12.5 C
Tirana
14 / 02 / 2026

Ku është Parajsa?

Nga Arta Marku

Përsiatje mbi librin “Këtu është parajsa”, përkthyer nga Eleana Zhako, botim i Shtëpisë Botuese Mediaprint

Shqiptarët papritmas filluan t’i bëheshin pjesë e përditësisë. Ishte mësuese dhe në klasat e saj filluan të vinin nxënës nga Shqipëria. Në fillim më pak e më pas më shumë. Në shtëpinë e babait, në Rodos, erdhën fqinj të rinj, nga përtej kufirit që ende nuk dinin të flisnin greqisht dhe rrinin disi të izoluar. Shumë shpejt shqiptarët do të hynin e të bëheshin pjesë e miqësive të saj sikurse Athinaja. Çfarë kish ditur për ta deri askohe, kur realiteti filloi të mbushej me detaje te reja, ishte pothuaj asgjë, nëse nuk do të llogaritej informacioni që “populli shqiptar jetonte i izoluar brenda kampit të një regjimi jo të lirë”.

Por, si ishin shqiptarët? Si e konceptontin ata jetën?

Si ndiheshin teksa kishin lënë shtëpitë e tyre për t’u bërë pjesë e një mjedisi të panjohur?

A ndiheshin të huaj? A ndiheshin vetëm? A e kishin gjetur “tokën e premtuar”?

A e ruanin dinjitetin?

A rrekeshin ta mbanin fort shtrënguar lavdinë e një herë e një kohe që u kish përkitur në vendin e tyre?

Duke qenë shkrimtare ajo s’mund ta shpërfillte realitetin e ri që po i ofronte disa tone ngjyrash të panjohura më parë. Ishte thuajse si një rrjetë në të cilën kish rënë dhe nuk mund të dilte dot më.

Kështu Kristina Frangeskaki vendosi të shkruajë librin KËTU ËSHTË PARAJSA.

***

E nisi herët por iu desh ta mbante gati 20 vjet në dorë, për t’ia gjetur fillin një lëmshi që nuk ishte i lehtë të shpështillej.

Personazhet i kishte gati. Nuk lipsej shkuar larg. Ishte nxënësi që kishte ndryshuar emrin për t’u njëjtësuar me të tjerët por bënte dallim nga të tjerët duke qenë fort i zoti në shkollë. Ishte e ëma që kish qenë mësuese në Vlorë por që në ishullin grek i duhej të pastronte banjat e një hoteli. Pastaj u shfaq burri i familjes, gjithjë i veshur me kostum dhe në vesh mbante një radio të vogël dore. Mesa duket ndarja nga vendi prej nga kishte ardhur i peshonte ndaj përpiqej të rrinte i lidhur përmes sinjalit të radios që me gjasë, herë herë i vinte i dobët nga matanë detit. Si lidhja e emigrantit tekefundit që, aty këtu, brishtësohet dhe duket sikur do të këputet pa u këputur gjithsesi. Edhe ai kish qenë mësues në qytetin e vet, mësues matematike, por pasi kish ngurruar gjatë ta ndiqte apo jo të shoqen dhe dy djemtë që kishin guxuar të parët të iknin, vijonte sërish të ngurronte për të marrë vendimin nëse do ta lejonte mësuesin brenda vetes të shndërrohej në punëtor ndërtimi. Asgjë kundër në fakt, ndaj çdo lloj pune, por nuk ishte puna e tij, nuk e bënte dot, nuk dinte… ndaj dhe për pasojë fatale.

***

“Këtu është parajsa” nuk është thjesht rrëfim mbi jetën e një familjeje shqiptare që le Vlorën dhe vendoset në Rodos të Greqisë.

