Lea Salonga është nderuar me një yll në Hollywood Walk of Fame, duke u bërë artistja e parë filipinase që merr këtë vlerësim.
Ylli i saj mban numrin 2,855. Gjatë ceremonisë, aktorja dhe këngëtarja e vlerësuar me shumë çmime rikujtoi rrugën e nisur në skenë, ndërsa me humor imagjinoi reagimin që do të kishte versioni i saj shtatëvjeçar përballë këtij momenti.
“Shumë kohë para Hollywood-it, shumë kohë para Broadway-t, ishte Manila. Nëse do t’i kishit thënë Leas shtatëvjeçare, kur ajo debutoi në teatër me shfaqjen ‘Mbreti dhe Unë’ në Filipine, se pothuajse gjysmë shekulli më vonë do të qëndronte në Hollywood Boulevard, përpara këtij teatri historik, e rrethuar nga kaq shumë miq, të afërm dhe kolegë të dashur, për të marrë yllin e saj në Walk of Fame, ajo do t’ju kishte përgjigjur: ‘Ku është? Çfarë është kjo?’”, tha Salonga në fjalimin e saj.
Ajo nënvizoi se kjo arritje nuk do të ishte e mundur pa ndihmën dhe përkrahjen e njerëzve që e kanë shoqëruar përgjatë karrierës.
“Asnjë karrierë nuk është kurrë vepër e një personi të vetëm. Pra, nëse do ta bënin këtë yll mjaftueshëm të madh, do të kishte shumë emra në të”, u shpreh ajo.
Salonga u shprehu mirënjohjen të gjithë atyre që e kanë dashur, mbështetur, mbrojtur dhe nxitur, duke përfshirë mësuesit, regjisorët, kompozitorët dhe tekstshkruesit që kanë ndikuar në formimin e saj artistik.
Një falënderim i veçantë iu drejtua nënës së saj, Ligaya, e cila ishte e pranishme në ceremoni dhe e ka mbështetur që në fillimet e karrierës së së bijës.
Artistja rrëfeu se Ligaya financoi prodhimin e albumit të saj të parë dhe më pas shkoi në dyqanet e muzikës për ta promovuar atë.
“Ajo ishte menaxherja ime për dekada, mbështetësja ime gjatë gjithë jetës. Asgjë nga këto nuk do të kishte ndodhur pa të”, tha ajo.
Aktorja dhe këngëtarja përmendi gjithashtu vëllain e saj, Gerard, i cili është kompozitor dhe dirigjent. Ndërsa djalin e saj, Nick Chien, e përshkroi si burimin më të madh të frymëzimit.
Gjatë 45 viteve në skenë, Salonga ka ndërtuar një karrierë të suksesshme dhe ka marrë pjesë në ngjarje të rëndësishme. Ajo ka performuar për Princeshën Diana dhe Mbretëreshën Elizabeth II, si dhe ka qenë pjesë e aktiviteteve zyrtare për gjashtë presidentë filipinas dhe katër presidentë amerikanë.
Salonga e mbylli fjalimin me shpresën se ky vlerësim do t’u japë kurajë artistëve të rinj filipinas.
“Shpresoj që një ditë, një fëmijë i vogël nga Filipinet që vjen në Hollywood do ta shohë emrin tim dhe do të mendojë: ‘Ndoshta mund t’ia dal edhe unë këtu’”, përfundoi ajo.