10.5 C
Tirana
30 / 01 / 2026

Korçë, nuk ka raste me Covid-19/ Intensitet i ulët infektimesh gjatë vitit 2022, krahasuar me 2021-shin

Prej disa javësh nuk ka pasur asnjë rast të rregjistruar me Covid-19 në Njësinë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Korçë, që përfshin bashkitë Korçë, Maliq e Pustec.

Lajmi është bërë me dije nga drejtori i kësaj njësie Mikel Llogori, kur tha se rastet kanë qënë të pakta gjatë muajit të parë të vitit 2023.

Gjatë kësaj periudhe ka pasur testime, kryesisht në dy urgjencat e shërbimit spitalor të Korçës, atë të pediatrisë dhe të spitalit, ashtu siç ka pasur testime edhe për pacientët e shtruar, të cilët kanë rezultuar negativë.

Nga ana tjetër drejtori i Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Korçë, Mikel Llogori duke u ndalur tek statistikat e vitit të kaluar, tha se ka qënë një situatë shumë më e qetë se ajo e vitit 2021, ku ka patur 3088 persona të infektuar me Covid-19, ndërkohë që viti 2022 ka patur 1866 raste infektimesh, pjesa më e madhe e të cilëve janë trajtuar në kushte shtëpie.

Duke qëndruar tek statistikat në vitin 2021 në bashkitë Korçë, Maliq e Pustec, ka pasur 53 humbje jete, ndërkohë që në vitin 2022 vetëm 10 raste. Në të gjitha rastet humbjet e jetës kanë qënë spitalore, çka tregon se gjendja shëndetësore e pacientëve ka qënë e rënduar.

Sa i përket vaksinimit kundër koronavirusit ai vijon me dozat përforcuese. Sipas Llogorit deri tani rreth 52 mijë persona janë të vaksinuar me të dy dozat, ndërkohë që 14 mijë kanë marrë tashmë edhe dozën e tretë.

Prej fillimit të fushatës së vaksinimit në vendin tonë e deri tani, në tre bashkitë Korçë, Maliq e Pustec që përfshin Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Korçë, është vaksinuar rreth 75% e banorëve.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x