“Këtu është parajsa” është libri i psikologjisë së këtyre njerëzve që ikin me kokën pas, duke u kalamendur mes përpjekjeve për t’u përshtatur në realitetin e ri e të vështirë dhe pamundësisë për t’u shkëputur plotësisht nga e djeshmja që natyrshëm kishte hedhur rrënjë brenda tyre. Tekefundit çfarë ishte PËRPARA qe fort e rëndësishme: do t’u siguronte një jetë më të mirë. Më shumë akoma do tua shndërronte mbijetesën në jetesë normale. Por çfarë ishte PAS qe po aq e rëndësishme: ishte vetja e tyre siç do të kishin dashur edhe ata vetë që të ishte.

Një mësuese rusishtjeje dëshiron të jetë mësuese rusishteje në vend që të jetë pastruese në një hotel.

Një mësuese rusishtjeje gjithsesi nuk ia del të mbijetojë si e tillë ndaj nuk sheh rrugë tjetër më të mirë veç të bëhet pastruese hoteli në mënyrë që mos jetë e detyruar të përshtatet me mbijetesën.

Kur zgjodhi rrugën e shndërrimit, me vete mori fustanet që i rrijnë bukur për shtat dhe të kuqin e buzëve. Po, do të shkojë të pastrojë por kështu së paku nuk do “ta marrin për gjynah”, në ralitetin e ri. Nuk e ka më të lehtë rrugën, megjithatë.

– Ç’punë bëje më parë? – e pyesin në prefekturë ku shkon të bëjë letrat e qëndrimit pas sorollatjave pafund nga një zyrë në tjetrën.

-Mësuese rusishtjeje – u thotë. Por, heshtja nga ana tjetër nëkupton mosbesim.

Një mësue rusishtjeje është e gatshme të pastrojë banjat e një hoteli?!

Duket si absudre por është realitet emigranti. Kush nuk e njeh vështirë ta kuptojë. As paradoksin e kapjes me thonj pas të shkuarës teksa do njëkohësisht të ecës drejt të ardhmes.

– Tani më quajnë Andrea. Më parë më quanin Gëzim, – thotë nxënësi më i ri në klasën e një shkolle të ishullit grek duke shkaktuar ilaritet mes nxënësve. Ata nuk mund ta kuptojnë se MË PARË është një gjë e rëndësishme që rivalizon fort me TANI, ndaj qoftë edhe në mënyrë të pavetëdijshme, emigranti i vogël kërkon t’ua tregojë të tjerëve.

***

Historia është e thjeshtë, por peshon. Me gjasë akoma më shumë për ata lexues që e kanë provuar mbi lëkurë historinë e Gëzimit, të nënës së tij apo të babait. S’ka pse të jetë një përputhje e pikëpërpiktë e realitetit të njëmendtë me realitetin letrar. Thelbi është brenda sipërfaqes.

Ndaj mu duk kaq i natyrshëm reagimi i një shkrimtari shqiptar, Liridon Mulaj, që falë këtij libri mësova se paskësh përjetuar përvojën e emigracionit në Greqi kur kish qenë fëmijë. I kish kërkuar përkthyeses së librit Eleana Zhako t’i tregonte shkronjat greke për t’u lidhur përmes fb me shkrimtaren greke dhe i shkroi:

– Lexova veten, – i tha pak a shumë duke e falenderuar për “pikturën” e saj.

Ajo vetë duhet ta ketë profetizuar një lloj reagimi të tillë apo të ngjashëm kur e pat kërkuar dhe gjetur përkthyesen për t’i propozuar që ta sillte librin edhe në gjuhën shqipe.

Në qofsh emigrant që ke hedhur rrënjë në vendin e ri, në qofsh emigrant që je kthyer në vendin tend por edhe në mos paç qenë kurrë emigrant, gjithjë ia vlen refkektimi:

mbi ikjen dhe dilemat që e shoqërojnë pashmangshëm;

mbi vendimet e vështira dhe ndryshimet e domosdoshme;

mbi vetminë dhe të qenët i huaj;

mbi dinjitetin që troshitet por nuk shembet;

mbi pengesat nga pritësit por edhe për luftën brenda llojit;

mbi të djeshmen e marrë me vete, si një bazament mbi të cilën ngrihet një e sotme tjetër.

Në fund të fundit, një reflektim mbi Parajsën që ndërtohet mbi dhimbjen…

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x