“Një libër është një ëndërr që e mbani në duar.” Neil Gaiman
23 prilli është dita botërore e librit dhe i të drejtës së autorit ©. Është një ditë ndërgjegjësimi për të gjithë në mbrojtje të të drejtave të përdorimit të veprave të autorëve, për të inkurajuar dhe zbuluar kënaqësinë që jep leximi dhe kontributi që japin krijuesit në zhvillimin social dhe kulturor të shoqërisë.
Është një datë e vendosur në nderim të tre figurave universale të letërsisë, Servates, Shekspir dhe de la Vega. Vendi i parë që e krijoi këtë traditë ishte Katalonja, në Spanjë, ku të gjithë dhurojnë një trëndafil në këmbim të një libri.
Kuptohet që kjo ditë merr vlerë ku përfshihen së pari autorët, botuesit, librarët, bibliotekat apo edhe institucionet publike e private, e po kështu edhe mediat.
Mbi 100 shtete e festojnë masivisht këtë datë ku përfshihen mijëra njerëz të të gjitha moshave ku qëllimi mbetet gjithnjë një dhe vetëm një – rritja e vëmendjes ndaj librit, rritja e numrit të lexuesve.
Islandezët, jo festë në 23 prill
Ka një vend si Islanda që ka zgjedhur të festojë në një datë tjetër – 24 dhjetor, pikërisht në vigjilje të krishtlindjeve ku miq dhe të afërm e kanë traditë të dhurojnë libra, shumë libra.
Kush lexon më shumë?
Nga studimet e realizuara në disa vende europiane duket se mes dy gjinive gratë janë ato që lexojnë më shumë. Po kështu, edhe pse teknologjia është në një zhvillim të vrullshëm, lexuesit vazhdojnë të parapëlqejnë librin të printuar në letër krahasuar me atë që ofrojnë lexuesit digjitalë. E ardhmja parashikon që libri digjital do të jetë më masiv, nëpërmjet tabletave, smartfonëve apo laptop, por ende jemi larg. Edhe pse tek këta lexues, duhet ta pranojmë se mund të mbash me mijëra libra.
Audio-libri një e ardhme që po pëlqehet shumë
Një nga zgjedhjet që është pëlqyer shumë kohët e fundit është edhe audiolibri. Të lexosh ndërsa je duket udhëtuar me biçikletë apo duke shëtitur, shoqëruar nga një zë bashkudhëtar, duket një risi e re që po pëlqehet.
Kryeqyteti botëror i librit
Çdo vit ka një simbolikë të veçantë, një qytet zgjidhet si kryeqyteti botëror i librit. Kriter është iniciativa e zgjedhur për këtë ditë. Unesco, që nga viti 2001, çdo vit përzgjedh kryeqytetin botëror të librit. Vendi i parë që e ka nisur këtë iniciativë ka qenë Madridi, më pas Nju Delhi, Antwerp, Montreal, Torino, Bogota, Amsterdam, Bejrut, Lubjanë etj.
Si mund të bëhesh kryeqytet i librit?
Guadalajara u pranua si i tillë për shkak të iniciativave që mori për bibliotekat, sallat e leximit, libraritë, shtëpitë botuese të pavarura dhe një Panair të madh libri.
Këtë vit kryeqyteti botëror i librit është Tbilisi. Ndërsa për vitin 2024 nga Unesco është nominuar Strasburgu.
Qytetet që zgjidhen angazhohen të realizojnë aktivitete mbi librin dhe leximin për të gjitha grupmoshat, jo vetëm për datën simbol 23 prill por gjatë gjithë vitit.
Pushteti i librit
Umberto Eko e ka përcaktuar qartësisht – kush lexon jeton njëherësh shumë jetë, sepse udhëton me sytë e mendjes, njeh realitetin dhe personazhet na mësojnë gjithçka për jetën dhe të papriturat që na rezervon ajo.
Ndaj është e rëndësishme që të festojmë dhe të ndikojmë sa më shumë që dashuria për librin të ngjizet që në vogëli te fëmijët, sepse askush nuk ka pushtetin që ka libri për ti bërë fëmijët të lumtur, plot fantazi dhe eksperienca.