23.5 C
Tirana
27 / 07 / 2024

Lindita Nikolla: Nënë Tereza na bëri një komb të madh 

Në ditën e shenjtërimit, Kryetarja e Kuvendit reagon përmes një mesazhi dërguar komunitetit shqiptar në Selanik

Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, i dërgoi një përshëndetje konferencës kushtuar Nënë Terezës, organizuar nga komuniteti shqiptar i Selanikut, në 3 shtator.

“Ju falenderoj për ftesën për të marrë pjesë në këtë aktivitet të bukur që komuniteti shqiptar i Selanikut i kushton Nënë Terezës. Në pamundësi për të qenë fizikisht mes jush, po ju dërgoj disa përjetime të miat për Nënë Terezën, këtë shqiptare të madhe, e cila me emrin dhe veprën e vet e bëri kombin tonë një komb të madh, me kontribute të shënuara në qytetërimin bashkëkohor.

Këto ditë kombi shqiptar dhe mbarë bota përkujtojnë tre ngjarje të shënuara për Nënë Terezën: ditëlindjen në 26 gusht, ndarjen nga jeta në 5 shtator 1997 dhe shenjtërimin në 5 shtator 2016.

Ne, shqiptarët, kemi një arsye më shumë për ta kujtuar e për tu krenuar me këtë grua, nobeliste, Nënë dhe Shenjtore, një pasuri e vyer e kombit tonë. Rrallë ndodh, madje shumë rrallë, që një personalitet të jetërsojë njëkohësisht shënjtërimin dhe shpalljen nobeliste e paqes.

Jeta e nënë Terezës është një shembull i madh inspirimi për të gjithë. Me jetën, përkushtimin, mësimet dhe veprën e saj, Nënë Tereza na frymëzoi dhe edukoi ta shohim botën me sytë e dashurisë, shërbimit, mirësisë, paqes dhe besimit.

Nënë Tereza do të vazhdojë përjetësisht t’u japë gëzim e ndriçim miliarda njerëzve. “Paqja fillon me një buzëqeshje”, na mëson Nënë Tereza. Dhe buzëqeshja e saj ka qenë e do të jetë burim besimi e shprese për adhuruesit e besimtarët në mbarë globin.

Nënë Tereza ishte simboli i dhimbshurisë dhe dashurisë njerëzore, avokatja e të varfërve, të dobtëve, të pambrojturve, madje edhe emigrantëve e të shpërngulurve nga Atdheu a vatrat familjare.

Nënë Tereza ishte dhe do të jetë frymëzim i humanizmit, solidaritetit dhe përkushtimit ndaj njerëzve në nevojë. “Shërbimi dhe veprimet e dhembshura janë fryt i dashurisë.”

Nënë Tereza ishte edhe një shërbëtore e angazhuar e paqes. Sot janë domethënëse fjalët e Nënë Terezës: “Paqja nuk vjen me pushkë e bomba, por me dashuri e dhembshuri!”

Është detyra dhe nderi ynë si shqiptarë që t’i bëjmë pjesë të kulturës sonë shpirtërore e kombëtare mësimet e saj. Të udhëhiqemi e ndriçohemi nga dashuria e toleranca dhe të mos na errësohen gjykimet nga mëritë dhe urrejtja.”, shkruan Kryetarja e Kuvendit, Nikolla.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x