe kështu nisa ti punoj, të zgjedh prej tyre detaje.

Kështu nisi, por mendoj se gjithnjë ka qenë brenda meje, kam bashkëjetuar me këtë pasion. Kur shkova ne Suedi, tek im vëlla, natyra ishte e jashtëzakonshme, ngjyrat e luleve më mahnitën. Mami dhe vëllai kanë qenë të parët që më kanë nxitur. Ju pëlqenin punimet e mia. Lidhja ime me natyrën është një lidhje shpirtërore që të jep një emocion shumë të fortë që nuk e shpreh dot ndryshe përveçse me krijimet e mia, me lëvizjet, kombinimet e ngjyrave.

Gjethe, petale, filiza, lule, degëza drurësh etj., këto janë mjetet e tua të punës. Me trego, sa e vështirë është të punosh me mjete kaq delikate, si arrin ta përjetësosh artin tënd me këto mjete që duket se të shkëputura nga natyra nuk kanë jetëgjatësi?

Unë krijoj dhe shijoj momentin. I gjej bimët në të gjitha stinët, gjethe, lule, petale, filiza dhe nis të punoj me to, duhet të jenë të freskëta dhe të përpunueshme. Janë krijime në miniaturë, kërkojnë shumë durim dhe përqendrim. Shpesh herë më duhet rreth dy orë kohë për të krijuar një figurinë që është shumë e vogël, por unë e rijetëzoj sipas mënyrës time. Dhe krijoj personazhe, modele veshjesh etj. Por për fat të keq kohëgjatësia e tyre është e shkurtër sepse kur lulet e freskëta fillojnë të thahen e humbasin gjallërinë, lëngun e jetës dhe imazhi e humbet bukurinë. Ndaj unë e krijoj dhe e fotografoj. Është fotografia ajo që më ndihmon të ruaj krijimet e mia. Për mua është kënaqësi, sepse kjo lloj bukurie vërtet nuk zgjat shumë, por i le vendin një krijimi tjetër. Ashtu si edhe lumturia i le vendin një lloj tjetër bukurie po kaq sublime. Me ngjan me një bërje-zhbërje të pafundme, ose më mirë të them me një Carpe Diem.

Kur i pashë punimet e tua u mahnita se si arrin ti krijosh. Ishte një figurinë që ka bazë lëvozhgën e hudhrës, apo një tjetër me imazhin e motorit vespa, veshje me modele klasike apo dhe detaje të tjera. Si i ke arritur?

Unë kur e krijoj imazhin e imagjinoj edhe lëvizjen që duhet të ketë krijimi. Lëvozhga e hudhrës më ndihmoi të krijoj një model veshjeje. Ngjyra e bardhë dhe cipa e hollë e hudhrës ishin mahnitëse. Në fillim bëra fustanin dhe pastaj gjeta një lloj tjetër bime që i përdora për të krijuar flokët.

Më kujtohet një herë një detaj, ndërsa po krijoja një kukull nuk po gjeja lule për t’i krijuar flokët dhe në moment preva pak nga flokët e mi që ta përfundoja modelin.

Para pak ditësh u ktheva nga Stokholmi dhe atje edhe pse dimër arrita të gjeja ende gjurmë bimësh që kishin ngjyra kaq të bukura sa krijova disa imazhe festive. Gjithnjë lulet, gjethet më japin frymëzim për t’i vendosur krijimet e mia në lëvizje, sikur të jenë reale.

Çfarë mjetesh përdor për të krijuar artin tënd?

Mjetet e punës janë thjesht një pllakë druri e vogël, duart e mia dhe bimët. Është një punë e vështirë që më merr shumë energji. Punoj duke i kombinuar gjethet e bimëve, apo petalet e luleve. Zgjedh gjithnjë gjethe të freskëta, të buta, elastike në mënyrë që të jenë lehtësisht të punueshme. Nuk i lidh me asgjë, nuk i ngjit, nuk i qep, është gjithçka e lirshme. Nëse përdor produkt ngjitës imazhi shëmtohet dhe nuk ta jep imazhin që kam krijuar. Pastaj pasi e krijoj e fotografoj dhe e hedh ne rrjetet sociale ku gjithmonë zgjedh edhe vijën muzikore që e shoqëron krijimin. 

Si e mbron bimën nga duart e tua, sepse ti më tregove që punon me duar.

Me ndihmon bima vetë, freskia e gjetheve apo petaleve. Gjithçka e përdor të freskët, sa kohë ajo ka gjallëri krijohet si dua unë. Nëse thahet i humbet gjallëria, elasticiteti, freskia, për mua nuk ka më jetë.

Si ndahesh nga krijimi yt? Sepse më thua që krijimi yt nuk ka jetëgjatësi.

Ah, të them të drejtën ndahem me dhimbje. Zakonisht krijimet e mia nuk jetojnë më shumë se 3 apo 4 orë. Por unë i fotografoj dhe ato mbeten po aq të gjalla dhe të bukura sa edhe në momentin që i kam krijuar.

Kam bërë përpjekje për të gjetur mënyra për t’i ruajtur apo për t’i jetëzuar, kam përdorur njohuritë e mia në kimi por më duket e pamundur ta realizoj. Kam provuar me rezinë, ujë xhami dhe ta vendos në kornizë të mbyllur. Por me të tria format kam dështuar. Imazhi e humbet gjallërinë dhe nuk ka më jetë.

Ke menduar se si të komunikosh me adhuruesit e artit tënd?

Unë të gjitha punimet e mia i hedh ne facebook, tani kam nisur të përdor edhe instagramin. Mendoj se janë gjëra që njerëzve u japin kënaqësi sikur marr unë ndërsa krijoj. Në fillim e nisa si kënaqësi personale, por reagimet kanë qenë aq pozitive, aq sa jam befasuar dhe tashmë kam nisur ta shoh ndryshe gjithçka. Me këtë rast meqë jemi në prag festash dua t’i uroj të gjithë Gëzuar me krijimet e mia.

Intervistoi: Ana Bisha

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x