9.5 C
Tirana
17 / 02 / 2026

“Ligji po ndryshohet për interesat e PS”, Nano: Rama gaboi që refuzoi dorëheqjet e Ballukut

Analisti Mustafa Nano komentoi për edicionin e lajmeve në MCN TV ndryshimet ligjore që pengojnë gjykatat të pezullojnë ministrat dhe funksionarët e lartë.

Nano nënvizon këtu se ligji që i jep të drejtë gjyqtarit të pezullojë një funksionar të lartë të zgjedhur apo të emëruar ishte i gabuar, por fakti që ndryshimi i tij po bëhet për një interes konkret të maxhorancës bie erë. Qeveritë serioze i ndryshojnë ligjet me një logjikë tjetër.

“Ka disa gjëra për të nënvizuar. Së pari, të bën përshtypje motivimi, mbi bazën e të cilit ndryshohet një ligj: në rastin konkret motivimi është një interes i maxhorancës. Ligjet nuk ndryshojnë në këtë mënyrë”.

Ai shtoi se problemi kryesor është se në qeveri ndodhet një person i akuzuar.

“Por këtu problemi është një tjetër. Ndryshimi i ligjit lë një problem të madh të pazgjidhur. Në qeverinë Rama mbetet një anëtar i kabinetit, mbi të cilin rëndon një akuzë e rëndë.

Qeveritë serioze nuk mbajnë brenda vetes anëtarë nën akuzë. Ministri duhet të largohet, edhe pse prezumohet i pafajshëm derisa të provohet fajtor. Rama, sipas meje, ka gabuar që ka refuzuar tri herë dorëheqjen e Ballukut. Në lojë është imazhi i një vendi. Ligji është pak i çuditshëm, nuk duhet të ishte”.

Sa i përket akuzave të ngritura nga Rama ndaj Prokurorisë së Hagës nga Prishtina, Nano tha nuk është një gjuhë kryeministrore dhe se duhet gjetur gjuha e duhur për të mbajtur një qëndrim ndaj prokurorisë speciale.

“Ndalemi pak edhe tek fjala e Ramës sot në Kosovë. Kryeministri nuk i kurseu epitetet, duke e quajtur organin e akuzës një prokurori idiotësh, dhe duke kritikuar kërkesën për dënimin e liderëve me 180 vite burg.

Nuk është një gjuhë kryeministrore. Gjuha është e papërshtatshme. Qëndrimi është një qëndrim që duhet mbajtur sepse këtu nuk është në lojë nderi dhe reputacioni i katër personave, por po gjykohet historia e Kosovës. Në bangën e të akuzuarëve kemi historinë e UÇk-së, jo katër persona.

Pres që dënimi të ulet shumë. Pretenca e prokurorëve m’u duk me një gjuhë politike, jo juridike. Besoj se avokatët e Thaçit e Co., do t’ia dalin. Kam bindjen se dënimi i tyre do ulet shumë. Dhe nëse ata dënohen, kjo dënon historinë e çlirimit të Kosovës dhe e nxjerr këtë histori si kriminale. Prandaj kam pritur një reagim të fortë nga Prishtina.

Nuk duhet që lufta e Kosovës të mbetet në histori si një luftë gangsterësh. Kam përshtypjen se e vërteta nuk është kjo. Dhe është kjo gjëja më e rëndë që po ndodh në Hagë këto ditë. Është vënë në bankën e të akuzuarve historia e Kosovës”, u shpreh Nano.

Artikujt më të kërkuar

1
0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x