14.5 C
Tirana
16 / 05 / 2026

Kundërshtari i vërtetë i opozitarizmit

Nga Ledio Alite

Le të imagjinojmë për një moment një opozitë krejt të papërfolshme dhe plot energji.

Sokoli (avokat), Melisa (inxhiniere), Arturi (ekonomist) dhe Anja (arkitekte). Të katërt këto profesionistë opozitarë nuk kanë asgjë tjetër për të ofruar përveç fjalës, ekspertizës profesionale dhe karizmës së tyre si persona. Le të imagjinojmë se janë të votuar nga një pjesë e qytetarëve dhe kanë kohën e tyre për të shpërndarë mesazhe si në foltoren e Parlamentit, ashtu edhe në hapësirën televizive. Kohë dhe takime, plot.

Kujt do i flasin këta opozitarë? Opozita e ka luksin të jetë ideale në kërkesat e veta mbi shtetin e së drejtës, zbatimin e ligjit, krijimin e ligjit që sjell prosperitet në një shoqëri. Opozita e ka luksin se ia ka dhënë ky sistem politik i një republike kushtetuese, të grushtojë me kritikat e saj sa të mundet, sepse ky është roli i saj pozitiv në zhvillimin e shtetit. Pra, opozita është një ofertë shprese. Por, e vetmja fuqi që ka është fjala, dhe ashensori i ngjitjes në pushtet mbahet mbi kavot e besimit.

Kujt do i flasin këta opozitarë? 

Pa hyrë në pyll. Tetëmbëdhjetë vjeçarit të zhytur në rrjete sociale? Studentes konformiste? Atij djalit që do të pasurohet në çdo mënyrë me qëllim që të ndihet i respektuar? Apo asaj vajzës që e la një djalë të mrekullueshëm se nuk dukej të kishte një të ardhme materiale? Babait që rreh nënën e fëmijëve nga stresi? Që plotëson detyrën si prind vetëm me para? Apo nënës që do të konkurrojë të bijën për modernizëm? Biznesmenit që çdo natë numëron para dhe probleme? Punëtorit shumë të zënë me punë për të paguar faturat? Karrieristit pa asnjë ndërgjegjje sociale? Apo një baristi që do të emigrojë pasi çdo natë u servir pije të mira njerëzve me mendime jashtë orbite? 

Kujt do i flasin?

Fqinjit që për sport natën telefonon policinë se dikush qeshi më shumë? Shoqes që e shiti shoqen për një darkë? Apo shokut që e la në baltë shokun për një ‘pozitë’ në shoqëri? Drejtorit që për mëngjes ha adrenalinë? Apo punonjësve që ushqehen vetëm me ëndrrën individualiste? Le të imagjinojmë pra, këta opozitarë, se kujt do i flasin.

Të gjithë këta personazhe, do të përmblidheshin në një realitet nxitës të këtij stresi social, realitetin ekonomik. Kolona zanore e gjithë kësaj parodie do të ishte perla sarkastike e vëllezërve Zena: “Vetëm leku e çon ujin përpjetë (ose Mirëmëngjesi Interesi)”. Një vepër muzikore popullore që meriton një çmim ndërkombëtar për sarkazmën që i drejton njeriut që nuk njeh ëndërr, por vetëm interes. Kënduar nga njeriu i mirë, i pakicës, i dekurajuar në mendimin se çdo gjë shitet dhe çdo gjë blihet në këtë jetë të shkretë.

Al Pacino ka luajtur një rol shumë të madh në filmin “Avokati i Djallit”. Sipas këtij personazhi, mëkati i preferuar i së keqes, është pikërisht sqima! Ideja se nuk kemi nevojë për të tjerët, por vetëm interes. Dhe për rrjedhojë, zero ëndrra, zero guxim. Një përplasje midis së mirës dhe së keqes. 

Kujt do i flasin këta opozitarë që gjithçka kanë është fjala? 

Ky është kundërshtari i vërtetë i opozitarizmit në Shqipëri sot. Një shpirt i vogël!

Imagjinoni…

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x