25.5 C
Tirana
16 / 08 / 2026

Kosova, peng i partive dhe interesave politike

Kosova nuk po kalon më një krizë të zakonshme politike. Kriza është zgjatur aq shumë dhe është përsëritur aq shpesh, sa ka filluar të bëhet gjendje normale e shtetit. Dhe tani, kur anija po fundoset, klasa jonë politike sillet sikur nuk po ndodh asgjë. Ata nuk duken të shqetësuar për pasojat që kjo krizë po i shkakton vendit, por janë të preokupuar me një gjë tjetër: si të arrijnë në pushtet, ta ruajnë atë ose ta marrin me çdo kusht.

Partitë politike po sillen mes vete sikur të ishin në pazar. Secila pret, secila bën sikur është e interesuar për zgjidhje dhe secila përpiqet të paraqitet si viktimë, sikur fajin ta ketë gjithmonë pala tjetër. Bisedimet bëhen pothuajse si tregti: “Të jap kaq ministri.” “Jo, nuk kam hesap.” Kështu, postet dhe institucionet e shtetit trajtohen sikur të ishin mall për pazar, ndërsa me dëmin që po i bëhet vendit nuk merret askush.

Pushteti po sillet sikur: “Kam dalë i pari, prandaj më takon gjithçka”, edhe pse numrat tregojnë se pa marrëveshje me të tjerët nuk mund të vendosë i vetëm. Opozita, në anën tjetër, sillet sikur çdo dështim i pushtetit është automatikisht sukses i saj dhe sikur bllokimi i tij e afron me rikthimin në pushtet. Njëri kërkon ta imponojë vullnetin e vet, tjetri kërkon ta pengojë.

Në të kaluarën, edhe pse ka pasur mosmarrëveshje dhe përplasje të forta politike, disi është ruajtur një nivel dhe një kufi. Kohët e fundit kjo ka ndryshuar. Ka humbur durimi, është ashpërsuar gjuha dhe kemi parë gjithnjë e më shumë agresivitet, deri edhe në incidente dhe përplasje fizike. Kjo është shenjë e rrezikshme, sepse kur politika kalon nga përplasja e ideve në përplasje fizike, kriza hyn në një fazë tjetër dhe rrezikon të eskalojë edhe më tej.

Nga e gjithë kjo, Kosova nuk ka luksin të presë. Ekonomia ka nevojë për zhvillim, vendi për investime, arsimi për reforma, ndërsa të rinjtë po kërkojnë perspektivë jashtë vendit. Edhe sfidat ndërkombëtare nuk pushojnë vetëm sepse partitë tona nuk arrijnë të merren vesh. Koha që po humbet në këtë konflikt politik nuk kthehet më.

Në aspektin ndërkombëtar, pothuajse askush nuk merret me ne si më parë. Kjo tregon se Kosova ka humbur jo vetëm vëmendjen, por edhe një pjesë të besimit dhe peshës që kishte në arenën ndërkombëtare. Politika e jashtme dhe diplomacia jonë nuk po tregojnë rezultate të dukshme. Mjafton të pyesim: kur ishte hera e fundit që Kosovën e vizitoi një president apo kryeministër i një shteti të rëndësishëm, ose kur liderët tanë zhvilluan një vizitë serioze jashtë vendit me rezultate konkrete? Kur politika e brendshme është vazhdimisht në krizë, bie edhe respekti për shtetin jashtë vendit.

Dhe, pas gjithë kësaj, përgjegjësinë askush nuk e merr. Pushteti fajëson opozitën, opozita pushtetin, ndërsa kriza vazhdon.

Kosova nuk mund të vazhdojë pafund me bllokada, pazare për poste dhe akuza të ndërsjella. Kur interesat partiake bëhen më të rëndësishme se funksionimi i shtetit, atëherë problemi nuk është më vetëm politik. Kjo tregon se Kosova është bërë peng i partive dhe interesave të tyre politike.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x