8.5 C
Tirana
02 / 02 / 2026

“Kur fjala behet jete”- Rrëfimi Frymëzues i Isida Dervishhasanit

Nga Edlira Cini

Nga një vajzë pa zë në Shqipëri, në një shkrimtare që sot frymëzon përtej kufijve. Isida Dervishhasani rrëfen udhëtimin e saj mes sfidave, krijimtarisë dhe dashurisë për atdheun.

Isida, cila është arritja juaj më e madhe në jetë?

Isida Dervishhasani: Arritja ime më e madhe është kalimi nga të qenit analfabete në të qenit shkrimtare. Në Shqipëri nuk kisha zë dhe nuk dija të shprehja veten. Shkrimi më dha mundësinë të tregoj kush jam vërtet.

Si ishte jeta juaj para se të fillonit të shkruanit?

Isida: Askush nuk më njihte plotësisht, as familja ime. Mbaja gjithçka brenda vetes. Nuk kisha mënyrë ta shprehja botën time të brendshme, derisa fillova të shkruaj.

Si reaguan familja dhe miqtë tuaj ndaj shkrimeve tuaja?

Isida: Përmes shkrimit, ata panë “djallin pas buzëqeshjes” (qesh). Filluan të më kuptonin më mirë dhe të njihnin Isidën e vërtetë.

A e konsideroni shkrimin si profesion?

Isida: Jo vetëm si profesion. Edhe pse nuk mund të punoj në fusha të tjera për shkak të aftësisë së kufizuar, shkrimi për mua është pjesë e jetës, jo thjesht punë.

Sa ndikojnë hobet tuaja në krijimtarinë tuaj?

Isida: Shumë. Muzika, filmat dhe serialet janë burime frymëzimi. Tekstet e këngëve janë poezi dhe gjithçka që më pëlqen lidhet me fjalën e shkruar.

Çfarë roli luan Shqipëria në veprën tuaj?

Isida: Shqipëria ka një ndikim shumë të madh. Edhe pse jetoj prej 25 vitesh në Kanada, shpirti im shkruan poezi shqip, edhe kur përdor anglishten.

Çfarë ju sjellin udhëtimet në atdhe?

Isida: Çdo vizitë më mbush me ide për poezi, ese dhe prozë. Kur kthehem në Toronto, i kthej këto ide në shkrime. Shpesh them se pushimet e mia janë gjithmonë punë.

Si e përjetoni lidhjen me Shqipërinë nga larg?

Isida: Jam shumë e lidhur shpirtërisht me Atdheun. Edhe nga Kanadaja, ndjek zhvillimet dhe ndikohem prej tyre.

Si e shihni aftësinë tuaj të kufizuar?

Isida: E shoh si motivim. Kam qarë shumë pak për këtë gjendje. Më ka shtyrë të bëj gjëra që nuk janë bërë më parë nga një person shqiptar me aftësi të kufizuara.

A ju ka penguar kjo në realizimin e ëndrrave tuaja?

Isida: Jo. Gjithmonë e kam parë veten si një vajzë normale që jeton jetën plotësisht.

Cilat janë synimet tuaja për të ardhmen?

Isida: Dua të jem zë për personat me aftësi të kufizuara në Shqipëri. Ata janë shumë të margjinalizuar dhe kanë nevojë për më shumë mbështetje.

Çfarë mesazhi dëshironi t’u përcillni lexuesve?

Isida: Që çdo njeri mund të gjejë zërin e vet, pavarësisht vështirësive. Shkrimi më shpëtoi mua dhe më ndihmoi të njoh veten.

(Kjo intervistë është dhënë për për Albanian News)

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x