16.5 C
Tirana
04 / 02 / 2026

Korçë, reshje dëbore gjatë natës/ Po punohet për hapjen e rrugës Shtyllë-Panarit (FOTO)

Gjatë natës në qarkun e Korçës ka pasur sërish reshje dëbore të cilat kanë rënë në lartësinë mbi 900 metra. Reshjet kanë qënë më të dendura në fshatrat turistikë të Dardhës e Voskopojës, në Devollin e Sipërm dhe në njësinë administrative Vithkuq bashkia Korçë.

Borë ka pasur edhe në fshatrat e njësive administrative malore të Pogradecit dhe Maliqit, por reshjet kanë qënë me intensitet më të ulët.

Trashësia e dëborës në rrugën e Dardhës nga km 4 – km 13, ka shkuar nga 10-25 cm, në rrugën Korçë-Voskopojë nga km 7-km 18, nga 5-15 cm. Po ashtu reshje dëbore ka pasur edhe në aksin rrugor Korçë-Qafa e Qarrit-Ersekë nga km 12 deri km 30 ku trashësia e borës ka qënë nga 5-15 cm.

Situata duket më e rëndurar në aksin Shtyllë-Panarit, ku në Majë të Mashkullorës bora ka shkuar deri në 70 cm.

Burime zyrtare nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, sektori Korçë kanë bërë me dije se firmat kontraktore kanë punuar gjatë natës për pastrimin dhe kriposjen e akseve rrugore nacionale e turistike me 7 mjete borëpastruese dhe po vijon puna për mirëmbajtjen e tyre.

Po sipas të njëjtave burime në rrugën e Dardhës nga km 8 – km 13 kalimi i mjeteve bëhet me zinxhirë ose goma dimërore në orët e paradites. Ndërkohë që në akset e tjera qarkullimi i mjeteve bëhet pa probleme dimërore, por rekomandohet përdorimi i gomave dimërore.

Burime zyrtare nga ndërmarrja e shërbimeve publike bashkia Korçë, kanë bërë të ditur se rruga nga Vithkuqi deri në fshatin Shtyllë është e hapur dhe puna tashmë është përqëndruar në hapjen e rrugës Shtyllë-Panarit, ku vështirësia haset nga trashësia më e madhe e borës të rënë në këtë zonë.

Ndërkohë nuk raportohen probleme sa i përket qarkullimit në fshatrat e Devollit të Sipërm, apo në njësitë e tjera malore të qarkut të Korçës ku gjatë natës ka patur reshje dëbore.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x